Ungjilli sipas Lukës 12
1 Ndërkohë, ndërsa u mblodh bashkë turma prej disa mijërash, aq sa të shkelnin njëri-tjetrin, Jezusi filloi t'u thoshte dishepujve të tij: "Së pari, bëni kujdes për veten tuaj nga tharmi i farisenjve, që është shtirja.
2 Por nuk ka asgjë të mbuluar e cila nuk do të zbulohet dhe asgjë të fshehtë e cila nuk do të bëhet e njohur.
3 Prandaj, gjithë sa thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë; dhe çfarë folët në vesh ndër kthina, do të shpallet mbi tarraca.
4 Dhe po ju them juve, miqve të mi, mos kini frikë nga ata që vrasin trupin dhe që, mbas këtyre gjërave, nuk kanë çfarë të bëjnë më tepër.
5 Por do t'ju tregoj kë të keni frikë: kini frikë atë që, mbas vrasjes, ka pushtet për të hedhur në Gehenë. Po, po ju them, këtë kini frikë!
6 A nuk shiten pesë harabela për dy asarionë? E megjithatë, as edhe një prej tyre nuk është harruar përpara Perëndisë.
7 Porse edhe fijet e flokëve të kokës suaj janë numëruar të gjitha. Prandaj mos u frikësoni! Ju vleni më tepër se shumë harabela.
8 Dhe po ju them se kushdo që do të më rrëfejë mua përpara njerëzve, edhe Biri i Njeriut do ta rrëfejë atë përpara engjëjve të Perëndisë.
9 Por ai që më mohon përpara njerëzve, do të mohohet përpara engjëjve të Perëndisë.
10 Dhe kushdo që do të thotë një fjalë kundër Birit të Njeriut, do t'i falet; por atij që blasfemoi kundër Frymës së Shenjtë, nuk do t'i falet.
11 Tani, kur t'ju sjellin para sinagogave dhe parive, dhe pushteteve, mos u shqetësoni se si ose me çfarë të mbroheni, apo çfarë të thoni,
12 sepse Fryma e Shenjtë do t'ju mësojë në atë orë ato që duhet të thoni".
13 Dhe dikush prej turmës i tha: "Mësues, thuaji vëllait tim që ta ndajë me mua trashëgiminë".
14 Por Jezusi i tha: "O njeri, kush më caktoi mua gjyqtar apo ndarës mbi ju?!".
15 Dhe u tha atyre: "Hapni sytë dhe ruhuni nga lakmia, se nuk qëndron jeta e njeriut në ato që i teprojnë prej gjërave që i përkasin".
16 Dhe u tha atyre një shëmbëlltyrë, duke thënë: "Toka e një njeriu të pasur prodhoi mirë.
17 Dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: 'Çfarë të bëj, se nuk kam ku të mbledh frytet e mia?'.
18 Dhe tha: 'Do të bëj këtë: do të rrëzoj hambarët e mi dhe do të ndërtoj më të mëdhenj, dhe do të mbledh atje të gjitha prodhimet e mia dhe të mirat e mia;
19 dhe do t'i them shpirtit tim: O shpirt, ti ke shumë të mira të vëna mënjanë për shumë vite; çlodhu, ha, pi, festo!'.
20 Por Perëndia i tha: 'O i pamend! Këtë natë do të kërkojnë shpirtin tënd nga ti, dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?'.
21 Kështu është ai që grumbullon thesar për vetveten dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë".
22 Dhe Jezusi u tha dishepujve të tij: "Për këtë arsye po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë të hani, dhe as për trupin se çfarë të vishni.
23 Jeta është më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja.
24 Vini re korbat, që nuk mbjellin dhe nuk korrin, të cilët nuk kanë qilar dhe as hambar, megjithatë Perëndia i ushqen ata. Sa më tepër vleni ju se zogjtë!
25 Dhe kush prej jush, duke u shqetësuar, mund t'i shtojë një ditë jetëgjatësisë së vet?
26 Nëse, pra, as një gjë më të vogël nuk mund të bëni, pse shqetësoheni për të tjerat?
27 Vini re lulet se si rriten; ato nuk mundohen dhe nuk endin, por po ju them se as edhe Solomoni, në gjithë lavdinë e tij, nuk u vesh si një nga këto.
28 Tani, nëse barin në fushë, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, sa më tepër do t'ju veshë ju, o besimpakë?
29 Edhe ju mos kërkoni se çfarë të hani apo çfarë të pini, dhe mos u merakosni,
30 sepse të gjitha këto i kërkojnë kombet e botës; por Ati juaj e di që keni nevojë për këto.
