Ungjilli sipas Lukës 2
1 Tani, ndodhi që, në ato ditë doli një dekret nga Cezar Augusti që të regjistrohej e gjithë njerëzia.
2 (Ky ishte regjistrimi i parë që u bë ndërsa qeveritar i Sirisë ishte Kuirini.)
3 Dhe të gjithë shkonin për t'u regjistruar, secili në qytetin e vet.
4 Edhe Jozefi, gjithashtu, u ngjit nga Galileja, prej qytetit të Nazaretit, në Judé, në qytetin e Davidit, që quhej Betlehem, për shkak se ai ishte prej shtëpisë dhe familjes së Davidit,
5 për t'u regjistruar bashkë me Marinë, gruan që ishte fejuar me të, që ishte shtatzënë.
6 Dhe ndodhi që, ndërsa ata ishin atje, u mbushën ditët që ajo të lindte.
7 Dhe lindi birin e saj, të parëlindurin, dhe e mbështolli me pelena dhe e shtriu në grazhd, ngaqë nuk kishte vend për ta në dhomën e miqve.
8 Dhe në të njëjtën krahinë ishin disa barinj duke ndenjur fushave dhe duke bërë rojë natën për grigjën e tyre.
9 Dhe ja, një engjëll i Zotit iu afrua atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre, dhe ata u frikësuan tej mase.
10 Dhe engjëlli u tha atyre: "Mos u frikësoni! Sepse, ja, po ju shpall si lajm të mirë një gëzim të madh, që do të jetë për të gjithë popullin;
11 se sot lindi për ju në qytetin e Davidit një Shpëtimtar, i cili është Krishti, Zoti.
12 Dhe kjo do të jetë shenja për ju: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me pelena dhe të shtrirë në grazhd."
13 Dhe papritur u bë bashkë me engjëllin një morí e ushtrisë qiellore, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke thënë:
14 "Lavdi Perëndisë në vendet shumë të larta dhe paqe mbi tokë, dhe pëlqim ndër njerëzit!".
15 Dhe ndodhi që, si u larguan prej tyre engjëjt në qiell, njerëzit, domethënë barinjtë, i thanë njëri-tjetrit: "Të shkojmë, tani, deri në Betlehem dhe të shikojmë këtë gjë që ka ndodhur, të cilën Zoti na e bëri të njohur".
16 Dhe ata shkuan duke nxituar dhe gjetën Marinë dhe Jozefin, si dhe foshnjën të shtrirë në grazhd.
17 Dhe kur panë, shpallën thënien që u ishte folur atyre në lidhje me këtë fëmijë.
18 Dhe të gjithë ata që e dëgjuan, u mrekulluan për ato që iu thanë atyre nga barinjtë.
19 Por Maria i ruante të gjitha këto thënie, duke i menduar thellë në zemrën e saj.
20 Dhe barinjtë u kthyen duke lëvduar dhe duke lavdëruar Perëndinë për të gjitha ato që dëgjuan dhe panë, ashtu siç iu tha atyre.
21 Dhe kur u mbushën tetë ditët për ta rrethprerë fëmijën, emri i tij iu vendos Jezus, emri që u vendos nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.
22 Dhe kur u mbushën ditët e pastrimit të saj sipas Ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jerusalem për t'ia paraqitur Zotit
23 (ashtu siç është shkruar në Ligjin e Zotit: "Çdo mashkull që lind i pari, do të quhet i shenjtë për Zotin"),
24 dhe për të bërë një flijim, sipas asaj që është thënë në Ligjin e Zotit: "një çift turtujsh ose dy zogj pëllumbash".
25 Dhe ja, në Jerusalem ishte një njeri, emri i të cilit ishte Simeon; dhe ky njeri ishte i drejtë dhe i devotshëm, duke pritur ngushëllimin e Izraelit, dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.
26 Dhe ai ishte paralajmëruar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të shihte vdekje para se të shikonte Krishtin e Zotit.
27 Dhe i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe kur prindërit e sollën fëmijën Jezus, që ata të bënin sipas asaj që ishte zakon nga Ligji për të,
28 edhe ai e mori në krahët e tij dhe bekoi Perëndinë, e tha:
29 "Tani mund ta lëshosh në paqe skllavin tënd, o Sundimtar, sipas fjalës sate,
30 sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd,
31 që ti përgatite përballë të gjithë popujve;
32 dritë për zbulesë ndaj kombeve dhe lavdi ndaj popullit tënd, Izraelit".
33 Edhe Jozefi dhe nëna e tij ishin duke u mrekulluar nga ato që po fliteshin për të.
34 Dhe Simeoni i bekoi ata, dhe i tha Marisë, nënës së tij: "Ja, ky është vënë për rrëzim dhe ngritje të shumë vetave në Izrael, dhe për të qenë shenjë që do të kundërshtohet;
35 por edhe shpirtin tënd do ta përshkojë një shpatë, me qëllim që të zbulohen arsyetime prej shumë zemrash".
36 Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Asherit. Ajo ishte shumë e shkuar në moshë, duke jetuar shtatë vjet me burrin që nga virgjëria e saj.
37 Dhe ajo vejushë ishte rreth tetëdhjetë e katër vjeçe. Ajo nuk largohej nga tempulli, duke ofruar shërbesë natë e ditë me agjërime dhe përgjërime.
38 Dhe në atë orë ajo u afrua dhe nisi t'i shprehte mirënjohje Zotit, dhe u fliste për fëmijën të gjithëve atyre që prisnin shpengim në Jerusalem.
39 Dhe si i përfunduan të gjitha gjërat sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret.
40 Tani, fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë i mbushur me urtësi, dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.
41 Dhe prindërit e tij shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës.
42 Dhe kur ai u bë dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jerusalem sipas zakonit të festës.
43 Dhe mbasi përfunduan ditët e festës, ndërsa ata po ktheheshin, fëmija Jezus ndenji mbrapa në Jerusalem, mirëpo Jozefi dhe nëna e tij nuk e dinin.
44 Por duke kujtuar se ai ishte në karvan, ata bënë një ditë rrugë dhe nisën ta kërkonin ndër farefis dhe ndër të njohur.
45 Dhe ngaqë nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem duke e kërkuar.
46 Dhe ndodhi që, mbas tri ditësh, e gjetën në tempull duke ndenjur ulur në mes të mësuesve, edhe duke i dëgjuar, edhe duke i pyetur.
47 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, shastiseshin nga zgjuarsia dhe përgjigjet e tij.
48 Dhe kur e panë prindërit, u çuditën, dhe nëna e tij i tha: "O bir, çfarë na bëre kështu? Ja, yt atë dhe unë po të kërkonim me ankth!".
49 Dhe Jezusi u tha atyre: "Përse po më kërkonit? Nuk e dinit se më duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?".
50 Mirëpo ata nuk e kuptuan thënien që ua tha atyre.
51 Dhe ai zbriti me ta, dhe erdhi në Nazaret, dhe u nënshtrohej atyre; dhe nëna e tij i ruante të gjitha këto thënie në zemrën e saj.
52 Dhe Jezusi përparonte në urtësi dhe në moshë, dhe në hir para Perëndisë dhe njerëzve.
Të gjithë librat
