Ungjilli sipas Lukës 10
1 Tani, mbas këtyre gjërave, Zoti caktoi edhe shtatëdhjetë të tjerë dhe i dërgoi dy nga dy para fytyrës së tij në çdo qytet dhe vend ku ai do të shkonte.
2 Atëherë, u thoshte atyre: "Vërtet të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë të paktë. Prandaj, përgjërojuni Zotit të të korrave që të nxjerrë punëtorë në të korrat e tij.
3 Shkoni! Ja, unë po ju dërgoj si qengja në mes të ujqve.
4 Mos mbani kuletë, as trastë dhe as sandale; dhe të mos përshëndetni askënd gjatë rrugës.
5 Dhe në cilëndo shtëpi që të hyni, së pari thoni: 'Paqe kësaj shtëpie!'.
6 Dhe po të jetë atje biri i paqes, paqja juaj do të prehet mbi të; përndryshe, ajo do të kthehet mbi ju.
7 Dhe rrini në atë shtëpi duke ngrënë e duke pirë ato që do t'ju jepen nga ata, sepse punëtori është i denjë për pagën e vet. Mos u zhvendosni nga shtëpia në shtëpi.
8 Por edhe në cilindo qytet që të hyni e t'ju presin, hani ato që vihen para jush
9 dhe shëroni të lënguarit që ndodhen në të, dhe u thoni atyre: 'Mbretëria e Perëndisë është afruar te ju'.
10 Por në cilindo qytet që të hyni e të mos ju presin, duke dalë në rrugët e gjera të tij, thoni:
11 'Edhe pluhurin që na u ngjit prej qytetit tuaj, po e fshijmë kundër jush; veçse ta dini se Mbretëria e Perëndisë është afruar te ju'.
12 Por po ju them se në atë ditë për Sodomën do të jetë më e durueshme sesa për atë qytet.
13 Mjerë ti, o Korazin! Mjerë ti, o Betsaida! Sepse sikur në Tir dhe Sidon të ishin bërë veprat e fuqisë që u bënë në ju, qëmoti do të ishin penduar, të veshur me thes e të ulur në hi.
14 Megjithatë, për Tirin dhe Sidonin do të jetë më e durueshme në gjykim sesa për ju.
15 Dhe ti, o Kapernaum, që u lartësove deri në qiell, deri në Hades do të zbritesh poshtë.
16 Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua; dhe ai që ju hedh poshtë ju, më hedh poshtë mua; por ai që më hedh poshtë mua, hedh poshtë atë që më dërgoi mua".
17 Tani, të shtatëdhjetë dishepujt u kthyen me gëzim, duke thënë: "O Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd!".
18 Dhe Jezusi u tha: "E vëreja Satanin duke rënë si vetëtimë prej qiellit.
19 Ja, po ju jap pushtetin për të shkelur përmbi gjarpërinj e akrepa dhe mbi gjithë fuqinë e armikut, dhe asgjë nuk do t'ju dëmtojë aspak.
20 Megjithatë, mos u gëzoni në këtë: që ju nënshtrohen frymërat; por gëzohuni më tepër se emrat tuaj u shkruan në qiej".
21 Në atë orë Jezusi u ngazëllua në Frymë dhe tha: "Të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, se i fshehe këto gjëra nga të urtët dhe të zgjuarit, dhe ua zbulove foshnjave. Po, o Atë, sepse kështu qe e pëlqyeshme përpara teje.
22 Të gjitha m'u dorëzuan mua nga Ati im; dhe asnjë nuk e di kush është Biri, përveç Atit; dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe cilitdo që Biri të dojë për t'ia zbuluar".
23 Dhe duke u kthyer drejt dishepujve, u tha veçmas: "Lum sytë që shohin ato që shihni ju!
24 Se po ju them që shumë profetë dhe mbretër dëshiruan për të parë ato që ju shihni, e nuk i panë; dhe për të dëgjuar ato që dëgjoni, e nuk i dëgjuan".
25 Dhe ja, u ngrit një ekspert i Ligjit për ta sprovuar Jezusin dhe duke thënë: "Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme?".
26 Dhe Jezusi i tha atij: "Çfarë është shkruar në Ligj? Si e lexon?".
27 Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: "Do ta duash Zotin, Perëndinë tënd, prej tërë zemrës sate dhe prej tërë shpirtit tënd, dhe prej tërë forcës sate, dhe prej tërë mendjes sate; edhe të afërmin tënd si veten tënde".
28 Dhe Jezusi i tha: "Saktë u përgjigje. Bëje këtë dhe do të jetosh".
29 Por ai, duke dashur të përligjë vetveten, i tha Jezusit: "E kush është i afërmi im?".
30 Dhe Jezusi, duke marrë fjalën, tha: "Një njeri po zbriste nga Jerusalemi në Jeriko dhe ndeshi në kusarë, të cilët, si e zhveshën dhe i shkaktuan plagë, u larguan duke e lënë në gjendje gjysmë të vdekur.
31 Tani, rastësisht, një prift po zbriste në atë rrugë dhe kur e pa atë, kaloi në anën tjetër.
32 Dhe po kështu edhe një levit, duke u ndodhur në atë vend, kur erdhi dhe e pa atë, kaloi në anën tjetër.
33 Por një samaritan, duke udhëtuar, erdhi tek ai dhe, kur e pa atë, pati dhembshuri.
34 Dhe si i erdhi pranë, lidhi vrajat e tij, duke derdhur vaj dhe verë mbi to; dhe si e hipi mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdes për të.
35 Dhe të nesërmen, kur doli, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut, dhe i tha: 'Kujdesu për të dhe çfarëdo gjëje që të shpenzosh më tepër, unë do të ta shlyej kur të kthehem'.
36 Cili, pra, nga këta të tre të duket se ka qenë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?".
37 Dhe ai tha: "Ai që tregoi mëshirë për të". Atëherë Jezusi i tha: "Shko edhe ti dhe bëj njësoj".
38 Tani, ndodhi që, ndërsa ata po shkonin rrugës, Jezusi hyri në një fshat dhe një grua me emrin Marta e priti atë në shtëpinë e saj.
39 Dhe ajo kishte një motër që quhej Maria dhe e cila, duke u ulur pranë këmbëve të Jezusit, dëgjonte fjalën e tij.
40 Por Marta ishte rrëmbyer nga shërbimi i shumtë dhe duke iu afruar Jezusit, tha: "Zot, a nuk do t'ia dish që motra ime më la vetëm të shërbej? Thuaji, pra, që të më ndihmojë!".
41 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe trazohesh për shumë gjëra,
42 por një gjë është e nevojshme dhe Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të hiqet prej saj".
Të gjithë librat