31 Por kërkoni Mbretërinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto do t'ju shtohen.
32 Mos u frikëso, o grigjë e vogël, se Atit tuaj i pëlqeu që t'ju japë juve mbretërinë.
33 Shitni ato që ju përkasin dhe jepni lëmoshë! Bëni për veten tuaj kuleta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiej, ku vjedhësi nuk afrohet dhe tenja nuk bren.
34 Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.
35 Të jenë ijët tuaja ngjeshur dhe kandilat ndezur.
36 Dhe ju ngjajuni atyre që presin zotërinë e vet kur të kthehet prej dasmës, që kur të vijë dhe të trokasë, t'ia hapin menjëherë derën.
37 Lum ata skllevër të cilët, kur vjen zotëria, do t'i gjejë duke ndenjur zgjuar! Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjishet dhe do t'i vërë të shtrohen për të ngrënë, dhe do të afrohet e do t'u shërbejë.
38 Dhe po të vijë në të dytën rojë apo të vijë në të tretën rojë të natës, dhe t'i gjejë kështu, të lumë janë ata skllevër!
39 Por kuptoni këtë: sikur ta dinte i zoti i shtëpisë se në cilën orë vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte që t'i thyhej shtëpia.
40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse në atë orë që nuk e mendoni, vjen Biri i Njeriut."
41 Dhe Pjetri i tha atij: "Zot, për ne e thua këtë shëmbëlltyrë apo edhe për të gjithë?".
42 Dhe Zoti tha: "Kush është, vallë, ai administrator besnik dhe i mençur, të cilin do ta caktojë zotëria mbi shërbëtorët e vet për t'u dhënë në kohë racionin e ushqimit?
43 Lum ai skllav të cilin, kur të vijë zotëria i vet, do ta gjejë duke bërë kështu.
44 Vërtet po ju them se do ta caktojë mbi të gjithë gjënë e vet.
45 Por po të thotë ai skllav në zemrën e vet: 'Zotëria im po vonon për të ardhur!', dhe të fillojë të rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, si dhe të hajë dhe të pijë, dhe të dehet,
46 zotëria i atij skllavi do të vijë në ditën që ky nuk e pret dhe në orën që nuk e di, dhe do ta ndajë në dysh, dhe do ta vërë pjesën e tij me jobesimtarët.
47 Dhe ai skllav që e dinte vullnetin e zotërisë së vet dhe nuk u përgatit dhe nuk bëri sipas vullnetit të tij, do të rrihet shumë.
48 Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra që meritojnë goditje, do të rrihet pak. Dhe kujtdo që iu dha shumë, nga ai do të kërkohet shumë; dhe atij që iu besua shumë, do t'i kërkojnë më tepër.
49 Unë erdha për të hedhur zjarr në tokë dhe sa dua që tashmë të ishte ndezur!
50 Por kam për t'u pagëzuar me një pagëzim, dhe sa në ankth jam derisa të përfundohet!
51 Pandehni se erdha për të sjellë paqe në tokë? Jo, jo, po ju them, përkundrazi, erdha të sjell përçarje.
52 Sepse që tani e tutje pesë pjesëtarë në një shtëpi do të jenë të përçarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve.
53 Do të përçahet ati kundër birit dhe biri kundër atit; nëna kundër bijës dhe bija kundër nënës; vjehrra kundër nuses së saj dhe nusja kundër vjehrrës së saj".
54 Dhe u thoshte edhe turmave: "Kur shikoni renë duke u ngritur nga perëndimi, menjëherë thoni: 'Po vjen një rrebesh', dhe kështu ndodh.
55 Dhe kur fryn jugë, thoni: 'Do të jetë vapë', dhe kështu ndodh.
56 Hipokritë! Pamjen e qiellit dhe të tokës dini ta shqyrtoni, por këtë kohë si nuk e shqyrtoni?
57 Dhe pse nuk gjykoni edhe nga vetja juaj çfarë është e drejtë?
58 Se ndërsa shkon me kundërshtarin tënd te magjistrati, gjatë rrugës bëj përpjekje që të çlirohesh nga ai, se mos të tërheq ty për te gjykatësi dhe gjykatësi, pastaj, të të dorëzojë te oficeri gjyqësor dhe oficeri gjyqësor të të hedhë në burg.
59 Po të them se nuk do të dalësh aspak prej atje, derisa të kesh shlyer edhe të hollën e fundit.
Të gjithë librat
