Ungjilli sipas Markut 12
1 Dhe filloi që t'u flasë atyre me shëmbëlltyra: "Një njeri mbolli një vresht dhe i vuri përreth një gardh, dhe gërmoi një gropë për vençë, dhe ndërtoi një pirg, dhe ua dha me qira disa bujqve, dhe shtegtoi.
2 Dhe në kohën e të vjelave dërgoi te bujqit një skllav, që të merrte nga bujqit prej fryteve të vreshtit.
3 Dhe ata e kapën, e rrahën dhe e dërguan me duar bosh.
4 Dhe ai përsëri dërgoi tek ata një tjetër skllav; edhe atë e goditën në kokë dhe e çnderuan.
5 Dërgoi edhe një tjetër; edhe atë e vranë. Kështu edhe me shumë të tjerë: disa duke i rrahur, disa duke i vrarë.
6 Kishte ende një bir të vetëm të dashur; atë e dërgoi të fundit tek ata, duke thënë: "Do të kenë respekt për birin tim".
7 Por ata bujq thanë me njëri-tjetrin: 'Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe trashëgimia do të jetë e jona!'.
8 Dhe si e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.
9 Çfarë do të bëjë, pra, i zoti i vreshtit?! Do të vijë dhe do t'i shkatërrojë bujqit, dhe do t'ua japë vreshtin të tjerëve.
10 As edhe këtë Shkrim nuk e lexuat: 'Guri të cilin e hodhën poshtë ndërtuesit, ky u bë gur këndi;
11 nga Zoti u bë kjo, dhe është e mrekullueshme në sytë tanë'".
12 Dhe ata kërkonin që ta kapnin, por patën frikë turmën, sepse e kuptuan që e tha për ta shëmbëlltyrën. Dhe duke e lënë, u larguan.
13 Dhe dërguan tek ai disa farisenj dhe herodianë, që ta zinin në fjalë.
14 Dhe ata erdhën e i thanë: "Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe nuk do t'ia dish për asnjë, sepse ti nuk sheh pamjen e njerëzve, por mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë. A është e lejueshme për t'i dhënë taksë Cezarit apo jo? Ta japim, apo të mos e japim?".
15 Por ai, duke e ditur shtirjen e tyre, u tha: "Pse më sprovoni? Më sillni një denar që ta shikoj".
16 Dhe ata ia sollën. Dhe ai u tha: "E kujt është kjo figurë dhe mbishkrimi?". Dhe ata i thanë: "Të Cezarit".
17 Dhe Jezusi u tha: "Ato që janë të Cezarit, jepjani Cezarit, dhe ato që janë të Perëndisë, jepjani Perëndisë". Dhe ata mrekulloheshin krejt me të.
18 Dhe erdhën tek ai disa saducenj (të cilët thonë se nuk ka ringjallje), dhe nisën ta pyesnin duke thënë:
19 "Mësues, Moisiu shkroi për ne se po të vdesë vëllai i dikujt dhe të lërë pas gruan, por të mos lërë fëmijë, duhet që i vëllai ta marrë për grua dhe t'i lindë pasardhës të vëllait.
20 Tani, ishin shtatë vëllezër dhe i pari mori një grua, dhe kur vdiq, nuk la pasardhës.
21 Edhe i dyti e mori atë për grua dhe vdiq duke mos lënë pas pasardhës; edhe i treti po ashtu.
22 Dhe të shtatët nuk lanë pasardhës. Në fund fare edhe gruaja vdiq.
23 Në ringjallje, kur të ringjallen, gruaja e cilit nga ata do të jetë? Sepse të shtatët e patën grua".
24 Jezusi u tha: "A nuk është për këtë arsye që gaboheni: ngaqë nuk i njihni Shkrimet dhe as fuqinë e Perëndisë?
25 Sepse kur njerëzit të ringjallen prej të vdekurve, as martohen, as jepen në martesë, por janë si engjëj në qiej.
26 Por rreth të vdekurve, se ata ngjallen, a nuk e lexuat në Librin e Moisiut, te pjesa për ferrishtën, si i foli atij Perëndia, duke thënë: 'Unë jam Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit'?
27 Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve. Gaboheni rëndë!".
28 Dhe kur erdhi pranë një nga skribët, si i dëgjoi ata duke u rragatur dhe si pa se Jezusi iu përgjigj mirë atyre, e pyeti: "Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?".
29 Jezusi u përgjigj: "I pari është: 'Dëgjo, Izrael! Zoti, Perëndia ynë, Zoti është një;
30 dhe do ta duash Zotin, Perëndinë tënd, prej tërë zemrës sate dhe prej tërë shpirtit tënd, dhe prej tërë mendjes sate, dhe prej tërë forcës sate.'
31 I dyti është ky: 'Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde.' Më të madh se këto, tjetër urdhërim nuk ka".
32 Dhe skribi i tha: "Mirë, mësues. The sipas së vërtetës, që një është Zoti dhe nuk ka tjetër përveç tij;
33 dhe që ta duash atë prej tërë zemrës dhe prej tërë të kuptuarit, dhe prej tërë forcës, dhe që ta duash të afërmin si vetveten, është më tepër se të gjitha shkrumbimet dhe flijimet".
34 Dhe Jezusi, kur e pa se u përgjigj me mend, i tha: "Nuk je larg nga Mbretëria e Perëndisë". Dhe asnjë nuk guxonte më për ta pyetur.
35 Dhe si mori fjalën, Jezusi tha duke mësuar në tempull: "Si thonë skribët se Krishti është bir i Davidit?
36 Vetë Davidi tha në Frymën e Shenjtë: 'I tha Zoti Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu poshtë këmbëve të tua.'
37 Vetë Davidi i thotë atij Zot; e si është bir i tij?". Dhe një turmë e madhe e dëgjonte me ëndje.
38 Dhe në mësimin e tij thoshte: "Kini kujdes nga skribët, që u pëlqen të ecin me petka të gjata dhe pëlqejnë përshëndetjet në sheshe,
39 dhe ndenjëset e para në sinagoga, dhe kryevendet në darka;
40 ata që përpijnë shtëpitë e vejushave dhe që luten gjatë për shtirje. Këta do të marrin gjykim më të rëndë".
41 Dhe kur Jezusi u ul kundruall arkës së ofertës, vërente se si turma hidhte pará në arkën e ofertës; dhe shumë të pasur hidhnin shumë.
42 Dhe kur erdhi një vejushë e varfër, hodhi dy të holla bakri (që është një kuadrant).
43 Dhe si thirri pranë dishepujt e tij, u tha: "Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se të gjithë ata që hedhin në arkën e ofertës.
44 Sepse të gjithë hodhën prej tepricës së tyre, ndërsa kjo, prej skamjes së saj, hodhi të gjitha sa kishte, tërë të ardhurat për jetesën e vet".
Të gjithë librat
