Ungjilli sipas Markut 14
1 Tani, mbas dy ditësh ishte Pashka dhe të Ndormet, dhe kryepriftërinjtë e skribët kërkonin se si, duke e kapur me dredhi, ta vrisnin;
2 por ata thoshin: "Jo në festë, që të mos ketë trazirë nga populli".
3 Dhe ndërsa Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit, ish të lebrosurit, dhe ishte shtruar për të ngrënë, erdhi një grua që kishte një enë alabastri me vaj erëmirë nardi të kulluar, shumë të kushtueshëm. Dhe si e theu enën e alabastrit, e derdhi vajin mbi kokën e tij.
4 Por disa po pezmatoheshin në veten e tyre dhe po thoshin: "Përse u bë kjo humbje vaji erëmirë?
5 Sepse ky vaj erëmirë mund të shitej mbi treqind denarë dhe paratë t'u jepeshin të varfërve". Dhe shfrynin ndaj saj.
6 Por Jezusi tha: "Lëreni! Pse e mundoni? Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje.
7 Se të varfrit i keni gjithmonë me vete dhe kur të doni mund t'u bëni mirë atyre, por mua nuk më keni gjithmonë.
8 Ajo bëri çfarë pati në dorë: vajosi para kohe trupin tim që ta përgatisë për varrim.
9 Me të vërtetë po ju them: kudo që të predikohet ky ungjill në tërë botën, edhe për çfarë bëri kjo grua do të flitet në kujtim të saj".
10 Dhe Juda, Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë që t'ua dorëzonte Jezusin.
11 Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan për t'i dhënë monedha argjendi. Dhe ai kërkonte se si ta dorëzonte në një rast të volitshëm.
12 Dhe në ditën e parë të të Ndormeve, kur flijonin Pashkën, dishepujt e Jezusit i thanë: "Ku dëshiron që të shkojmë e të përgatisim, që të hash Pashkën?".
13 Dhe ai dërgoi dy nga dishepujt e tij dhe u tha: "Shkoni në qytet dhe do t'ju takojë një njeri që mban një shtambë uji. Ndiqeni
14 dhe kudo që ai të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: 'Mësuesi thotë: Ku është dhoma e miqve për mua, në të cilën do të ha Pashkën me dishepujt e mi?'.
15 Dhe ai do t'ju tregojë një dhomë të sipërme të madhe, që është shtruar dhe gati; atje përgatitni për ne".
16 Dhe dishepujt e tij dolën dhe erdhën në qytet, dhe gjetën gjithçka ashtu si u tha atyre; dhe përgatitën Pashkën.
17 Dhe ndërsa u bë mbrëmje, erdhi Jezusi me të dymbëdhjetët.
18 Dhe ndërsa ata ishin shtruar dhe po hanin, Jezusi tha: "Me të vërtetë po ju them se një prej jush do të më tradhtojë: ai që ha me mua".
19 Dhe ata filluan të trishtohen dhe t'i thonë një nga një: "A mos jam unë?"; dhe një tjetër: "A mos jam unë?".
20 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha: "Një prej të dymbëdhjetëve; ai që ngjyen me mua në çanak.
21 Vërtet Biri i Njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të, por mjerë ai njeri nëpërmjet të cilit Biri i Njeriut tradhtohet; më mirë do të ishte për atë njeri sikur ai të mos kishte lindur".
22 Dhe ndërsa ata po hanin, si mori Jezusi bukë dhe si bekoi, e theu dhe ua dha atyre; dhe tha: "Merrni, hani; ky është trupi im".
23 Dhe si mori kupën, dhe si falënderoi, ua dha atyre dhe pinë prej saj të gjithë.
24 Dhe u tha: "Ky është gjaku im i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë njerëz.
25 Me të vërtetë po ju them se nuk do të pi më aspak prej frytit të hardhisë, deri në atë ditë kur ta pi të re në Mbretërinë e Perëndisë".
26 Dhe si himnizuan, dolën për në Malin e Ullinjve.
27 Dhe Jezusi u tha atyre: "Të gjithë do të shkandulloheni me mua në këtë natë, sepse është shkruar: 'Do ta godas bariun dhe do të shpërndahen delet'.
28 Por mbasi unë të jem ngjallur, do t'ju paraprij në Galile".
29 Por Pjetri i thoshte: "Edhe nëse të gjithë do të shkandullohen, ama unë jo!".
30 Dhe Jezusi i tha: "Me të vërtetë po të them se ti sot, në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më mohosh".
31 Por Pjetri thoshte me më tepër këmbëngulje: "Edhe po të më duhet që të vdes bashkë me ty, kurrë nuk do të të mohoj". Dhe po ashtu thoshin edhe të gjithë të tjerët.
32 Dhe erdhën në një vend, emri i të cilit ishte Gjetsemanì; dhe Jezusi u tha dishepujve të tij: "Uluni këtu, derisa të lutem".
33 Dhe mori me vete Pjetrin dhe Jakobin, dhe Gjonin; dhe filloi të jetë tejet i tronditur dhe të ketë ankth,
34 dhe t'u thotë atyre: "Shpirti im është thellësisht i trishtuar deri në pikë të vdekjes. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar".
