Ungjilli sipas Lukës 17
1 Tani, Jezusi u tha dishepujve: "Është e pamundshme që të mos vijnë shkandujt; por mjerë ai nëpërmjet të cilit vijnë!
2 I leverdis më mirë nëse i varet rreth qafës një gur mulliri që tërheq gomari dhe të flaket në det, sesa që të shkandullojë një prej këtyre të vegjëlve.
3 Bëni kujdes për veten tuaj! Por po të mëkatojë ndaj teje vëllai yt, qortoje; dhe po të pendohet, fale.
4 Edhe po të mëkatojë shtatë herë në ditë ndaj teje dhe të kthehet shtatë herë në ditë te ti duke thënë: 'Pendohem', do ta falësh".
5 Dhe apostujt i thanë Zotit: "Na e shto besimin!".
6 Por Zoti tha: "Sikur të kishit besim ashtu si një kokërr sinapi, do t'i thoshit këtij mani: 'Shkulu dhe mbillu në det!', dhe ai do t'ju bindej.
7 Po kush prej jush që ka një skllav duke lëruar tokën apo duke barituar kopenë, kur ai të kthehet prej arës, do t'i thotë: 'Afrohu menjëherë dhe zër vend për të ngrënë!'?
8 Përkundrazi, a nuk do t'i thotë: 'Më përgatit diçka për darkë dhe ngjishu e më shërbe, derisa të ha e të pi, dhe mbas këtyre do të hash e do të pish edhe ti'?
9 Mos vallë i është falënderues atij skllavi se bëri ato që iu urdhëruan? Nuk mendoj!
10 Kështu edhe ju, kur të bëni të gjitha ato që ju janë urdhëruar, thoni: 'Jemi skllevër të padobishëm, se kemi bërë çfarë kishim për detyrë të bënim!'".
11 Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi shkonte në Jerusalem, ai po kalonte përmes Samarisë dhe Galilesë.
12 Dhe ndërsa ai hyri në një fshat, e takuan dhjetë burra të lebrosur, të cilët qëndruan larg.
13 Dhe ata ngritën zërin, duke thënë: "O Jezus, o mjeshtër, ki mëshirë për ne!".
14 Dhe ai, kur i pa, u tha: "Shkoni dhe tregojani veten priftërinjve". Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.
15 Tani, njëri prej tyre, kur pa se u shërua, u kthye duke lëvduar Perëndinë me zë të lartë
16 dhe ra me fytyrë përdhe pranë këmbëve të Jezusit, duke e falënderuar. Dhe ai ishte samaritan.
17 Dhe Jezusi, duke iu drejtuar, tha: "A nuk u pastruan që të dhjetë? Po të nëntët ku janë?
18 Nuk u gjet asnjë prej atyre që të kthehej për t'i dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?".
19 Dhe Jezusi i tha atij: "Ngrihu dhe shko; besimi yt të ka shpëtuar".
20 Tani, kur u pyet nga farisenjtë se kur vjen Mbretëria e Perëndisë, Jezusi iu përgjigj atyre dhe tha: "Nuk vjen Mbretëria e Perëndisë me vëzhgim shenjash
21 dhe as nuk do të thonë: 'Ja, këtu është!' apo 'Ja, atje!'; sepse, ja, Mbretëria e Perëndisë është brenda jush".
22 Dhe u tha dishepujve: "Do të vijnë ditë kur do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të Njeriut dhe nuk do ta shikoni.
23 Dhe do t'ju thonë: 'Ja, këtu!', apo 'Ja, atje!'. Mos shkoni dhe mos i ndiqni.
24 Sepse sikurse vetëtima që vetëtin prej njërës anë të qiellit në anën tjetër të qiellit, jep dritë, kështu do të jetë edhe Biri i Njeriut në ditën e tij.
25 Por, së pari, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të hidhet poshtë nga ky brez.
26 Dhe ashtu siç ndodhi në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ditët e Birit të Njeriut:
27 njerëzit hanin, pinin, martoheshin, jepeshin në martesë, deri atë ditë në të cilën Noeu hyri në arkë dhe erdhi përmbytja e i shkatërroi të gjithë.
28 Ngjashmërisht, edhe si ndodhi në ditët e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shisnin, mbillnin, ndërtonin,
29 por atë ditë në të cilën Loti doli nga Sodoma, ra zjarr e squfur nga qielli dhe i shkatërroi të gjithë.
30 Sipas po këtyre gjërave do të jetë atë ditë në të cilën do të zbulohet Biri i Njeriut.
31 Në atë ditë, kush do të jetë mbi tarracë dhe sendet e tij në shtëpi, mos të zbresë për t'i marrë; ngjashmërisht edhe ai që do të jetë në arë, mos të kthehet mbrapa.
32 Kujtoni gruan e Lotit!
33 Cilido që të kërkojë për ta shpëtuar jetën e vet, do ta humbë; dhe cilido që ta humbë, do ta mbajë gjallë.
34 Po ju them se atë natë do të jenë dy veta në një dyshek; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.
35 Do të jenë dy gra duke bluar në të njëjtin vend; njëra do të merret dhe tjetra do të lihet.
36 Dy burra do të jenë në arë; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet".
37 Dhe dishepujt, duke u përgjigjur, i thanë atij: "Ku, o Zot?". Dhe ai u tha atyre: "Ku është trupi, atje do të mblidhen shkabat".
Të gjithë librat
