Ungjilli sipas Markut 16
1 Dhe ndërsa kaloi shabati, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë përbërës erëmirë, që të vinin dhe të vajosnin trupin.
2 Dhe shumë herët në mëngjes, të parën ditë të javës, ato erdhën te varri sapo lindi dielli.
3 Dhe thoshin me njëra-tjetrën: "Kush do ta rrokullisë për ne gurin prej hyrjes së varrit?".
4 Dhe kur ngritën sytë, vunë re se guri ishte rrokullisur (se ai ishte jashtëzakonisht i madh).
5 Dhe si hynë në varr, panë një djalosh që rrinte ulur në të djathtë, mbështjellë me një petk të bardhë, dhe u trembën.
6 Por ai u tha atyre: "Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin, nazaretasin, atë që ishte kryqëzuar. U ngjall, nuk është këtu! Ja vendi ku e vunë!
7 Por shkoni, u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ju paraprin në Galile. Atje do ta shikoni atë, ashtu siç ju tha".
8 Dhe ato dolën e ikën nga varri, sepse i zuri një drithërimë e shastisje; dhe askujt nuk i thanë asgjë, sepse kishin frikë.
9 [Tani, kur u ringjall, herët në mëngjes, ditën e parë të javës, iu shfaq së pari Maria Magdalenës, nga e cila kishte dëbuar shtatë demonë.
10 Ajo, si shkoi, njoftoi ata që kishin qenë me Jezusin dhe që ishin duke vajtuar e duke qarë.
11 Dhe ata, kur dëgjuan se ai jeton dhe që u pa nga ajo, nuk besuan.
12 Dhe mbas këtyre gjërave, iu shfaq në trajtë të ndryshme dy prej atyre, ndërsa ishin duke ecur e duke shkuar në katund.
13 Dhe ata shkuan dhe njoftuan të tjerët; por as atyre nuk u besuan.
14 Dhe më pas iu shfaq të njëmbëdhjetëve vetë, që ishin shtruar për të ngrënë, dhe qortoi mosbesimin e tyre dhe zemërngurtësinë e tyre, sepse nuk u besuan atyre që e panë atë pasi ishte ngjallur prej të vdekurve.
15 Dhe u tha atyre: "Shkoni në të gjithë botën dhe predikojini ungjillin gjithë krijimit.
16 Ai që besoi dhe u pagëzua, do të shpëtohet; por ai që nuk besoi, do të dënohet.
17 Dhe këto shenja do t'i shoqërojnë ata që besuan: në emrin tim do të dëbojnë demonë, do të flasin gjuhë të reja,
18 do të kapin gjarpërinj; dhe po të pinë diçka vdekjeprurëse, nuk do t'u bëjë dëm aspak; do të vënë duar mbi të sëmurë dhe këta do të bëhen mirë".
19 Kështu, pra, Zoti Jezus, mbasi u foli atyre, u mor lart në qiell dhe u ul në të djathtë të Perëndisë.
20 Dhe ata dolën e predikuan gjithandej, ndërsa Zoti bashkëvepronte me ta dhe e vërtetonte fjalën nëpërmjet shenjave që i ndiqnin. Amen.]
Të gjithë librat
