Ungjilli sipas Markut 1
1 Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.
2 Siç është shkruar në Profetët: "Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate, i cili do të bëjë gati udhën tënde përpara teje.
3 Zëri i njërit që klith në shkreti: 'Përgatitni udhën e Zotit; të drejta bëjini shtigjet e tij!'",
4 doli Gjoni duke pagëzuar në shkreti dhe duke predikuar një pagëzim pendimi për falje të mëkateve.
5 Dhe dilte drejt tij e gjithë krahina e Judesë dhe banorët e Jerusalemit, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
6 Tani, Gjoni ishte veshur me veshje prej leshi deveje dhe mbante një brez të lëkurtë rreth ijëve, dhe hante karkaleca e mjaltë të egër.
7 Dhe predikonte duke thënë: "Po vjen mbas meje ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të përkulem që t'i zgjidh lidhësen e sandaleve të tij.
8 Unë, vërtet, ju pagëzova në ujë, por ai do t'ju pagëzojë në Frymën e Shenjtë".
9 Dhe ndodhi në ato ditë që erdhi Jezusi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan.
10 Dhe menjëherë, duke dalë nga uji, pa qiejt duke u ndarë dhe Frymën duke zbritur porsi pëllumb mbi të.
11 Dhe një zë erdhi prej qiejve: "Ti je Biri im, i Dashuri; në të cilin gjeta pëlqim!".
12 Dhe menjëherë Fryma e nxori në shkreti.
13 Dhe ishte atje në shkreti dyzet ditë duke u tunduar nga Satani, dhe ishte me bishat; dhe engjëjt i shërbenin.
14 Tani, mbasi Gjoni u arrestua, erdhi Jezusi në Galile duke predikuar ungjillin e Mbretërisë së Perëndisë
15 dhe duke thënë: "Është plotësuar koha dhe është afruar Mbretëria e Perëndisë. Pendohuni dhe besoni në ungjillin!".
16 Dhe duke ecur ndanë Detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrean, vëllain e tij, duke hedhur rrjetën rrethore në det, sepse ishin peshkatarë.
17 Dhe Jezusi u tha atyre: "Ejani mbas meje dhe do t'ju bëj peshkatarë njerëzish".
18 Dhe menjëherë lanë rrjetat e tyre dhe e ndoqën.
19 Dhe duke vijuar prej aty pak më tej, pa Jakobin, të birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e tij; dhe ata ishin në varkë duke ndrequr rrjetat.
20 Dhe menjëherë i thirri, dhe ata lanë të atin, Zebedeun, në varkë me mëditësit dhe shkuan mbas tij.
21 Dhe ata hynë në Kapernaum. Dhe menjëherë, në shabat, si hyri Jezusi në sinagogë, nisi të jepte mësim.
22 Dhe njerëzit mahniteshin nga mësimi i tij, sepse ishte duke i mësuar si një që ka pushtet e jo si skribët.
23 Dhe ishte në sinagogën e tyre një njeri me frymë të ndyrë, dhe ai këlthiti
24 duke thënë: "Ah, çfarë ka mes nesh dhe teje, o Jezus nazaretas? Erdhe për të na shkatërruar? E di kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!".
25 Dhe Jezusi e qortoi, duke thënë: "Mbylle gojën dhe dil prej tij!".
26 Dhe fryma e ndyrë, duke e shkundur dhe duke bërtitur me zë të lartë, doli prej tij.
27 Dhe të gjithë u mahnitën, aq sa të pyesnin njëri-tjetrin, duke thënë: "Çfarë është kjo?! Çfarë mësimi i ri është ky? Sepse me pushtet edhe frymërave të ndyra u jep urdhër, dhe ato i binden!".
28 Dhe jehona për të doli menjëherë në tërë rrethinën e Galilesë.
29 Dhe menjëherë, mbasi dolën prej sinagogës, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, bashkë me Jakobin dhe Gjonin.
30 Tani, vjehrra e Simonit dergjej me ethe, dhe menjëherë i thanë Jezusit për të.
31 Dhe si iu afrua Jezusi, e çoi duke i kapur dorën. Dhe menjëherë ethet e lanë, dhe ajo nisi t'u shërbente atyre.
32 Tani, ndërsa u bë mbrëmje, kur perëndoi dielli, vazhdonin të sillnin tek ai të gjithë ata që ishin ligsht dhe ata që ishin të demonizuar.
33 Dhe tërë qyteti ishte mbledhur te dera.
34 Dhe ai shëroi shumë që ishin ligsht me sëmundje të çfarëdollojshme, dhe shumë demonë i dëboi. Dhe nuk i lejonte demonët që të flisnin, sepse e dinin kush ishte ai.
35 Dhe herët në mëngjes, ndërsa ishte tepër errësirë, Jezusi u ngrit dhe doli e shkoi në një vend të shkretë, dhe atje lutej.
36 Dhe iu vunë ta kërkonin Simoni dhe ata që ishin me të.
37 Dhe si e gjetën, i thanë: "Të gjithë po të kërkojnë".
38 Dhe ai u tha atyre: "Të shkojmë në qytezat që janë afër, që edhe atje të predikoj, sepse për këtë kam dalë".
39 Dhe ai vazhdonte të predikonte në sinagogat e tyre nëpër tërë Galilenë, dhe të dëbonte demonët.
40 Dhe erdhi tek ai një i lebrosur, duke iu përgjëruar dhe duke u gjunjëzuar para tij, e duke i thënë: "Po të duash, mund të më pastrosh!".
41 Dhe Jezusi, duke pasur dhembshuri, e zgjati dorën dhe e preku, dhe i tha: "Dua. Pastrohu!".
42 Dhe mbasi ai tha këtë, menjëherë lebra u largua nga ai, dhe u pastrua.
43 Dhe duke iu drejtuar rreptë, menjëherë e nxori jashtë
44 dhe i tha: "Shiko, të mos i thuash askujt asgjë, por shko e tregoja veten tënde priftit dhe ofro për pastrimin tënd ato që urdhëroi Moisiu, si dëshmi për ta".
45 Por ai, si doli, filloi që ta shpallte gjithandej dhe ta përhapte fjalën, aq sa Jezusi nuk mund të hynte më haptas në qytet, por rrinte jashtë në vende të shkreta; dhe vinin tek ai njerëz nga çdo anë.
Të gjithë librat
