Ungjilli sipas Markut 9
1 Dhe u thoshte atyre: "Me të vërtetë po ju them se janë disa nga ata që qëndrojnë këtu, të cilët nuk do të provojnë aspak vdekje, derisa të shikojnë Mbretërinë e Perëndisë të ardhur me fuqi".
2 Dhe mbas gjashtë ditësh, Jezusi mori me vete Pjetrin dhe Jakobin, dhe Gjonin, dhe i çoi lart në një mal të lartë veçmas, të vetëm. Dhe ai u shndërrua përpara tyre,
3 dhe rrobat e tij u bënë shkëlqyese, tepër të bardha, si borë, të tilla që asnjë rrobalarës mbi tokë nuk mund t'i zbardhë kështu.
4 Dhe iu shfaqën atyre Elia bashkë me Moisiun, dhe ishin duke bashkëbiseduar me Jezusin.
5 Dhe Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: "Rabbi, është mirë që ne jemi këtu; dhe le të bëjmë tri tenda: një për ty dhe një për Moisiun, dhe një për Elian".
6 (Se ai nuk dinte çfarë të thoshte, sepse ishin të lemerisur.)
7 Dhe u bë një re që i hijesoi, dhe erdhi një zë prej resë, duke thënë: "Ky është Biri im, i Dashuri; dëgjojeni!".
8 Dhe befas, duke shikuar rrotull, nuk panë më asnjeri me ta, por Jezusin vetëm.
9 Tani, ndërsa ata zbrisnin nga mali, Jezusi u dha urdhër që askujt të mos ia tregonin ato që panë, përveçse kur Biri i Njeriut të ringjallej prej të vdekurve.
10 Dhe këtë fjalë e mbajtën për vete, duke biseduar se çfarë do të thoshte kjo të ringjallesh prej të vdekurve.
11 Dhe ata nisën ta pyesnin duke thënë: "Pse thonë skribët se duhet të vijë Elia së pari?".
12 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha: "Vërtet vjen Elia së pari dhe i rivendos të gjitha. E si, pra, është shkruar për Birin e Njeriut që duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përbuzet?
13 Por po ju them se edhe Elia ka ardhur dhe bënë me të gjithë sa deshën, ashtu siç është shkruar për të".
14 Dhe kur erdhi te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë duke u rragatur me ta.
15 Dhe menjëherë, e gjithë turma, kur e pa atë, u mahnit krejt dhe duke vrapuar drejt tij, e përshëndeste.
16 Dhe i pyeti skribët: "Për çfarë po rragateni me ta?".
17 Dhe duke u përgjigjur, një nga turma tha: "Mësues, solla te ti tim bir, që ka një frymë memece;
18 dhe kudo që ta kapë, e përplas dhe ai shkumon e kërcëllon dhëmbët, dhe trupi i tendoset. Dhe u thashë dishepujve të tu që ta dëbojnë, mirëpo nuk mundën".
19 Dhe ai, duke iu përgjigjur atij, tha: "Oh brez mosbesues! Deri kur do të jem me ju?! Deri kur do t'ju duroj?! Silleni tek unë!".
20 Dhe e sollën tek ai; dhe kur e pa Jezusin, menjëherë fryma e shkundi djalin, dhe si ra përtokë, ai rrokullisej duke shkumuar.
21 Dhe Jezusi e pyeti të atin: "Sa kohë ka qëkurse i ka ndodhur kjo?". Dhe ai tha: "Që nga fëmijëria.
22 Dhe shpeshherë e ka hedhur edhe në zjarr e në ujë, që ta shkatërrojë; por nëse mundesh që të bësh diçka, ki dhembshuri për ne dhe na ndihmo!".
23 Dhe Jezusi i tha: "Nëse mundesh që të besosh, të gjitha janë të mundshme për atë që beson!".
24 Dhe menjëherë, duke thirrur me lot, i ati i fëmijës tha: "Besoj, o Zot! Ndihmo mosbesimin tim!".
25 Tani, kur Jezusi pa se një turmë po turrej tok, qortoi frymën e ndyrë duke i thënë: "O frymë memece dhe e shurdhër, unë po të urdhëroj: dil prej tij dhe të mos hysh më në të!".
