Ungjilli sipas Markut 13
1 Dhe ndërsa ai po dilte prej tempullit, një nga dishepujt e tij i tha: "Mësues, shiko çfarë gurësh e çfarë ndërtesash!".
2 Dhe Jezusi i tha: "I sheh këto ndërtesat e mëdha? Nuk do të lihet fare këtu gur mbi gur që nuk do të rrëzohet krejt".
3 Dhe ndërsa ai po rrinte ulur në Malin e Ullinjve, kundruall tempullit, Pjetri dhe Jakobi, dhe Gjoni e Andrea nisën ta pyesnin veçmas:
4 "Na thuaj kur do të ngjasin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur kanë për t'u përfunduar të gjitha këto?".
5 Dhe Jezusi filloi t'u thotë atyre: "Kini kujdes të mos ju mashtrojë kush!
6 Shumë do të vijnë për llogari të emrit tim duke thënë: 'Unë jam', dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
7 Dhe kur të dëgjoni për luftëra e ushtima luftërash, mos u alarmoni; këto gjëra duhet të ndodhin, por ende nuk është fundi.
8 Sepse do të çohet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie. Do të ketë tërmete nëpër vende të ndryshme; do të ketë zi buke. Këto do të jenë fillimi i dhimbjeve të lindjes.
9 Por ju kini kujdes për veten tuaj! Do t'ju dorëzojnë në sinedra dhe do të rriheni në sinagoga; dhe do të qëndroni para qeveritarëve dhe mbretërve për shkakun tim, për dëshmi ndaj tyre.
10 Dhe së pari duhet të predikohet ungjilli në të gjitha kombet.
11 Dhe kur t'ju çojnë për t'ju dorëzuar në gjyq, mos u shqetësoni paraprakisht se çfarë të flisni, por çfarëdo që t'ju jepet në atë çast, këtë flisni; sepse nuk jeni ju ata që flasin, por Fryma e Shenjtë.
12 Dhe do ta dorëzojë vëllai vëllain për vdekje dhe ati fëmijën; dhe do të ngrihen fëmijët kundër prindërve dhe do t'i çojnë në vdekje.
13 Dhe do të jeni të urryer nga të gjithë, për shkak të emrit tim; por ai që ngulmoi deri në fund, ky do të shpëtohet.
14 Por kur të shikoni neverinë e shkretimit duke qëndruar aty ku nuk duhet (ai që lexon, të kuptojë), atëherë ata në Judé duhet të ikin në male;
15 dhe ai mbi tarracë mos të zbresë dhe mos të hyjë për të marrë diçka prej shtëpisë së vet,
16 dhe ai në arë mos të kthehet mbrapa për të marrë rrobën e vet.
17 Por mjerë ato gra që kanë fëmijë në bark dhe ato që mëndin foshnja në ato ditë!
18 Por lutuni që të mos ndodhë në dimër;
19 sepse ato ditë do të jenë një mundim i atillë sa nuk ka ndodhur si ai që nga fillimi i krijimit, të cilin e krijoi Perëndia, e deri tani, dhe nuk do të ndodhë më.
20 E sikur të mos i shkurtonte Zoti ato ditë, nuk do të shpëtohej asnjë mish; po për shkak të të zgjedhurve të cilët i zgjodhi, i shkurtoi ato ditë.
21 Dhe atëherë, po t'ju thotë kush: 'Ja, këtu është Krishti!' apo 'Ja, atje!', mos e besoni;
22 sepse do të ngrihen krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të paraqesin shenja e çudira për të mashtruar, nëse është e mundur, të zgjedhurit.
23 Por ju kini kujdes! Ja, jua kam parathënë të gjitha.
24 Por në ato ditë, mbas atij mundimi, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë ndriçimin e saj,
25 dhe yjet do të jenë duke rënë prej qiellit, dhe fuqitë që janë në qiej do të tunden.
26 Dhe atëherë do ta shikojnë Birin e Njeriut duke ardhur në re me fuqi të madhe dhe lavdi.
27 Dhe atëherë ai do të dërgojë engjëjt dhe do të mbledhë bashkë të zgjedhurit e tij prej të katër erërave, nga skaji i tokës deri te skaji i qiellit.
28 Tani, mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur dega e tij të jetë bërë tashmë e njomë dhe të nxjerrë gjethet, ju e dini se vera është afër.
29 Kështu edhe ju, kur t'i shikoni këto gjëra duke ndodhur, ta dini se është afër, te dera.
30 Me të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë aspak, derisa këto të gjitha të ndodhin.
31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë kurrë.
32 Por sa për atë ditë apo orë asnjë nuk e di, as edhe engjëjt në qiell, dhe as Biri, përveçse Ati.
33 Kini kujdes, vigjiloni dhe lutuni, sepse nuk e dini kur është koha.
34 Është si një njeri i nisur për larg, që la shtëpinë e vet dhe u dha skllevërve të tij pushtet, secilit punën e vet, dhe derëtarin e urdhëroi që të rrijë zgjuar.
35 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë: a në mbrëmje, a në mesnatë, a në këndim të gjelit, a herët në mëngjes;
36 se mos, duke ardhur papritur, ai t'ju gjejë duke fjetur.
37 Tani, atë që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!".
Të gjithë librat
