Ungjilli sipas Lukës 23
1 Dhe gjithë moria e tyre u ngrit dhe e çoi Jezusin te Pilati.
2 Dhe filluan ta paditnin duke thënë: "Këtë e gjetëm duke mbrapshtuar kombin dhe duke penguar që t'i jepen haraçe Cezarit, si dhe duke thënë se ai vetë është Krishti mbret".
3 Dhe Pilati e pyeti duke thënë: "Ti je mbreti i judenjve?". Dhe ai, duke iu përgjigjur, tha: "Ti po e thua!".
4 Dhe Pilati u tha kryepriftërinjve dhe turmave: "Nuk gjej asnjë shkak padie në këtë njeri".
5 Por ata ngulnin këmbë duke thënë: "Ai ndërsen popullin duke mësuar nëpër tërë Judenë, duke filluar nga Galileja deri këtu".
6 Tani, kur Pilati dëgjoi për Galilenë, pyeti nëse ky njeri ishte galileas;
7 dhe kur mori vesh se ishte prej krahinës nën pushtetin e Herodit, e dërgoi mbrapsht te Herodi, meqenëse edhe ai ishte në Jerusalem në ato ditë.
8 Tani, Herodi, kur e pa Jezusin, u gëzua së tepërmi, sepse prej shumë kohësh kishte dashur ta shikonte, ngaqë kishte dëgjuar shumë gjëra rreth tij dhe shpresonte të shikonte ndonjë shenjë të bërë nga ai.
9 Dhe Herodi e pyeste me shumë fjalë, por ai nuk iu përgjigj fare.
10 Dhe aty po qëndronin edhe kryepriftërinjtë dhe skribët, duke e paditur furishëm.
11 Dhe si Herodi e përbuzi bashkë me ushtarët e vet, dhe si e talli, duke e mbështjellë me një veshje shkëlqyese, e dërgoi mbrapsht te Pilati.
12 Tani, Pilati dhe Herodi u bënë miq me njëri-tjetrin në atë ditë, sepse më përpara kishin qenë në armiqësi me njëri-tjetrin.
13 Dhe Pilati, duke thirrur bashkë kryepriftërinjtë dhe krerët, si dhe popullin,
14 u tha atyre: "Sollët tek unë këtë njeri si një që largon popullin nga udha dhe ja, pasi unë e hetova përpara jush, nuk gjeta në këtë njeri asnjë shkak padie për të cilat ngrini padi kundër tij.
15 Por as edhe Herodi, sepse ju dërgova mbrapsht tek ai, dhe ja, nuk është kryer nga ai asgjë që meriton vdekje.
16 Prandaj, pasi ta ndëshkoj, do ta liroj".
17 Tani, Pilati e kishte për detyrë t'u lironte atyre një të burgosur për festë.
18 Por ata këlthitën njëherësh, duke thënë: "Hiqe këtë dhe na liro Barabën!".
19 (Ky ishte hedhur në burg për shkak të një kryengritjeje që kishte ndodhur në qytet dhe për vrasje.)
20 Prandaj përsëri Pilati ngriti zërin drejt tyre, duke dashur të lironte Jezusin.
21 Por ata bërtisnin duke thënë: "Kryqëzoje! Kryqëzoje atë!".
22 Dhe ai për herë të tretë u tha atyre: "Pse, çfarë të keqe bëri ky? Nuk gjeta në të asnjë shkak që të meritojë vdekje. Prandaj, pasi ta ndëshkoj, do ta liroj".
23 Por ata vazhdonin duke kërkuar me zë të lartë që Jezusi të kryqëzohej; dhe zërat e tyre dhe të kryepriftërinjve mbizotëronin.
24 Dhe Pilati vendosi që të plotësohej kërkesa e tyre.
25 Dhe u liroi atyre atë që ishte hedhur në burg për shkak kryengritjeje dhe vrasjeje, të cilin ata po e kërkonin, ndërsa Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.
26 Dhe si e çuan tutje, kapën Simonin, një kireneas që po vinte nga ara, dhe vunë mbi të kryqin, që ta mbante përmbrapa Jezusit.
