Ungjilli sipas Markut 8
1 Në ato ditë, ndërsa ishte mbledhur përsëri një turmë e madhe dhe duke mos pasur çfarë të hanë, Jezusi thirri pranë dishepujt e tij dhe u tha:
2 "Kam dhembshuri për turmën, sepse u bënë tashmë tri ditë që rrinë me mua dhe nuk kanë çfarë të hanë.
3 Dhe po t'i lëshoj të uritur për në shtëpitë e tyre, do t'u bjerë të fikët gjatë rrugës; dhe disa prej tyre kanë ardhur nga larg".
4 Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: "Nga do të mundet kush për t'i ngopur këta me bukë këtu në shkreti?".
5 Dhe ai i pyeste: "Sa bukë keni?". Dhe ata thanë: "Shtatë".
6 Dhe Jezusi udhëzoi turmën për të zënë vend përtokë; dhe si mori të shtatë bukët, falënderoi dhe i theu, dhe ua jepte dishepujve të tij, që t'ia vinin para turmës; dhe ata ia vunë para.
7 Kishin edhe pak peshq të vegjël; dhe Jezusi, si i bekoi, tha që edhe këta të viheshin para turmës.
8 Dhe njerëzit hëngrën e u ngopën; dhe mbartën shtatë kosha tepricë të copave.
9 Tani, ata ishin rreth katër mijë veta; dhe ai i lëshoi.
10 Dhe menjëherë, si hipi në varkë me dishepujt e tij, shkoi në rajonet e Dalmanutës.
11 Dhe dolën farisenjtë e filluan për t'u rragatur me të, duke kërkuar prej tij një shenjë nga qielli, që ta sprovonin.
12 Dhe si ofshau në frymën e tij, tha: "Pse ky brez kërkon një shenjë? Me të vërtetë po ju them se asnjë shenjë nuk do t'i jepet këtij brezi."
13 Dhe si i la ata, duke hipur përsëri në varkë, shkoi në anën tjetër.
14 Dhe dishepujt harruan që të marrin bukë, dhe nuk kishin me vete në varkë përveçse një bukë.
15 Dhe Jezusi u jepte urdhër duke thënë: "Hapni sytë! Kini kujdes nga tharmi i farisenjve dhe nga tharmi i Herodit!".
16 Dhe ata nisën të diskutonin me njëri-tjetrin që nuk kishin bukë.
17 Dhe duke e ditur Jezusi këtë, u tha atyre: "Pse diskutoni që nuk keni bukë? Ende nuk e merrni vesh dhe nuk e kuptoni? A e keni të ngurtësuar zemrën tuaj?
18 Duke pasur sy, nuk shihni?! Dhe duke pasur veshë, nuk dëgjoni?! Dhe nuk kujtoni?!
19 Kur theva të pesë bukët për të pesëmijët, sa kofinë plot me copa mbartët?". Ata i thanë: "Dymbëdhjetë".
20 "E kur theva të shtatat për të katërmijët, sa mbushje koshash me copa mbartët?". Dhe ata i thanë: "Shtatë".
21 Dhe ai u thoshte atyre: "Si, ende nuk kuptoni?".
22 Dhe erdhën në Betsaidë e i sollën Jezusit një të verbër, dhe iu përgjëruan që ta prekte.
23 Dhe duke kapur dorën e të verbrit, e nxori jashtë fshatit; dhe si pështyu në sytë e tij, duke vënë duart mbi të, e pyeste: "A sheh diçka?".
24 Dhe duke ngritur sytë, thoshte: "Shoh njerëzit, që i shikoj si pemë duke ecur."
25 Pastaj, përsëri Jezusi vuri duart mbi sytë e tij; dhe ai pa qartë e iu përtëri të parët, dhe i shihte kthjellët të gjitha.
26 Dhe Jezusi e dërgoi në shtëpinë e tij, duke thënë: "As të mos hysh fare në fshat".
27 Dhe doli Jezusi dhe dishepujt e tij në fshatrat e Cezaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës nisi t'i pyeste dishepujt e tij, duke u thënë: "Kush thonë njerëzit se jam unë?".
28 Dhe ata i treguan, duke thënë: "'Gjon Pagëzori', dhe të tjerë 'Elia'; ndërsa të tjerë thonë se je një nga profetët".
29 Dhe ai i pyeste: "Po ju, kush thoni se jam unë?". Dhe Pjetri, duke u përgjigjur, i tha: "Ti je Krishti!".
30 Dhe ai i paralajmëroi që askujt të mos i thoshin për të.
31 Dhe ai filloi t'i mësojë ata se Biri i Njeriut duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga pleqtë dhe kryepriftërinjtë, dhe skribët; dhe të vritet, dhe mbas tri ditësh të ringjallet.
32 Dhe këtë fjalë po e fliste haptas; dhe Pjetri, duke e marrë veç, filloi ta qortonte.
33 Por ai, duke u kthyer dhe duke parë dishepujt e vet, e qortoi Pjetrin dhe i tha: "M'u hiq sysh, Satan! Sepse ti nuk ke në mend gjërat e Perëndisë, por gjërat e njerëzve".
34 Dhe kur thirri pranë turmën bashkë me dishepujt e tij, u tha atyre: "Nëse dikush dëshiron të më ndjekë pas, të mohojë vetveten dhe të mbartë kryqin e vet, dhe të më ndjekë.
35 Sepse cilido që të dojë për ta shpëtuar jetën e vet, do ta humbë; por cilido që do ta humbë jetën e vet për shkakun tim dhe të ungjillit, do ta shpëtojë.
36 Sepse çfarë i leverdis njeriut të fitojë tërë botën dhe ta bjerrë jetën e vet?
37 Sepse çfarë mund të japë njeriu në këmbim të jetës së vet?
38 Sepse cilido që të ketë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez kurorëshkelës dhe mëkatar, edhe Biri i Njeriut do të ketë turp për të, kur të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e shenjtë".
Të gjithë librat
