Ungjilli sipas Markut 6
1 Dhe Jezusi doli prej andej dhe erdhi në vendin e tij ku u rrit; dhe dishepujt e tij e ndiqnin.
2 Dhe kur u bë shabat, filloi të japë mësim në sinagogë. Dhe shumë nga ata që e dëgjonin çuditeshin, duke thënë: "Prej nga i vijnë këtij këto? Dhe çfarë është kjo urtësi që iu dha këtij dhe të tilla vepra fuqie që bëhen nëpërmjet duarve të tij?
3 A nuk është ky zdrukthëtari, biri i Marisë dhe vëllai i Jakobit dhe i Joseut, dhe i Judës, dhe i Simonit? Dhe a nuk janë motrat e tij këtu me ne?". Dhe shkandulloheshin me të.
4 Dhe Jezusi u thoshte atyre: "Një profet nuk është i panderuar askund, përveçse në vendin e tij dhe në farefisin e tij, dhe në shtëpinë e tij".
5 Dhe nuk ishte në gjendje të bënte aty asnjë vepër fuqie, përveçse shëroi pak të sëmurë, duke vënë duart sipër tyre.
6 Dhe u habit për shkak të mosbesimit të tyre. Dhe shkonte përqark në fshatrat përreth, duke dhënë mësim.
7 Dhe thirri pranë të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgonte dy nga dy; dhe u jepte atyre pushtet mbi frymërat e ndyra.
8 Dhe i porositi që të mos marrin asgjë për rrugë, përveçse vetëm një shkop – as bukë, as trastë, as pará në brez –
9 por të mbathnin sandale; dhe shtoi: "Të mos vishni dy tunika!".
10 Dhe u thoshte atyre: "Kudo që të hyni në një shtëpi, aty rrini derisa të dilni prej aty.
11 Dhe cilido vend që të mos ju presë dhe as të mos ju dëgjojnë, duke dalë prej aty, shkundni pluhurin që është poshtë këmbëve tuaja, si dëshmi kundër tyre".
12 Dhe ata dolën e predikuan që njerëzit duhej të pendoheshin;
13 dhe dëbonin shumë demonë, dhe vajosnin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.
14 Dhe mbreti Herod dëgjoi për Jezusin, sepse emri i tij u bë i njohur dhe disa thoshin: "Gjoni, ai që pagëzon, është ngjallur prej të vdekurve dhe për këtë arsye veprojnë veprat e fuqisë në të".
15 Por të tjerë thoshin: "Ky është Elia"; ndërsa të tjerë thoshin: "Është profet, si një nga profetët e lashtë".
16 Por kur Herodi dëgjoi për të, thoshte: "Gjoni, të cilit unë i preva kokën, ky u ngjall!".
17 Sepse vetë Herodi, si dërgoi njerëz, e kapi Gjonin dhe e lidhi në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e mori atë për grua;
18 se Gjoni i thoshte Herodit: "Nuk është e lejueshme për ty që të kesh gruan e vëllait tënd".
19 Dhe Herodiada e kishte mëri Gjonin dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundej,
20 sepse Herodi i frikësohej Gjonit, ngaqë e dinte si burrë të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe kur e dëgjoi Gjonin, ishte shumë i hutuar, megjithatë e dëgjonte me ëndje.
21 Dhe erdhi dita e volitshme kur Herodi bëri për ditëlindjen e vet një darkë për të mëdhenjtë e tij dhe komandantët, dhe të parët e Galilesë.
22 Dhe ndërsa hyri bija e vetë Herodiadës dhe ndërsa vallëzoi e i pëlqeu Herodit dhe atyre që ishin shtruar bashkë në banket, mbreti i tha vashës: "Më kërko çfarë të duash dhe do të ta jap".
23 Dhe iu betua asaj: "Çfarëdo të më kërkosh do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!".
24 Dhe ajo, si doli, i tha nënës së vet: "Çfarë të kërkoj?". Dhe ajo i tha: "Kokën e Gjonit, atij që pagëzon".
25 Dhe si hyri menjëherë me nxitim te mbreti, kërkoi duke thënë: "Dua që në çast të më japësh mbi sini kokën e Gjon Pagëzorit".
26 Dhe mbreti, megjithëse u trishtua thellësisht, për shkak të betimeve dhe të atyre që ishin shtruar bashkë në banket, nuk deshi ta kthejë atë mbrapsht.
27 Dhe menjëherë, mbreti dërgoi një xhelat dhe dha urdhër që të sillej koka e tij. Dhe si shkoi, xhelati ia preu kokën në burg
28 dhe solli kokën e tij mbi sini e ia dha vashës; dhe vasha ia dha nënës së saj.