35 Dhe si shkoi pak përpara, ra me fytyrë përtokë e nisi të lutej që, nëse ishte e mundur, të largohej nga ai ajo orë.
36 Dhe tha: "Abba, o Atë, të gjitha janë të mundshme për ty; hiqe tutje këtë kupë nga unë! Porse, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti!".
37 Dhe erdhi e i gjeti ata duke fjetur. Dhe i tha Pjetrit: "Simon, po fle? Nuk mundët të rrini zgjuar një orë?
38 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos hyni në tundim; vërtet fryma është e gatshme, por mishi është i dobët".
39 Dhe përsëri shkoi dhe u lut duke thënë të njëjtën gjë.
40 Dhe u kthye dhe i gjeti ata përsëri duke fjetur, sepse sytë e tyre ishin rënduar; dhe ata nuk dinin çfarë t'i përgjigjeshin.
41 Dhe erdhi të tretën herë dhe u tha: "Po flini prapë dhe po çlodheni? Mjaft, erdhi ora! Ja, po dorëzohet Biri i Njeriut në duart e mëkatarëve.
42 Çohuni të shkojmë! Ja, ai që më tradhton është afruar".
43 Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, mbërriti Juda, Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe hunj, që ishte dërguar nga kryepriftërinjtë dhe skribët, dhe pleqtë.
44 (Tani, ai që po e tradhtonte, u kishte dhënë një sinjal atyre, duke thënë: "Atë që do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni në mënyrë të siguruar".)
45 Dhe kur erdhi, menjëherë iu afrua Jezusit dhe tha: "Tungjatjeta, Rabbi!", dhe e puthi.
46 Dhe ata vunë dorë mbi të dhe e kapën.
47 Por njëri nga ata që ishin të pranishëm, si nxori shpatën, i ra skllavit të kryepriftit dhe i hoqi veshin.
48 Dhe Jezusi, duke iu drejtuar atyre, u tha: "Si kundër një kusari dolët me shpata e hunj për të më kapur?
49 Çdo ditë isha me ju në tempull duke dhënë mësim dhe nuk më kapët; por kjo ka ndodhur që të përmbusheshin Shkrimet".
50 Dhe të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.
51 Dhe njëfarë djaloshi, që ishte mbështjellë me një pëlhurë liri mbi trupin e zhveshur, e ndoqi Jezusin dhe të rinjtë e kapën.
52 Por ai, duke lënë pas pëlhurën prej liri, iku nga ata i zhveshur.
53 Dhe e çuan Jezusin te kryeprifti; dhe u mblodhën tek ai të gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë, dhe skribët.
54 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në oborrin e kryepriftit; dhe ishte duke ndenjur ulur bashkë me rojat dhe duke u ngrohur pranë zjarrit.
55 Tani, kryepriftërinjtë dhe tërë Sinedri po kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta çuar në vdekje, dhe nuk gjenin.
56 Sepse shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij dhe dëshmitë nuk ishin të njëjta.
57 Dhe disa, duke u ngritur, jepnin dëshmi të rreme kundër tij, duke thënë:
58 "Ne e dëgjuam atë duke thënë: 'Unë do ta shemb këtë shenjtërore të bërë me dorë dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër të pabërë me dorë'".
59 Por as edhe kështu dëshmia e tyre nuk ishte e njëjtë.
60 Dhe kryeprifti, duke u ngritur në mes të Sinedrit, nisi ta pyeste Jezusin duke thënë: "Nuk po përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë kundër teje këta?".
61 Por ai heshtte dhe nuk u përgjigj fare. Përsëri kryeprifti nisi ta pyeste dhe i tha: "Ti je Krishti, Biri i të Bekuarit?".
62 Dhe Jezusi tha: "Unë jam! Dhe do ta shikoni Birin e Njeriut të ulur në të djathtë të Fuqisë dhe duke ardhur mbi retë e qiellit".
63 Dhe kryeprifti, duke shqyer tunikat e tij, tha: "Ç'nevojë kemi ende për dëshmitarë?
64 E dëgjuat, patjetër, blasfeminë. Çfarë mendoni ju?". Dhe ata të gjithë e gjykuan se është fajtor për vdekje.
65 Dhe disa filluan ta pështynin, dhe t'i mbulonin fytyrën e ta grushtonin, dhe t'i thoshin: "Na profetizo kush është ai që të ra!". Dhe rojat e morën me shuplaka.
66 Dhe ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një nga shërbëtoret e kryepriftit
67 dhe kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë dhe tha: "Edhe ti me Jezusin, nazaretasin, ishe!".
68 Por ai e mohoi, duke thënë: "Nuk e di dhe nuk kuptoj çfarë po thua!". Dhe doli jashtë në hajat, dhe një gjel këndoi.
69 Dhe shërbëtorja kur e pa, filloi përsëri t'u thoshte të pranishmëve: "Ky është prej atyre".
70 Por ai përsëri e mohonte. Dhe mbas pak kohe, përsëri të pranishmit i thoshin Pjetrit: "Vërtet je prej atyre, sepse je edhe galileas dhe e folura jote ngjason".
71 Por ai filloi të mallkonte e të bënte be: "Nuk e njoh këtë njeri për të cilin flisni".
72 Dhe për herë të dytë këndoi një gjel dhe Pjetri kujtoi thënien të cilën i tha Jezusi: "Para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më mohosh". Dhe ia shkrehu të qarit.
Të gjithë librat
