Ungjilli sipas Markut 7
1 Dhe u mblodhën pranë tij farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi,
2 dhe panë disa nga dishepujt e tij që po hanin bukë me duar të ndyta, domethënë të palara.
3 (Se farisenjtë dhe të gjithë judenjtë, po të mos i lajnë duart me grusht, nuk hanë, duke mbajtur kështu traditën e pleqve.
4 Edhe kur vijnë nga tregu, po të mos zhyten për pastrim, nuk hanë. Ka edhe shumë gjëra të tjera që ata i morën për t'i mbajtur, si zhytje pastruese të kupave dhe të brokave, dhe të enëve prej bakri.)
5 Dhe farisenjtë e skribët e pyetën atë: "Përse nuk ecin dishepujt e tu sipas traditës së pleqve, por hanë bukë me duar të ndyta?".
6 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: "Bukur profetizoi Isaia për ju, hipokritët, siç është shkruar: 'Ky popull me buzë mua më nderon, por zemra e tyre është shumë larg nga unë.
7 Dhe kot më adhurojnë, duke dhënë si mësime urdhëresa njerëzish'.
8 Duke lënë pas dore urdhërimin e Perëndisë, ju mbani traditën e njerëzve".
9 Dhe u thoshte, gjithashtu: "Bukur e hidhni poshtë urdhërimin e Perëndisë, me qëllim që të mbani traditën tuaj!
10 Sepse Moisiu tha: 'Ndero atin tënd dhe nënën tënde' dhe 'Ai që i flet keq atit ose nënës, të marrë fund me vdekje'.
11 Por ju thoni: 'Po t'i thotë një njeri atit ose nënës: «E bëra korban (që domethënë, dhuratë) gjithçka që prej meje do të të ishte ndihmë»',
12 atëherë ju nuk e lini më të bëjë asgjë për atin e vet apo për nënën e vet,
13 duke zhvlerësuar kështu fjalën e Perëndisë përmes traditës suaj, të cilën e trashëguat. Dhe të tilla gjëra të përngjashme bëni shumë".
14 Dhe si thirri pranë përsëri turmën, nisi t'u thoshte atyre: "Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni!
15 Nuk ka asgjë nga përjashta njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndyjë; përkundrazi, ato që dalin prej njeriut, janë ato që e bëjnë të ndytë njeriun".
16 ["Nëse dikush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!"]
17 Dhe kur Jezusi hyri në shtëpi, larg nga turma, dishepujt e tij po e pyesnin për shëmbëlltyrën.
18 Dhe ai u tha atyre: "A kështu jeni edhe ju, të paaftë për të kuptuar? A nuk e kuptoni se gjithçka që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta ndyjë atë,
19 sepse nuk hyn në zemrën e tij, por në bark, dhe del në nevojtore?" (duke i shpallur, kështu, të pastra të gjitha ushqimet).
20 Dhe thoshte, gjithashtu: "Ajo që del prej njeriut, është ajo që e ndyn njeriun.
21 Sepse nga brenda, prej zemrës së njerëzve dalin arsyetimet e këqija, kurvërime, vjedhje, vrasje,
22 kurorëshkelje, lakmi, ligësi, dredhi, shthurje, sy i lig, blasfemi, krenari, marrëzi.
23 Të gjitha këto të liga dalin nga brenda dhe e ndyjnë njeriun".
24 Tani, si u ngrit prej aty, Jezusi shkoi në kufijtë e Tirit dhe të Sidonit. Dhe si hyri në një shtëpi, donte që asnjeri të mos e dinte; mirëpo nuk qe e mundur të mbetej i padiktuar.
25 Por menjëherë, kur dëgjoi për të një grua, bija e vogël e së cilës kishte një frymë të ndyrë, erdhi dhe ra para te këmbët e tij.
26 Tani, gruaja ishte helene, me prejardhje sirofenikase, dhe i kërkonte atij që ta dëbonte demonin prej së bijës.
27 Dhe Jezusi i thoshte asaj: "Lëri së pari fëmijët që të ngopen! Se nuk është mirë që të marrësh bukën e fëmijëve dhe t'ua hedhësh këlyshëve të qenve".
28 Por ajo u përgjigj e i tha: "Po, o Zot, edhe këlyshët e qenve poshtë tryezës hanë nga thërrimet e fëmijëve".
29 Dhe ai i tha: "Për shkak të kësaj fjale, shko! Demoni ka dalë prej bijës sate".
30 Dhe kur shkoi në shtëpinë e saj, e gjeti fëmijën të shtrirë në shtrat, dhe demoni kishte dalë.
31 Dhe përsëri, kur doli prej kufijve të Tirit, shkoi përmes Sidonit drejt Detit të Galilesë, ndërmjet kufijve të Dekapolit.
32 Dhe i sollën një të shurdhër dhe të belbët, dhe iu përgjëruan që të vërë dorën mbi të.
33 Dhe si e mori mënjanë nga turma, veçmas, Jezusi vuri gishtat e vet në veshët e tij dhe duke pështyrë, preku gjuhën e tij;
34 dhe duke ngritur sytë drejt qiellit, psherëtiu dhe i tha atij: "Effathá!" (që domethënë "Hapu!").
35 Dhe iu hapën veshët, dhe iu zgjidh lidhja e gjuhës, dhe fliste saktë.
36 Dhe Jezusi u dha urdhër atyre që të mos i thoshin askujt; por sa më shumë u jepte urdhër, ata aq më tepër e shpallnin.
37 Dhe njerëzit çuditeshin tej mase, duke thënë: "Mirë i ka bërë të gjitha! Edhe të shurdhrit i bën të dëgjojnë, edhe memecët të flasin!".
Të gjithë librat
