Ungjilli sipas Markut 10
1 Dhe kur u ngrit prej aty, Jezusi erdhi në kufijtë e Judesë dhe matanë Jordanit; dhe përsëri shkuan tok turmat tek ai, dhe siç e kishte zakon, përsëri nisi t'i mësonte ato.
2 Dhe disa farisenj erdhën pranë dhe, duke e sprovuar, nisën ta pyesnin nëse është e lejueshme për burrin që ta lëshojë gruan.
3 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: "Çfarë ju urdhëroi Moisiu?".
4 Dhe ata thanë: "Moisiu lejoi që të shkruhet një dokument i dëshmisë së divorcit dhe të lëshohet."
5 Por Jezusi u tha: "Për shkak të zemërngurtësisë suaj jua shkroi këtë urdhërim,
6 por nga fillimi i krijimit Perëndia i bëri ata mashkull dhe femër.
7 Për këtë arsye do të lërë njeriu atin e tij dhe nënën,
8 dhe do të jenë të dy një mish i vetëm. Kështu që, nuk janë më dy, por një mish i vetëm.
9 Prandaj, çfarë Perëndia e bëri çift, njeriu mos ta ndajë".
10 Dhe në shtëpi dishepujt nisën ta pyesnin përsëri rreth kësaj çështjeje.
11 Dhe Jezusi u tha: "Cilido që ta lëshojë gruan e vet dhe të martohet me një tjetër, bën kurorëshkelje ndaj saj.
12 Dhe ajo që lëshon burrin e vet, po të martohet me një tjetër, bën kurorëshkelje".
13 Dhe njerëzit po i sillnin pranë Jezusit disa fëmijë, me qëllim që t'i prekte; por dishepujt i qortuan ata që i sollën.
14 Por kur e pa këtë, Jezusi u pezmatua dhe u tha atyre: "I lini fëmijët që të vijnë tek unë dhe mos i pengoni ata, sepse e të tillëve është Mbretëria e Perëndisë.
15 Me të vërtetë po ju them: cilido që të mos e pranojë Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë fare në të".
16 Dhe si i mori ata në krahë, nisi t'i bekonte duke vënë duart mbi ta.
17 Dhe ndërsa Jezusi doli për rrugë, njëri vrapoi drejt tij dhe, duke u gjunjëzuar, nisi ta pyeste: "O mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme?".
18 Dhe Jezusi i tha: "Pse më thua i mirë? Asnjë nuk është i mirë, në mos një: Perëndia!
19 Urdhërimet ti i di: 'të mos vrasësh, të mos bësh kurorëshkelje, të mos vjedhësh, të mos bësh dëshmi të rreme, të mos bësh hile, ndero atin tënd dhe nënën'".
20 Por ai i tha: "Mësues, këto të gjitha i zbatova qysh prej rinisë sime".
21 Dhe Jezusi, duke ia ngulur sytë, e deshi dhe i tha: "Një gjë të mungon: shko dhe shit gjithë sa ke dhe jepua të varfërve, dhe do të kesh një thesar në qiell; dhe eja e më ndiq".
22 Por ai u vrenjt për këtë fjalë dhe u largua i trishtuar, sepse kishte prona të shumta.
23 Dhe duke parë rrotull, Jezusi u tha dishepujve të tij: "Sa me vështirësi do të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë ata që kanë pasuri!".
24 Dhe dishepujt po mahniteshin nga fjalët e tij. Por Jezusi, duke marrë fjalën përsëri, u tha: "Bij, sa e vështirë është për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë!
25 Më e lehtë është që një deve të kalojë përmes një vrime gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë".
26 Dhe ata po çuditeshin tej mase, duke i thënë atij: "E kush mundet për t'u shpëtuar?".
27 Duke ua ngulur sytë atyre, Jezusi tha: "Për njerëzit është e pamundshme, por jo për Perëndinë, sepse të gjitha janë të mundshme për Perëndinë".
