Ungjilli sipas Markut 2
1 Dhe Jezusi hyri përsëri në Kapernaum mbas disa ditësh, dhe u mor vesh se ai ishte në shtëpi.
2 Dhe menjëherë u mblodhën shumë njerëz, aq sa nuk kishte më vend as edhe te dera; dhe Jezusi u fliste fjalën.
3 Dhe erdhën disa duke sjellë tek ai një të paralizuar që mbartej nga katër veta.
4 Dhe duke mos mundur që t'i afroheshin atij për shkak të turmës, zbuluan tavanin te vendi ku ishte Jezusi dhe, si bënë një të çarë, lëshuan shtrojën mbi të cilën dergjej i paralizuari.
5 Dhe kur Jezusi pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: "O bir, mëkatet e tua të janë falur!".
6 Por aty ishin disa skribë që rrinin ulur dhe arsyetonin në zemrat e tyre:
7 "Pse ky flet blasfemi kështu?! Kush mund të falë mëkate, në mos një: Perëndia?!".
8 Dhe menjëherë, duke e kuptuar Jezusi në frymën e tij se po arsyetonin kështu në veten e tyre, u tha atyre: "Përse arsyetoni këto gjëra në zemrat tuaja?
9 Çfarë është më e lehtë, t'i thuash të paralizuarit 'të janë falur mëkatet', apo t'i thuash 'çohu dhe ngri shtrojën tënde, dhe ec'?
10 Por me qëllim që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet mbi tokë për të falur mëkate (i tha të paralizuarit),
11 po të them: çohu dhe ngri shtrojën tënde, dhe shko në shtëpinë tënde!".
12 Dhe ai u çua menjëherë, dhe duke ngritur shtrojën, doli jashtë në sy të të gjithëve, aq sa të shastiseshin të gjithë dhe të lëvdonin Perëndinë, duke thënë: "Kurrë nuk kemi parë kështu!".
13 Dhe Jezusi doli përsëri ndanë detit, dhe gjithë turma vinte tek ai dhe ai i mësonte.
14 Dhe duke kaluar, pa Levin, të birin e Alfeut, duke ndenjur ulur te banka e tagrave, dhe i tha: "Më ndiq!". Dhe ai u ngrit dhe e ndoqi.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po shtrohej për të ngrënë në shtëpinë e Levit, edhe shumë tagrambledhës e mëkatarë ishin shtruar bashkë me Jezusin dhe dishepujt e tij, sepse aty ishin shumë prej tyre dhe e ndoqën.
16 Dhe skribët e farisenjtë, kur e panë atë duke ngrënë me tagrambledhësit dhe mëkatarët, u thoshin dishepujve të tij: "Pse ha dhe pi me tagrambledhësit dhe mëkatarët?".
17 Dhe kur i dëgjoi këto, Jezusi u tha atyre: "Nuk kanë nevojë për mjek ata që janë të shëndetshëm, por ata që janë ligsht. Unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët".
18 Dhe dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve ishin duke agjëruar. Dhe erdhën e i thanë: "Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?".
19 Dhe Jezusi u tha: "Mos vallë mund të agjërojnë miqtë e dhëndrit ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë që kanë dhëndrin me vete nuk mund të agjërojnë!
20 Por do të vijnë ditët kur dhëndri të hiqet nga ata dhe atëherë do të agjërojnë në ato ditë.
21 Dhe askush nuk qep një arnë prej cope të papërdorur mbi një rrobë të vjetër; përndryshe e reja e shqep të mbushurën e vet nga vendi i së vjetrës dhe grisja bëhet më e keqe.
22 Dhe askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i çan kacekët dhe vera derdhet, edhe kacekët do të prishen. Përkundrazi, vera e re duhet hedhur në kacekë të rinj".
23 Dhe ndodhi që, në shabat, Jezusi të kalonte përmes të mbjellave dhe dishepujt e tij filluan të shkojnë rrugës duke këputur kallinjtë.
24 Dhe farisenjtë i thoshin atij: "Shiko, pse po bëjnë në shabat çfarë nuk është e lejueshme?".
25 Dhe ai u tha: "Kurrë nuk e lexuat vallë çfarë bëri Davidi kur pati nevojë dhe e mori uria atë dhe ata që ishin me të?
26 Si hyri në Shtëpinë e Perëndisë, në kohën e kryepriftit Abiatar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk është e lejueshme për t'i ngrënë askush, me përjashtim të priftërinjve, dhe ua dha edhe atyre që ishin bashkë me të?".
27 Dhe u tha atyre: "Shabati u bë për hir të njeriut, jo njeriu për hir të shabatit.
28 Prandaj, Biri i Njeriut është zot edhe i shabatit".
Të gjithë librat