27 Dhe atë e ndiqte një morí e madhe e popullit dhe e grave, të cilat edhe rrihnin gjoksin dhe bënin gjëmë për të.
28 Dhe Jezusi, duke u kthyer drejt tyre, tha: "O bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
29 Se ja, po vijnë ditë në të cilat do të thonë: 'Lum shterpat dhe barqet që nuk lindën dhe gjinjtë që nuk mëndën!'.
30 Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: 'Bini mbi ne!' dhe kodrave: 'Na mbuloni!'.
31 Sepse nëse bëjnë këto gjëra me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?!".
32 Tani, po sillnin edhe dy keqbërës të tjerë që të vriteshin bashkë me Jezusin.
33 Dhe kur shkuan në vendin që quhet "Kafkë", atje e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin nga e djathta dhe tjetrin nga e majta.
34 Por Jezusi tha: "O Atë, fali ata, sepse nuk dinë çfarë bëjnë". Dhe duke përndarë rrobat e tij, hodhën short.
35 Dhe populli qëndronte aty duke vështruar; por edhe krerët bashkë me ta e përqeshnin duke thënë: "Të tjerë i shpëtoi; ta shpëtojë edhe vetveten, nëse ky është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë".
36 Dhe atë e tallnin edhe ushtarët, duke i ardhur pranë dhe duke i ofruar verë të thartë,
37 dhe duke thënë: "Nëse ti je mbreti i judenjve, shpëto veten tënde!".
38 Dhe kishte edhe një mbishkrim mbi të, të shkruar me shkronja greke dhe latine, dhe hebraike: "Ky është mbreti i judenjve".
39 Tani, një nga keqbërësit që u varën në kryq, e fyente duke thënë: "Nëse ti je Krishti, shpëto veten tënde dhe ne!".
40 Por tjetri, duke ia kthyer, e qortonte duke thënë: "As edhe Perëndinë nuk e ke frikë ti, meqë je nën të njëjtin gjykim?
41 Dhe ne, vërtet, po vuajmë me të drejtë, sepse po marrim mbrapsht çfarë meritojmë për ato që kryem, por ky nuk kreu asgjë të keqe!".
42 Dhe i thoshte Jezusit: "Kujtohu për mua, o Zot, kur të vish në mbretërinë tënde!".
43 Dhe Jezusi i tha: "Me të vërtetë po të them, sot do të jesh me mua në Parajsë".
44 Dhe ishte rreth orës së gjashtë, dhe u bë errësirë mbi tërë vendin deri në orën e nëntë,
45 dhe dielli u errësua, dhe perdja e shenjtërores u shqye në mes.
46 Dhe Jezusi, duke thirrur me zë të lartë, tha: "O Atë, në duart e tua do ta besoj frymën time". Dhe pasi tha këto, dha frymë.
47 Tani, kur e pa centurioni atë që ndodhi, lëvdoi Perëndinë, duke thënë: "Vërtet ky njeri ishte i drejtë".
48 Dhe të gjitha turmat që u mblodhën për këtë pamje, duke vërejtur ato që ndodhën, nisën të ktheheshin nëpër shtëpi duke goditur kraharorët e vet.
49 Dhe të gjithë të njohurit e Jezusit, si dhe gratë që e kishin ndjekur bashkë nga Galileja, qëndronin larg, duke parë këto gjëra.
50 Dhe ja, ishte një burrë me emrin Jozef, që ishte këshilltar i Sinedrit, burrë i mirë dhe i drejtë
51 (i cili nuk ishte pajtuar me këshillën dhe veprimin e tyre) nga Arimateja, një qytet i judenjve, dhe i cili po priste edhe vetë Mbretërinë e Perëndisë.
52 Ky shkoi te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.
53 Dhe pasi e zbriti nga kryqi, e mbështolli me qefin liri dhe e vuri në një varr të latuar në shkëmb, ku nuk ishte vënë ende asnjeri.
54 Dhe ajo ditë ishte ditë e përgatitjes dhe shabati po fillonte.
55 Dhe edhe gratë të cilat kishin ardhur bashkë me Jezusin prej Galilesë, e ndoqën nga pas Jozefin dhe vërejtën varrin dhe mënyrën si u vu trupi i tij.
56 Dhe pasi u kthyen, përgatitën erëza dhe vajra erëmirë. Dhe në shabat pushuan sipas urdhërimit.
Të gjithë librat
