Ungjilli sipas Lukës 14
1 Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi shkoi në shtëpinë e njërit prej krerëve të farisenjve për të ngrënë bukë në shabat, ata ishin duke e vëzhguar.
2 Dhe ja, përpara tij ishte një njeri hidropik.
3 Dhe Jezusi, duke marrë fjalën, u foli ekspertëve të Ligjit dhe farisenjve, duke thënë: "A është e lejueshme për të shëruar në shabat?".
4 Por ata heshtën. Dhe Jezusi, duke e kapur, e shëroi dhe e nisi.
5 Dhe duke u përgjigjur atyre, tha: "Cilit nga ju do t'i binte gomari ose kau në pus dhe nuk do ta nxirrte menjëherë në ditën e shabatit?".
6 Dhe ata nuk mundën t'i kundërpërgjigjeshin për këto gjëra.
7 Dhe duke vështruar me vëmendje se si i zgjidhnin kryevendet, Jezusi nisi t'u thoshte një shëmbëlltyrë atyre që ishin thirrur, duke u thënë:
8 "Kur të thirresh nga dikush në dasmë, mos u shtro në krye të vendit, se mos është thirrur nga ai një më i nderuar se ti
9 dhe ai që të thirri ty dhe atë, të vijë dhe të të thotë: 'Jepja këtij vendin!', dhe atëherë, me turp, të fillosh të zësh vendin e fundit.
10 Përkundrazi, kur të thirresh, shko dhe ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka thirrur, të të thotë: 'Mik, ngjitu më sipër!'. Atëherë do të kesh lavdi përpara atyre që janë shtruar bashkë me ty.
11 Se kushdo që e lartëson veten, do të përulet; dhe ai që e përul veten, do të lartësohet".
12 Dhe i thoshte edhe atij që e kishte thirrur: "Kur të bësh drekë ose darkë, mos u ço fjalë miqve të tu, dhe as vëllezërve të tu, dhe as farefisit tënd, dhe as fqinjëve të pasur, se mos edhe ata të thërrasin për të ta kthyer dhe të të shpërblehet.
13 Përkundrazi, kur të bësh një pritje, thirr të varfër, sakatë, të çalë, të verbër;
14 dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë mundësi për të ta shpërblyer; se ty do të të shpërblehet në ringjalljen e të drejtëve".
15 Tani, kur dikush nga ata që ishin shtruar bashkë me Jezusin i dëgjoi këto, i tha: "Lum kush do të hajë bukë në Mbretërinë e Perëndisë!".
16 Dhe Jezusi i tha atij: "Një njeri bëri një darkë të madhe dhe thirri shumë veta.
17 Dhe dërgoi skllavin e tij në orën e darkës për t'u thënë atyre që ishin thirrur: 'Ejani, se tashmë të gjitha janë gati'.
18 Por të gjithë filluan një nga një të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: 'Bleva një arë dhe kam nevojë që të dal dhe ta shikoj. Të lutem të më falësh!'.
19 Dhe një tjetër tha: 'Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t'i provoj. Të lutem të më falësh!'.
20 Dhe një tjetër tha: 'Mora grua dhe për këtë arsye nuk mund të vij'.
21 Dhe kur ai skllav erdhi, e njoftoi zotërinë e tij për këto. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua dhe i tha skllavit të tij: 'Dil shpejt nëpër rrugët e gjera dhe rrugicat e qytetit, dhe futi këtu të varfrit dhe sakatët, dhe të çalët, dhe të verbrit'.
22 Dhe skllavi tha: 'Zotëri, është bërë siç urdhërove ti dhe ende ka vend'.
23 Dhe zotëria i tha skllavit: 'Dil nëpër rrugët dhe gardhet, dhe detyroji njerëzit të hyjnë brenda, që të mbushet shtëpia ime.
24 Sepse po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin thirrur, nuk do ta shijojë darkën time'".
25 Tani, bashkë me Jezusin shkonin turma të mëdha. Dhe ai, duke u kthyer, u tha atyre:
26 "Nëse dikush vjen tek unë dhe nuk urren atin e vet dhe nënën, dhe gruan, dhe fëmijët, dhe vëllezërit, dhe motrat, dhe madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.
27 Dhe cilido që nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk vjen mbas meje, nuk mund të jetë dishepulli im.
28 Sepse kush prej jush, duke dashur të ndërtojë një kullë, nuk ulet, së pari, dhe llogarit shpenzimet, për të parë nëse ka ato që janë të mjaftueshme për ta mbaruar?!
29 Se mos ndodh që, ndërsa ai ka hedhur themelin dhe duke mos mundur ta përfundojë, të gjithë ata që e vërejnë, të fillojnë ta tallin
30 duke thënë: 'Ky njeri filloi të ndërtojë dhe nuk mundi ta përfundojë'.
31 Ose cili mbret, duke shkuar për t'u ndeshur në luftë me një mbret tjetër, nuk ulet, së pari, dhe vendos nëse është e mundur t'i dalë para me dhjetë mijë trupa atij që po vjen kundër tij me njëzet mijë trupa?!
32 Përndryshe, ndërsa ai është ende larg, dërgon një përfaqësi dhe kërkon kushtet për paqe.
33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk heq dorë nga të gjitha ato që i përkasin atij, nuk mund të jetë dishepulli im.
34 Kripa është e mirë, por kripa, po të amështohet, me çfarë do të ndreqet?!
35 Nuk është e përshtatshme as për tokë, as për pleh; e hedhin jashtë. Ai që ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!".
Të gjithë librat