26 Dhe duke bërtitur e duke e shkundur shumë djalin, fryma doli; dhe ai u bë porsi i vdekur, aq sa shumica të thoshin: "Vdiq!".
27 Por Jezusi, duke e kapur për dore, e çoi; dhe ai u ngrit.
28 Dhe ndërsa Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e tij nisën ta pyesnin veçmas: "Pse ne nuk mundëm ta dëbojmë?".
29 Dhe ai u tha: "Ky lloj nuk mund të dalë me asgjë, në mos me lutje dhe agjërim".
30 Dhe kur dolën prej andej, po kalonin përmes Galilesë; dhe Jezusi nuk donte që ndokush të vinte në dijeni për këtë,
31 sepse po i mësonte dishepujt e tij dhe po u thoshte: "Biri i Njeriut po dorëzohet në duart e njerëzve dhe do ta vrasin; dhe kur të vritet, të tretën ditë do të ringjallet".
32 Por ata nuk e kuptonin këtë thënie dhe kishin frikë për ta pyetur.
33 Dhe erdhi në Kapernaum; dhe kur qe në shtëpi, nisi t'i pyeste ata: "Çfarë po diskutonit me njëri-tjetrin gjatë rrugës?".
34 Por ata heshtnin, sepse gjatë rrugës biseduan me njëri-tjetrin se kush ishte më i madh.
35 Dhe si u ul, thirri të dymbëdhjetët dhe u tha: "Nëse dikush dëshiron që të jetë i parë, duhet të jetë i fundit i të gjithëve dhe shërbëtor i të gjithëve".
36 Dhe si mori një fëmijë, e vendosi në mes të tyre; dhe duke e marrë në krahë, u tha atyre:
37 "Cilido që të pranojë një prej fëmijëve të tillë për arsye të emrit tim, më pranon mua; dhe cilido që të më pranojë mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua".
38 Gjoni iu drejtua atij, duke thënë: "Mësues, pamë dikë i cili nuk na ndjek, duke dëbuar demonë në emrin tënd dhe e penguam, sepse nuk na ndjek".
39 Por Jezusi tha: "Mos e pengoni, sepse nuk ka asnjë i cili do të bëjë një vepër fuqie nën emrin tim dhe që, fill pas kësaj, do të mund të flasë keq për mua.
40 Sepse ai që nuk është kundër jush, është për ju.
41 Sepse cilido që t'ju japë për të pirë një kupë ujë në emrin tim, se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them se nuk do ta humbë aspak shpërblimin e tij".
42 "Dhe cilido që të shkandullojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, më mirë është për të nëse i varet rreth qafës një gur mulliri dhe hidhet në det.
43 Dhe po të të shkandullojë dora jote, preje! Më mirë është për ty që të hysh i gjymtuar në jetë sesa, duke i pasur të dyja duart, të shkosh në Gehenë, në zjarrin e pashueshëm;
44 ku krimbi i tyre nuk ngordh dhe zjarri nuk shuhet.
45 Dhe po të të shkandullojë këmba jote, preje! Më mirë është për ty që të hysh në jetë i çalë sesa, duke i pasur të dyja këmbët, të hidhesh në Gehenë, në zjarrin e pashueshëm;
46 ku krimbi i tyre nuk ngordh dhe zjarri nuk shuhet.
47 Dhe po të të shkandullojë syri yt, nxirre! Më mirë është për ty që të hysh me një sy në Mbretërinë e Perëndisë sesa, duke pasur dy sy, të shkosh në Gehenën e zjarrit;
48 ku krimbi i tyre nuk ngordh dhe zjarri nuk shuhet.
49 Sepse gjithkush do të kripet me zjarr dhe çdo flijim do të kripet me kripë.
50 E mirë është kripa, por po të bëhet kripa e amësht, me çfarë do ta ndreqni?! Kini kripë në vetvete dhe jini në paqe me njëri-tjetrin".
Të gjithë librat
