Ungjilli sipas Markut 1
1 Fillimi i ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.
2 Ashtu siç është shkruar në profetin Isaia: "Ja, po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate, i cili do të bëjë gati udhën tënde.
3 Zëri i njërit që klith në shkreti: 'Përgatitni udhën e Zotit; të drejta bëjini shtigjet e tij!'",
4 doli Gjoni, ai që pagëzonte në shkreti dhe që predikonte një pagëzim pendimi për falje të mëkateve.
5 Dhe dilte drejt tij e gjithë krahina e Judesë dhe të gjithë banorët e Jerusalemit, dhe pagëzoheshin nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
6 Dhe Gjoni ishte veshur me veshje prej leshi deveje dhe mbante një brez të lëkurtë rreth ijëve, dhe hante karkaleca e mjaltë të egër.
7 Dhe predikonte duke thënë: "Po vjen mbas meje ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë të përkulem që t'i zgjidh lidhësen e sandaleve të tij.
8 Unë ju pagëzova në ujë, por ai do t'ju pagëzojë në Frymën e Shenjtë".
9 Dhe ndodhi në ato ditë që erdhi Jezusi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua në Jordan nga Gjoni.
10 Dhe menjëherë, duke dalë prej ujit, pa qiejt duke u ndarë dhe Frymën duke zbritur si pëllumb mbi të.
11 Dhe një zë erdhi prej qiejve: "Ti je Biri im, i Dashuri; në ty gjeta pëlqim!".
12 Dhe menjëherë Fryma e nxori në shkreti.
13 Dhe ishte në shkreti dyzet ditë duke u tunduar nga Satani, dhe ishte me bishat; dhe engjëjt i shërbenin.
14 Tani, mbasi Gjoni u arrestua, erdhi Jezusi në Galile duke predikuar ungjillin e Perëndisë
15 dhe duke thënë: "Është plotësuar koha dhe është afruar Mbretëria e Perëndisë. Pendohuni dhe besoni në ungjillin!".
16 Dhe duke kaluar ndanë Detit të Galilesë, pa Simonin dhe Andrean, vëllain e Simonit, duke hedhur qark rrjetat në det, sepse ishin peshkatarë.
17 Dhe Jezusi u tha atyre: "Ejani mbas meje dhe do t'ju bëj peshkatarë njerëzish".
18 Dhe menjëherë lanë rrjetat dhe e ndoqën.
19 Dhe duke vijuar pak më tej, pa Jakobin, të birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e tij; dhe ata ishin në varkë duke ndrequr rrjetat.
20 Dhe menjëherë i thirri, dhe ata lanë të atin, Zebedeun, në varkë me mëditësit dhe shkuan mbas tij.
21 Dhe ata hynë në Kafarnaum. Dhe menjëherë, në shabat, si hyri Jezusi në sinagogë, nisi të jepte mësim.
22 Dhe njerëzit mahniteshin nga mësimi i tij, sepse ishte duke i mësuar si një që ka pushtet e jo si skribët.
23 Dhe aty për aty ishte në sinagogën e tyre një njeri me frymë të ndyrë, dhe ai këlthiti
24 duke thënë: "Çfarë ka mes nesh dhe teje, o Jezus nazaretas? Erdhe për të na shkatërruar? E di kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!".
25 Dhe Jezusi e qortoi, duke thënë: "Mbylle gojën dhe dil prej tij!".
26 Dhe fryma e ndyrë, duke e shkundur dhe duke thirrur me zë të lartë, doli prej tij.
27 Dhe të gjithë u mahnitën, aq sa të pyesnin njëri-tjetrin, duke thënë: "Çfarë është kjo?! Një mësim i ri me pushtet! Edhe frymërave të ndyra u jep urdhër, dhe ato i binden!".
28 Dhe jehona për të doli menjëherë gjithandej, në tërë rrethinën e Galilesë.
29 Dhe menjëherë, mbasi dolën prej sinagogës, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, bashkë me Jakobin dhe Gjonin.
30 Tani, vjehrra e Simonit dergjej me ethe, dhe menjëherë i thanë Jezusit për të.
31 Dhe si iu afrua Jezusi, e çoi duke i kapur dorën. Dhe ethet e lanë, dhe ajo nisi t'u shërbente atyre.
32 Tani, ndërsa u bë mbrëmje, kur perëndoi dielli, vazhdonin të sillnin tek ai të gjithë ata që ishin ligsht dhe ata që ishin të demonizuar.
33 Dhe tërë qyteti ishte mbledhur te dera.
34 Dhe ai shëroi shumë që ishin ligsht me sëmundje të çfarëdollojshme, dhe shumë demonë i dëboi. Dhe nuk i lejonte demonët që të flisnin, sepse e dinin kush ishte ai.
35 Dhe herët në mëngjes, ndërsa ishte tepër errësirë, Jezusi u ngrit dhe doli e shkoi në një vend të shkretë, dhe atje lutej.
36 Dhe iu vunë ta kërkonin Simoni dhe ata që ishin me të.
37 Dhe e gjetën e i thanë: "Të gjithë po të kërkojnë".
38 Dhe ai u tha atyre: "Të shkojmë tjetërkund, në qytezat që janë afër, që edhe atje të predikoj, sepse për këtë dola".
39 Dhe ai shkoi duke predikuar në sinagogat e tyre nëpër tërë Galilenë, dhe duke dëbuar demonët.
40 Dhe erdhi tek ai një i lebrosur, duke iu përgjëruar dhe duke u gjunjëzuar e duke i thënë: "Po të duash, mund të më pastrosh!".
41 Dhe Jezusi, duke pasur dhembshuri, e zgjati dorën dhe e preku, dhe i tha: "Dua. Pastrohu!".
42 Dhe menjëherë lebra u largua nga ai, dhe u pastrua.
43 Dhe duke iu drejtuar rreptë, menjëherë e nxori jashtë
44 dhe i tha: "Shiko, të mos i thuash askujt asgjë, por shko e tregoja veten tënde priftit dhe ofro për pastrimin tënd ato që urdhëroi Moisiu, si dëshmi për ta".
45 Por ai, si doli, filloi që ta shpallte gjithandej dhe ta përhapte fjalën, aq sa Jezusi nuk mund të hynte më haptas në qytet, por rrinte jashtë në vende të shkreta; dhe vinin tek ai njerëz nga çdo anë.
Të gjithë librat
