Ungjilli sipas Markut 3
1 Dhe Jezusi hyri përsëri në sinagogë, dhe ishte aty një njeri që e kishte dorën të tharë.
2 Dhe po e vëzhgonin Jezusin nëse do ta shëronte atë në shabat, me qëllim që ta paditnin.
3 Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: "Çohu këtu në mes!".
4 Dhe u tha atyre: "A është e lejueshme në shabat të bësh mirë apo të bësh keq, të shpëtosh jetë apo të vrasësh?". Por ata heshtnin.
5 Dhe si i pa rrotull ata me zemërim, duke u pikëlluar për ngurtësimin e zemrës së tyre, i tha njeriut: "Shtrije dorën tënde!". Dhe ai e shtriu, dhe dora e tij u përtëri.
6 Dhe kur dolën, farisenjtë menjëherë nisën të këshilloheshin bashkë me herodianët kundër tij, në mënyrë që ta zhduknin.
7 Dhe Jezusi me dishepujt e tij u tërhoq drejt detit. Dhe një morí e madhe nga Galileja e ndoqi, dhe nga Judeja,
8 dhe nga Jerusalemi, dhe nga Idumeja, dhe nga matanë Jordanit, dhe përreth Tirit e Sidonit; një morí e madhe, duke dëgjuar gjithë sa bënte, erdhi tek ai.
9 Dhe Jezusi u tha dishepujve të tij që të mbahej gati për të një varkë e vogël për shkak të turmës, që të mos e shtypte;
10 sepse ai shëroi shumë veta, aq sa të binin përsipër tij me qëllim që ta preknin gjithë sa kishin vuajtje.
11 Dhe frymërat e ndyra, kur e vërenin, binin përmbys para tij dhe bërtisnin, duke thënë: "Ti je Biri i Perëndisë!".
12 Dhe ai i qortonte rreptë, që të mos e bënin të njohur atë.
13 Dhe Jezusi u ngjit në mal dhe thirri pranë ata që donte vetë; dhe ata shkuan tek ai.
14 Dhe ai caktoi dymbëdhjetë (të cilët edhe i emërtoi apostuj), që të rrinin me të dhe që t'i dërgonte për të predikuar
15 dhe për të pasur pushtet që të dëbojnë demonët.
16 Dhe caktoi të dymbëdhjetët: Simonin (të cilit edhe i vuri emrin Pjetër)
17 dhe Jakobin, të birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e Jakobit (dhe atyre u vuri emrin Boanerges, që domethënë "Bij të bubullimës"),
18 dhe Andrean, dhe Filipin, dhe Bartolomeun, dhe Mateun, dhe Thomain, dhe Jakobin, të birin e Alfeut, dhe Tadeun, dhe Simonin, Zelotin,
19 dhe Judë Iskariotin, i cili edhe e tradhtoi.
20 Dhe Jezusi erdhi në shtëpi, dhe turma u mblodh përsëri, saqë ata as nuk mund të hanin bukë.
21 Dhe kur e dëgjuan këtë familjarët e tij, dolën për ta kapur, sepse thoshin: "Ka dalë mendsh!".
22 Dhe skribët, ata që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: "Ka Beelzebulin!", dhe: "Me kreun e demonëve i dëbon demonët".
23 Dhe Jezusi i thirri pranë dhe nisi t'u thoshte me shëmbëlltyra: "Si mundet Satani të dëbojë Satanin?
24 Dhe po të ndahet një mbretëri kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.
25 Dhe po të ndahet një shtëpi kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk do të mund të qëndrojë.
26 Dhe nëse Satani u ngrit kundër vetvetes dhe u nda, nuk mund të qëndrojë, por ka marrë fund.
27 Por askush, kur hyn në shtëpinë e të fortit, nuk mund t'i grabitë sendet e tij, po të mos ketë lidhur së pari të fortin; dhe atëherë do ta grabitë shtëpinë e tij.
28 Me të vërtetë po ju them se të gjitha mëkatimet dhe blasfemitë do t'u falen bijve të njerëzve, gjithë sa të blasfemojnë,
29 por cilido që të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë, nuk ka falje përjetë, por është fajtor mëkatimi të përjetshëm".
30 (Sepse thoshin: "Ka një frymë të ndyrë.")
31 Dhe erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij; dhe duke qëndruar jashtë, dërguan njerëz tek ai që ta thërrasin.
32 Dhe rreth tij rrinte ulur një turmë, dhe i thanë: "Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë".
33 Dhe duke iu përgjigjur atyre, tha: "Kush është nëna ime dhe vëllezërit e mi?".
34 Dhe si pa rrotull ata rreth tij që rrinin ulur përqark, tha: "Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!
35 Sepse cilido që të bëjë vullnetin e Perëndisë, ky më është vëlla dhe motër, dhe nënë".
Të gjithë librat