28 Pjetri filloi t'i thoshte: "Ja, ne i lamë të gjitha dhe të kemi ndjekur."
29 Jezusi tha: "Me të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që la shtëpi apo vëllezër, apo motra, apo nënë, apo atë, apo fëmijë, apo ara për shkakun tim dhe të ungjillit,
30 që të mos marrë njëqindfish tani, në këtë kohë, shtëpi dhe vëllezër, dhe motra, dhe nëna, dhe fëmijë, dhe ara, bashkë me përndjekje; dhe në epokën që vjen, jetë të përjetshme.
31 Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe të fundit të parë".
32 Tani, ata ishin gjatë rrugës duke u ngjitur në Jerusalem dhe Jezusi po u paraprinte; dhe ata ishin të mahnitur, ndërsa ata që vinin pas ishin të frikësuar. Dhe duke i marrë pranë përsëri të dymbëdhjetët, Jezusi filloi që t'u thoshte atyre gjërat që do t'i ngjanin atij:
33 "Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i Njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve, dhe do ta dënojnë me vdekje, dhe do t'ua dorëzojnë paganëve.
34 Dhe ata do të tallen me të, dhe do ta pështyjnë, dhe do ta fshikullojnë, dhe do ta vrasin; dhe mbas tri ditësh do të ringjallet".
35 Dhe erdhën pranë tij Jakobi dhe Gjoni, bijtë e Zebedeut, duke i thënë: "Mësues, duam që çfarëdo të të kërkojmë, ta bësh për ne".
36 Dhe ai u tha: "Çfarë doni të bëj për ju?".
37 Dhe ata i thanë: "Na lër që të ulemi njëri nga e djathta jote dhe tjetri nga e majta jote në lavdinë tënde".
38 Por Jezusi u tha: "Ju nuk dini çfarë kërkoni! A mund ta pini kupën të cilën unë pi, apo të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë pagëzohem?".
39 Dhe ata i thanë: "Mundemi!". Dhe Jezusi u tha: "Kupën të cilën unë pi, do ta pini; edhe me pagëzimin me të cilin unë pagëzohem, do të pagëzoheni;
40 por të ulurit nga e djathta ime apo nga e majta, nuk më takon mua për ta dhënë, por është për ata të cilëve u është përgatitur".
41 Dhe kur e dëgjuan këtë, të dhjetët filluan të pezmatohen me Jakobin dhe Gjonin.
42 Dhe si i thirri pranë, Jezusi u tha: "Ju e dini se ata që mbahen se sundojnë kombet, ushtrojnë zotërim mbi to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to.
43 Por nuk është kështu ndër ju; përkundrazi, cilido që të dojë për t'u bërë i madh ndër ju, duhet të jetë shërbëtori juaj,
44 dhe cilido që të dojë ndër ju për të qenë i parë, duhet të jetë skllav i të gjithëve.
45 Sepse edhe Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, po për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e vet si shpërblesë në vend të shumë vetave".
46 Dhe erdhën në Jeriko. Dhe ndërsa ai po dilte nga Jerikoja, si dhe dishepujt e tij dhe një turmë mjaft e madhe, Bartimeu, biri i Timeut, një lypës i verbër, rrinte ulur ndanë rrugës.
47 Dhe kur dëgjoi se ishte Jezus nazaretasi, filloi të bërtasë e të thotë: "O Bir i Davidit, Jezus, ki mëshirë për mua!".
48 Dhe shumë njerëz e qortonin që të heshtte, por ai bërtiste edhe më tepër: "O Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!".
49 Dhe duke ndaluar, Jezusi tha: "Thirreni!". Dhe e thirrën të verbrin, duke i thënë: "Kurajë, çohu! Po të thërret."
50 Dhe ai, si hodhi tej rrobën e vet, duke brofur erdhi te Jezusi.
51 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, tha: "Çfarë dëshiron të bëj për ty?". Dhe i verbri i tha: "Rabbuni, që të shoh sërish!".
52 Dhe Jezusi i tha: "Shko! Besimi yt të ka shpëtuar!". Dhe menjëherë ai pa sërish dhe e ndiqte Jezusin gjatë rrugës.
Të gjithë librat
