Ungjilli sipas Markut 13
1 Dhe ndërsa ai po dilte prej tempullit, një nga dishepujt e tij i tha: "Mësues, shiko çfarë gurësh e çfarë ndërtesash!".
2 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "I sheh këto ndërtesat e mëdha? Nuk do të lihet fare gur mbi gur që nuk do të rrëzohet krejt".
3 Dhe ndërsa ai po rrinte ulur në Malin e Ullinjve, kundruall tempullit, Pjetri dhe Jakobi, dhe Gjoni e Andrea nisën ta pyesnin veçmas:
4 "Na thuaj kur do të ngjasin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur kanë për t'u përfunduar të gjitha këto?".
5 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur atyre, filloi të thotë: "Kini kujdes të mos ju mashtrojë kush!
6 Sepse shumë do të vijnë për llogari të emrit tim duke thënë: 'Unë jam', dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
7 Dhe kur të dëgjoni për luftëra e ushtima luftërash, mos u alarmoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin, por ende nuk është fundi.
8 Sepse do të çohet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie. Dhe do të ketë tërmete nëpër vende të ndryshme, dhe do të ketë zi buke dhe trazira. Këto do të jenë fillimet e dhimbjeve të lindjes.
9 Por ju kini kujdes për veten tuaj! Sepse do t'ju dorëzojnë në sinedra dhe do të rriheni në sinagoga; dhe do të çoheni para qeveritarëve dhe mbretërve për shkakun tim, për dëshmi ndaj tyre.
10 Dhe së pari duhet të predikohet ungjilli në të gjitha kombet.
11 Por kur t'ju çojnë për t'ju dorëzuar në gjyq, mos u shqetësoni paraprakisht se çfarë të flisni dhe as mos përsiatni, por çfarëdo që t'ju jepet në atë çast, këtë flisni; sepse nuk jeni ju ata që flasin, por Fryma e Shenjtë.
12 Por do ta dorëzojë vëllai vëllain për vdekje dhe ati fëmijën; dhe do të ngrihen fëmijët kundër prindërve dhe do t'i çojnë në vdekje.
13 Dhe do të jeni të urryer nga të gjithë, për shkak të emrit tim; por ai që ngulmoi deri në fund, ky do të shpëtohet.
14 Por kur të shikoni neverinë e shkretimit, atë që u tha nga profeti Daniel, duke qëndruar aty ku nuk duhet (ai që lexon, të kuptojë), atëherë ata në Judé duhet të ikin në male;
15 dhe ai mbi tarracë mos të zbresë në shtëpi dhe mos të hyjë për të marrë diçka prej shtëpisë së vet,
16 dhe ai që është në arë mos të kthehet mbrapa për të marrë rrobën e vet.
17 Por mjerë ato gra që kanë fëmijë në bark dhe ato që mëndin foshnja në ato ditë!
18 Por lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër;
19 sepse ato ditë do të jenë një mundim i atillë sa nuk ka ndodhur si ai që nga fillimi i krijimit, të cilin e krijoi Perëndia, e deri tani, dhe nuk do të ndodhë më.
20 E sikur të mos i shkurtonte Zoti ato ditë, nuk do të shpëtohej asnjë mish; po për shkak të të zgjedhurve të cilët i zgjodhi, i shkurtoi ato ditë.
21 Dhe atëherë, po t'ju thotë kush: 'Ja, këtu është Krishti!' apo 'Ja, atje!', të mos e besoni;
22 sepse do të ngrihen krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të paraqesin shenja e çudira për të mashtruar, nëse është e mundur, edhe të zgjedhurit.
23 Por ju kini kujdes! Ja, jua kam parathënë të gjitha.
24 Por në ato ditë, mbas atij mundimi, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë ndriçimin e saj,
25 dhe yjet e qiellit do të jenë duke rënë, dhe fuqitë që janë në qiej do të tunden.
26 Dhe atëherë do ta shikojnë Birin e Njeriut duke ardhur në re me fuqi të madhe dhe lavdi.
27 Dhe atëherë ai do të dërgojë engjëjt e tij dhe do të mbledhë bashkë të zgjedhurit e tij prej të katër erërave, nga skaji i tokës deri te skaji i qiellit.
28 Tani, mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur dega e tij të jetë bërë tashmë e njomë dhe të nxjerrë gjethet, ju e dini se vera është afër.
29 Kështu edhe ju, kur t'i shikoni këto gjëra duke ndodhur, ta dini se është afër, te dera.
30 Me të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë aspak, derisa të gjitha këto të ndodhin.
31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë kurrë.
32 Por sa për atë ditë dhe orë asnjë nuk e di, as edhe engjëjt që janë në qiell, dhe as Biri, përveçse Ati.
33 Kini kujdes, vigjiloni dhe lutuni, sepse nuk e dini kur është koha.
34 Është si një njeri i nisur për larg, që la shtëpinë e vet dhe u dha skllevërve të tij pushtet, dhe secilit punën e vet, dhe derëtarin e urdhëroi që të rrijë zgjuar.
35 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë: në mbrëmje, a në mesnatë, a në këndim të gjelit, a herët në mëngjes;
36 se mos, duke ardhur papritur, ai t'ju gjejë duke fjetur.
37 Tani, ato që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!".
Të gjithë librat
