Ungjilli sipas Markut 8
1 Në ato ditë, ndërsa ishte mbledhur përsëri një turmë e madhe dhe duke mos pasur çfarë të hanë, Jezusi thirri pranë dishepujt e tij dhe u tha:
2 "Kam dhembshuri për turmën, sepse u bënë tashmë tri ditë që rrinë me mua dhe nuk kanë çfarë të hanë.
3 Dhe po t'i lëshoj të uritur për në shtëpitë e tyre, do t'u bjerë të fikët gjatë rrugës; sepse disa prej tyre kanë ardhur nga larg".
4 Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: "Nga do të mundet kush që t'i ngopë këta me bukë këtu në shkreti?".
5 Dhe ai i pyeste: "Sa bukë keni?". Dhe ata thanë: "Shtatë".
6 Dhe Jezusi udhëzoi turmën për të zënë vend përtokë; dhe si mori të shtatë bukët, falënderoi dhe i theu, dhe ua jepte dishepujve të tij, që t'ia vinin para turmës; dhe ata ia vunë para.
7 Kishin edhe pak peshq të vegjël; dhe Jezusi si i bekoi, tha që të viheshin para turmës edhe ata.
8 Dhe njerëzit hëngrën e u ngopën; dhe mbartën shtatë kosha tepricë të copave.
9 Tani, ishin rreth katër mijë veta; dhe ai i lëshoi.
10 Dhe si hipi menjëherë në varkë me dishepujt e tij, shkoi në rajonet e Dalmanutës.
11 Dhe dolën farisenjtë e filluan të rragateshin me të, duke kërkuar prej tij një shenjë nga qielli, që ta sprovonin.
12 Dhe si ofshau në frymën e tij, tha: "Pse ky brez kërkon një shenjë? Me të vërtetë po ju them se asnjë shenjë nuk do t'i jepet këtij brezi."
13 Dhe si i la ata, përsëri në varkë, shkoi
14 Dhe harruan që të marrin bukë, dhe nuk kishin me vete në varkë përveçse një bukë.
15 Dhe Jezusi u jepte urdhër duke thënë: "Hapni sytë! Kini kujdes nga tharmi i farisenjve dhe nga tharmi i Herodit!".
16 Dhe ata nisën të diskutonin me njëri-tjetrin duke thënë: "Nuk kemi bukë!".
17 Dhe duke e ditur Jezusi këtë, u tha atyre: "Pse diskutoni që nuk keni bukë? Ende nuk e merrni vesh dhe nuk e kuptoni? Ende e keni të ngurtësuar zemrën tuaj?
18 Duke pasur sy, nuk shihni?! Dhe duke pasur veshë, nuk dëgjoni?! Dhe nuk kujtoni?!
19 Kur theva të pesë bukët për të pesëmijët, sa kofinë plot me copa mbartët?". Ata i thanë: "Dymbëdhjetë".
20 "Dhe kur theva të shtatat për të katërmijët, sa kosha të mbushur me copa mbartët?". Dhe ata thanë: "Shtatë".
21 Dhe ai u thoshte atyre: "Ende nuk kuptoni?".
22 Dhe erdhi në Betsaidë e i sollën Jezusit një të verbër, dhe iu përgjëruan që ta prekte.
23 Dhe duke kapur dorën e të verbrit, e çoi jashtë fshatit; dhe si pështyu në sytë e tij, duke vënë duart mbi të, e pyeste nëse shihte diçka.
24 Dhe duke ngritur sytë, thoshte: "Shoh njerëzit si pemë, duke ecur".
25 Pastaj, përsëri Jezusi vuri duart mbi sytë e tij dhe e bëri të shihte lart; dhe iu përtëri të parët, dhe i pa kthjellët të gjithë.
26 Dhe Jezusi e dërgoi në shtëpinë e tij, duke thënë: "As të mos hysh në fshat, dhe as të mos i thuash kujt në fshat".
27 Dhe doli Jezusi dhe dishepujt e tij në fshatrat e Cezaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës nisi t'i pyeste dishepujt e tij, duke u thënë: "Kush thonë njerëzit se jam unë?".
28 Dhe ata u përgjigjën: "'Gjon Pagëzori', dhe të tjerë 'Elia'; ndërsa të tjerë 'Një nga profetët'".
29 Dhe ai u tha: "Po ju, kush thoni se jam unë?". Dhe Pjetri, duke u përgjigjur, i tha: "Ti je Krishti!".
30 Dhe ai i paralajmëroi që askujt të mos i thoshin për të.
31 Dhe ai filloi t'i mësojë ata se Biri i Njeriut duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga pleqtë dhe kryepriftërinjtë, dhe skribët; dhe të vritet, dhe mbas tri ditësh të ringjallet.
32 Dhe këtë fjalë po e fliste haptas; dhe Pjetri, duke e marrë veç, filloi ta qortonte.
33 Por ai, duke u kthyer dhe duke parë dishepujt e vet, e qortoi Pjetrin duke thënë: "M'u hiq sysh, Satan! Sepse ti nuk ke në mend gjërat e Perëndisë, por gjërat e njerëzve".
34 Dhe kur thirri pranë turmën bashkë me dishepujt e tij, u tha atyre: "Cilido që dëshiron të më ndjekë pas, të mohojë vetveten dhe të mbartë kryqin e vet, dhe të më ndjekë.
35 Sepse cilido që të dojë që ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë; por cilido që ta humbë jetën e vet për shkakun tim dhe të ungjillit, ky do ta shpëtojë.
36 Sepse çfarë do t'i leverdisë njeriut po të fitojë tërë botën dhe ta bjerrë jetën e vet?
37 Ose çfarë do të japë njeriu në këmbim të jetës së vet?
38 Sepse cilido që të ketë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez kurorëshkelës dhe mëkatar, edhe Biri i Njeriut do të ketë turp për të, kur të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e shenjtë".
Të gjithë librat
