Ungjilli sipas Markut 15
1 Dhe menjëherë, herët në mëngjes, kryepriftërinjtë, bashkë me pleqtë dhe skribët, dhe tërë Sinedri, mbasi u këshilluan bashkë dhe si e lidhën Jezusin, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit.
2 Dhe Pilati e pyeti: "Ti je mbreti i judenjve?". Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: "Ti po e thua!".
3 Dhe kryepriftërinjtë e paditnin për shumë gjëra, por ai nuk u përgjigj fare.
4 Dhe Pilati përsëri e pyeti duke thënë: "Nuk po përgjigjesh fare? Shiko sa shumë po dëshmojnë kundër teje!".
5 Por Jezusi nuk u përgjigj më fare, saqë Pilati u habit.
6 Tani, për çdo festë Pashke, ai u lironte një të burgosur që ata kërkonin.
7 Dhe ai që quhej Baraba, ishte prangosur bashkë me shokët e tij kryengritës, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë kryengritjes.
8 Dhe turma klithi dhe filloi të kërkonte që Pilati të bënte ashtu si bënte përherë për ta.
9 Dhe Pilati iu përgjigj duke thënë: "Doni t'ju liroj mbretin e judenjve?"
10 (sepse Pilati e kuptonte që kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar Jezusin nga smira).
11 Por kryepriftërinjtë ndërsyen turmën që më mirë t'u lironte atyre Barabën.
12 Dhe Pilati, duke marrë fjalën përsëri, u tha: "Çfarë doni të bëj, pra, me atë që e quani mbret të judenjve?".
13 Dhe ata përsëri bërtitën: "Kryqëzoje!".
14 Por Pilati u thoshte: "Pse, çfarë të keqe bëri?". Por ata bërtitën më fort: "Kryqëzoje!".
15 Dhe Pilati, duke dashur që ta bëjë të kënaqur turmën, u liroi atyre Barabën, kurse Jezusin, si e fshikulloi, e dorëzoi që të kryqëzohej.
16 Tani, ushtarët e çuan Jezusin brenda pallatit (domethënë në pretorium) dhe thirrën bashkë tërë kohortën.
17 Dhe ata e veshën me purpur, dhe si thurën një kurorë ferrash, ia vunë rreth kokës;
18 dhe filluan ta përshëndesin: "Tungjatjeta, o mbret i judenjve!".
19 Dhe e qëllonin kokës me kallam, dhe e pështynin; dhe duke rënë në gjunjë, binin përmbys para tij.
20 Dhe kur e tallën, ia zhveshën purpurin dhe ia veshën rrobat e veta; dhe e çuan jashtë që ta kryqëzonin.
21 Dhe morën angari njëfarë Simoni, kireneas (i ati i Aleksandrit dhe i Rufit), që po kalonte andej duke ardhur nga ara, që të mbartte kryqin e Jezusit.
22 Dhe e sollën Jezusin në vendin e quajtur Golgotë (që e përkthyer do të thotë "Vendi i Kafkës"),
23 dhe kërkuan t'i jepnin për të pirë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24 Dhe si e kryqëzuan, nisën të përndajnë rrobat e tij duke hedhur short për to se çfarë pjese do të merrte secili.
25 Tani, ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.
26 Dhe mbishkrimi i akuzës së tij kishte të shkruar sipër: "Mbreti i judenjve".
27 Dhe bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin nga e djathta dhe tjetrin nga e majta e tij.
28 Dhe u përmbush Shkrimi, që thotë: "Dhe u llogarit me të paligjshëm".
29 Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokat dhe duke thënë: "Ua! O ti që shemb shenjtëroren dhe që e ndërton në tri ditë,
30 shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!".
31 Por po ashtu edhe kryepriftërinjtë, duke e tallur atë me njëri-tjetrin, bashkë me skribët, thoshin: "Të tjerë i shpëtoi, ndërsa vetveten nuk mundet ta shpëtojë!
32 Krishti, mbreti i Izraelit, të zbresë tani nga kryqi, që të shikojmë dhe të besojmë!". Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e shanin.
33 Dhe ndërsa u bë ora e gjashtë, u bë errësirë mbi tërë vendin, deri në orën e nëntë.
34 Dhe në orën e nëntë, Jezusi klithi me zë të lartë, duke thënë: "Eloì, Eloì, lemà sabaktháni?" (që e përkthyer do të thotë: "O Perëndia im, o Perëndia im, përse më braktise?").
35 Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshin: "Ja, po thërret Elian".
36 Dhe njëri vrapoi e mbushi një sfungjer me verë të thartë; dhe duke e vënë mbi një kallam, përpiqej t'ia jepte për të pirë, duke thënë: "Lëreni, të shikojmë nëse vjen Elia për ta zbritur".
37 Dhe Jezusi, duke lëshuar një britmë të madhe, dha frymë.
38 Dhe perdja e shenjtërores u shqye më dysh, nga lart deri poshtë.
39 Tani, kur centurioni, që ishte i pranishëm për kundruall tij, pa se dha frymë kështu duke bërtitur, tha: "Vërtet ky njeri ishte Bir i Perëndisë!".
40 Tani, aty ishin edhe disa gra duke vërejtur nga larg, ndër të cilat ishin edhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, të Voglit, dhe e Joseut, si dhe Salomeja,
41 të cilat, kur Jezusi ishte në Galile, edhe e ndiqnin dhe i shërbenin; ishin edhe shumë të tjera ato që u ngjitën bashkë me të në Jerusalem.
42 Dhe ndërsa u bë tashmë mbrëmje, ngaqë ishte ditë përgatitjeje (që domethënë ditë përpara shabatit),
43 erdhi Jozefi, ai nga Arimateja, një këshilltar i shquar i Sinedrit, i cili edhe vetë ishte duke pritur Mbretërinë e Perëndisë, dhe duke marrë guxim, hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.
44 Dhe Pilati u habit që tashmë ai kishte vdekur, dhe si thirri centurionin, e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohësh.
45 Dhe kur e mori vesh nga centurioni, ia dha trupin Jozefit.
46 Dhe Jozefi, si bleu qefin liri dhe e zbriti trupin, e mbështolli me qefinin prej liri, dhe e vuri në një varr që kishte qenë latuar në shkëmb; dhe rrokullisi një gur mbi hyrjen e varrit.
47 Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joseut, vërenin se ku po vihej trupi.
Të gjithë librat