29 Dhe kur e dëgjuan këtë dishepujt e Gjonit, erdhën dhe e morën kufomën e tij, dhe e vunë në një varr.
30 Dhe u mblodhën apostujt pranë Jezusit dhe i kallëzuan të gjitha sa bënë dhe sa dhanë mësim.
31 Dhe ai u tha atyre: "Ejani tani ju vetë, veçmas, në një vend të shkretë dhe çlodhuni pak" (sepse ata që vinin e shkonin ishin shumë dhe nuk kishin kohë as edhe për të ngrënë).
32 Dhe ata u nisën me varkë në një vend të shkretë, veçmas.
33 Dhe shumë i panë ata duke u larguar dhe i njohën; dhe nga të gjitha qytetet vrapuan tok më këmbë atje e u paraprinë atyre.
34 Dhe si doli nga varka, Jezusi pa një turmë të madhe dhe pati dhembshuri për ta, sepse ishin si dele që nuk kanë bari; dhe filloi që t'u mësonte atyre shumë gjëra.
35 Dhe ndërsa, tashmë, u bë vonë, erdhën pranë tij dishepujt e vet dhe i thoshin: "Vendi është i shkretë dhe tashmë është vonë;
36 lëshoji njerëzit që të shkojnë në katundet dhe fshatrat përreth dhe të blejnë për vete diçka për të ngrënë".
37 Por ai, duke u përgjigjur, u tha: "Jepuni ju për të ngrënë!". Dhe ata i thanë: "A të shkojmë e të blejmë dyqind denarë bukë dhe t'u japim për të ngrënë?".
38 Por ai u tha: "Sa bukë keni? Shkoni e shikoni!". Dhe mbasi e morën vesh sa kishin, thanë: "Pesë bukë dhe dy peshq".
39 Dhe Jezusi u dha urdhër atyre për t'i shtruar të gjithë grupe-grupe mbi barin e gjelbër.
40 Dhe ata zunë vend grumbuj-grumbuj, nga njëqind e nga pesëdhjetë.
41 Dhe Jezusi, si mori pesë bukët dhe dy peshqit, duke ngritur sytë drejt qiellit, bekoi dhe theu bukët në copa, dhe ua jepte dishepujve të vet që t'ua vinin para njerëzve; edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.
42 Dhe të gjithë hëngrën e u ngopën,
43 dhe morën copa buke, dymbëdhjetë mbushje kofinësh; edhe nga peshqit.
44 Dhe ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra.
45 Dhe menjëherë, Jezusi i shtyu dishepujt e tij që të hipnin në varkë dhe t'i paraprinin në anën tjetër, drejt Betsaidas, derisa ai të lëshonte turmën.
46 Dhe si u nda prej tyre, shkoi në mal për t'u lutur.
47 Dhe ndërsa u bë mbrëmje, varka ishte në mes të detit dhe ai i vetëm në tokë.
48 Dhe kur Jezusi i pa ata duke u rraskapitur gjatë vozitjes, sepse era ishte kundër tyre, dhe rreth rojës së katërt të natës, erdhi drejt tyre duke ecur mbi det dhe donte t'i kalonte.
49 Por ata, kur e panë atë duke ecur mbi det, pandehën se ishte fantazmë dhe këlthitën,
50 sepse të gjithë e panë dhe u tronditën. Por ai menjëherë foli me ta dhe u tha: "Kurajë! Unë jam, mos u frikësoni!".
51 Dhe hipi tek ata në varkë, dhe era ra. Dhe ata po shastiseshin së tepërmi në veten e tyre,
52 sepse nuk e kuptuan punën e bukëve, por zemra e tyre ishte ngurtësuar.
53 Dhe kur kaluan matanë në tokë, erdhën në Gjenesaret dhe ndaluan në liman.
54 Dhe kur ata dolën prej varkës, menjëherë njerëzit e njohën Jezusin
55 dhe vrapuan gjithandej tërë asaj krahine, dhe filluan për të mbartur ngado mbi shtroja ata që ishin ligsht, kudo që dëgjonin se ai ishte.
56 Dhe kudo që hynte, në fshatra apo në qytete, apo në katunde, i vendosnin të lënguarit në sheshe dhe i përgjëroheshin që, së paku, të preknin thekun e rrobës së tij; dhe gjithë sa e prekën Jezusin, shpëtoheshin nga sëmundjet.
Të gjithë librat
