Ungjilli sipas Markut 11
1 Dhe kur iu afruan Jerusalemit, në Betfagë dhe Betani, pranë Malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy nga dishepujt e tij
2 dhe u tha: "Shkoni në fshatin kundruall jush dhe menjëherë, duke hyrë në të, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk u ul ende asnjë njeri. Zgjidheni dhe silleni.
3 Dhe po t'ju thotë kush: 'Pse po e bëni këtë?', thoni: 'Zotëria ka nevojë për të dhe menjëherë do ta kthejë përsëri këtu'".
4 Dhe ata shkuan dhe gjetën një kërriç të lidhur te dera, jashtë në rrugë, dhe e zgjidhën.
5 Dhe disa nga të pranishmit aty u thanë: "Çfarë po bëni duke zgjidhur kërriçin?".
6 Dhe ata u thanë ashtu siç tha Jezusi; dhe këta i lejuan.
7 Dhe e sollën kërriçin te Jezusi, dhe i vunë sipër rrobat e tyre; dhe Jezusi u ul mbi të.
8 Dhe shumë veta shtruan rrobat e tyre në rrugë, ndërsa të tjerë shtruan degë me gjethe të prera prej arave.
9 Dhe ata që shkonin para e ata që vinin pas, thërrisnin: "Hosana! I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit!
10 E bekuar është mbretëria që vjen e atit tonë David! Hosana në shumë të lartat vende!".
11 Dhe Jezusi hyri në Jerusalem, në tempull. Dhe kur pa përqark të gjitha gjërat, duke qenë tashmë ora e mbrëmjes, doli drejt Betanisë me të dymbëdhjetët.
12 Dhe të nesërmen, ndërsa ata dolën nga Betania, Jezusin e mori uria.
13 Dhe kur pa nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi të shihte nëse ndoshta do të gjente diçka në të. Dhe kur arriti tek ai, nuk gjeti asgjë, përveçse gjethe, sepse nuk ishte koha e fiqve.
14 Dhe duke iu kthyer fikut, i tha: "Mos ngrëntë më askush frutë prej teje, përjetë!". Dhe dishepujt e tij po dëgjonin.
15 Dhe erdhën në Jerusalem. Dhe kur Jezusi hyri në tempull, filloi të dëbonte ata që shisnin dhe ata që blinin në tempull, dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të monedhave dhe ndenjëset e atyre që shisnin pëllumba;
16 dhe nuk lejonte që ndokush të mbartte ndonjë send nëpër tempull.
17 Dhe nisi të mësonte, dhe u thoshte atyre: "A nuk është shkruar: 'Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjitha kombet'? Por ju e bëtë një shpellë kusarësh."
18 Dhe kryepriftërinjtë dhe skribët e dëgjuan këtë dhe kërkonin si ta zhduknin, sepse i frikësoheshin atij, se e gjithë turma mahnitej nga mësimi i tij.
19 Dhe kur u bë mbrëmje, dolën jashtë qytetit.
20 Dhe herët në mëngjes, duke kaluar andej, dishepujt panë fikun të tharë prej rrënjësh.
21 Dhe Pjetri, duke u kujtuar, i tha Jezusit: "Rabbi! Ja, fiku që mallkove, është tharë".
22 Dhe duke u përgjigjur, Jezusi u tha atyre: "Kini besim në Perëndinë!
23 Me të vërtetë po ju them se cilido që t'i thotë këtij mali 'ngrihu e hidhu në det!' dhe të mos dyshojë në zemrën e vet, por të besojë se çfarë flet ndodh, do të bëhet për të.
24 Për këtë arsye po ju them: Për të gjitha sa luteni dhe kërkoni, besoni se i morët, dhe do të bëhen për ju.
25 Dhe kurdo që qëndroni duke u lutur, falni, nëse keni diçka kundër ndokujt, që edhe Ati juaj që është në qiej t'ju falë shkeljet tuaja.
26 [Por nëse ju nuk falni, as Ati juaj që është në qiej nuk do t'i falë shkeljet tuaja".]
27 Dhe erdhën përsëri në Jerusalem. Dhe ndërsa Jezusi po ecte në tempull, erdhën tek ai kryepriftërinjtë dhe skribët, dhe pleqtë;
28 dhe i thoshin: "Me çfarë pushteti i bën këto gjëra? Apo kush ta dha këtë pushtet, që të bësh këto gjëra?".
29 Dhe Jezusi u tha: "Do t'ju pyes edhe unë një gjë dhe m'u përgjigjni, e atëherë do t'ju them se me çfarë pushteti i bëj këto gjëra.
30 Pagëzimi i Gjonit ishte prej qiellit apo prej njerëzve? M'u përgjigjni!".
31 Dhe ata diskutonin me njëri-tjetrin, duke thënë: "Po të themi 'prej qiellit', do të thotë: 'Përse, pra, nuk i besuat?',
32 por po të themi 'prej njerëzve'?" (ata i frikësoheshin turmës, sepse të gjithë e mbanin Gjonin se ishte vërtet profet).
33 Dhe duke iu përgjigjur Jezusit, thanë: "Nuk e dimë!". Dhe Jezusi u tha: "As unë nuk ju them me çfarë pushteti i bëj këto gjëra".
Të gjithë librat
