Ungjilli sipas Lukës 7
1 Dhe mbasi Jezusi përfundoi të gjitha thëniet e tij për veshët e popullit, hyri në Kapernaum.
2 Tani, skllavi i një centurioni, i cili ishte i çmuar për centurionin, ishte ligsht, gati për të mbaruar.
3 Dhe kur centurioni dëgjoi rreth Jezusit, dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, duke i kërkuar që të vinte dhe ta shpëtonte skllavin e tij.
4 Dhe ata, si arritën te Jezusi, i përgjëroheshin atij me ngulm, duke thënë: "Ai është i denjë t'ia kryesh këtë gjë,
5 sepse e do kombin tonë, dhe sinagogën ai vetë na e ndërtoi".
6 Dhe Jezusi u nis të shkonte bashkë me ta. Por ndërsa ai nuk ishte larg nga shtëpia, centurioni dërgoi tek ai disa miq duke i thënë: "Zotëri, mos u bezdis, sepse unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time.
7 Prandaj edhe nuk e çmova të denjë veten time që të vija te ti; por thuaj një fjalë, dhe shërbëtori im do të shërohet.
8 Se edhe unë jam një njeri i vënë nën pushtet të dikujt, duke pasur, gjithashtu, nën veten time ushtarë; dhe i them këtij: 'Shko', dhe ky shkon; dhe tjetrit: 'Eja', dhe ai vjen; dhe skllavit tim: 'Bëje këtë', dhe ai e bën".
9 Dhe kur i dëgjoi Jezusi këto fjalë, u mrekullua me të dhe, duke iu kthyer turmës që po e ndiqte, tha: "Po ju them se as edhe në Izrael nuk gjeta kaq besim".
10 Dhe kur u kthyen në shtëpi ata që u dërguan nga centurioni, e gjetën skllavin që lëngonte shëndoshë e mirë.
11 Tani, ndodhi që, në ditën më pas, Jezusi po shkonte në një qytet që quhej Nain, dhe bashkë me të po shkonin mjaft nga dishepujt e tij dhe një turmë e madhe.
12 Dhe kur iu afrua portës së qytetit, ja, po mbartej jashtë një i vdekur, biri i vetëm i nënës së tij, dhe ajo ishte vejushë; dhe një turmë mjaft e madhe nga qyteti ishte bashkë me gruan.
13 Dhe kur e pa gruan, Zoti pati dhembshuri për të dhe i tha: "Mos qaj!".
14 Dhe si u afrua, preku tabutin; dhe ata që po e mbartnin, qëndruan, dhe ai tha: "Djalosh, ty të them: çohu!".
15 Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të fliste, dhe Jezusi ia dha nënës së tij.
16 Dhe të gjithë i zuri frika dhe lëvdonin Perëndinë, duke thënë: "Një profet i madh është ngritur ndër ne!", dhe: "Perëndia e vizitoi popullin e tij!".
17 Dhe kjo fjalë doli për të në tërë Judenë dhe në gjithë rrethinën.
18 Dhe Gjonin e njoftuan dishepujt e vet për të gjitha këto gjëra.
19 Dhe Gjoni, si thirri pranë dy nga dishepujt e tij, i dërgoi te Jezusi duke thënë: "Ti je ai që vjen, apo duhet të presim një tjetër?".
20 Dhe kur arritën tek ai, burrat i thanë: "Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti duke thënë: 'Ti je ai që vjen, apo duhet të presim një tjetër?'".
21 Dhe në po atë orë Jezusi shëroi shumë veta nga sëmundje dhe vuajtje, dhe nga frymëra të liga; dhe shumë të verbërve u fali të parët.
22 Dhe duke u përgjigjur, Jezusi u tha atyre: "Shkoni dhe njoftojani Gjonit ato që patë dhe dëgjuat: të verbër po shohin përsëri dhe të çalë po ecin, të lebrosur po pastrohen, të shurdhër po dëgjojnë, të vdekur po ngjallen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.
23 Dhe i lum është cilido që nuk shkandullohet me mua".
24 Tani, ndërsa u larguan dishepujt e Gjonit, Jezusi filloi t'u thoshte turmave për Gjonin: "Çfarë keni dalë për të vështruar në shkreti? Një kallam që lëkundet nga era?
25 Po çfarë keni dalë për të parë? Një njeri që ishte veshur me rroba të buta? Ja, ata që vishen me petka të lavdishme dhe që jetojnë në luks, janë në pallatet mbretërore.
26 Po çfarë keni dalë për të parë? Një profet? Po, po ju them, edhe më tepër sesa një profet.
27 Ky është ai për të cilin është shkruar: 'Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate, i cili do të gatisë udhën tënde përpara teje'.
28 Sepse po ju them se ndër të lindur prej grave, asnjë profet nuk është më i madh sesa Gjon Pagëzori; por më i vogli në Mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai".
29 (Dhe kur gjithë populli e dëgjoi këtë, edhe tagrambledhësit, e përligjën Perëndinë duke u pagëzuar me pagëzimin e Gjonit.
30 Por farisenjtë dhe ekspertët e Ligjit e hodhën poshtë qëllimin e Perëndisë për veten e tyre duke mos u pagëzuar nga ai.)
31 "Me çfarë, pra, do t'i krahasoj njerëzit e këtij brezi dhe me çfarë janë të ngjashëm?!
32 Janë të ngjashëm me fëmijët që rrinë ulur në shesh dhe që i bëjnë zë njëri-tjetrit, dhe thonë: 'I ramë fyellit për ju dhe nuk vallëzuat; bëmë gjëmë për ju dhe nuk qatë'.
33 Sepse ka ardhur Gjon Pagëzori, as bukë duke ngrënë dhe as verë duke pirë, dhe ju thoni: 'Ka një demon!'.
34 Ka ardhur Biri i Njeriut duke ngrënë dhe duke pirë, dhe ju thoni: 'Ja një njeri grykës dhe pijanec, mik i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve!'.
35 Megjithatë, urtësia përligjet nga të gjithë fëmijët e saj".
36 Tani, një nga farisenjtë i kërkonte Jezusit që të hante bashkë me të; dhe ai, si hyri në shtëpinë e fariseut, u shtrua për të ngrënë.
37 Dhe ja, një grua në atë qytet, e cila ishte mëkatare; dhe kur mori vesh se Jezusi ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me vaj erëmirë.
38 Dhe duke qëndruar pranë këmbëve të tij, mbrapa Jezusit, duke qarë, filloi t'ia lagte këmbët me lot. Dhe me flokët e kokës së saj i fshinte dhe i puthte këmbët e tij, dhe i vajoste me vajin erëmirë.
39 Tani, kur e pa këtë fariseu që kishte ftuar Jezusin, foli me vete duke thënë: "Sikur ky të ishte profet, do ta dinte kush dhe ç'lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse është mëkatare".
40 Dhe Jezusi, duke iu drejtuar, i tha: "Simon, kam diçka për të të thënë". Dhe ai tha: "Thuaje, mësues!".
41 "Ishin dy njerëz borxhlinj ndaj një huadhënësi; njëri i detyrohej pesëqind denarë, ndërsa tjetri pesëdhjetë.
42 Por ngaqë ata nuk kishin mundësi për të shlyer borxhin, i hirësoi të dy. Më thuaj, cili nga ata, pra, do ta dojë më shumë?".
43 Dhe duke u përgjigjur, Simoni tha: "Ma merr mendja se ai të cilit i fali hirësisht më shumë". Dhe Jezusi i tha: "Gjykove saktë".
44 Dhe duke u kthyer drejt gruas, i tha Simonit: "E sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, por ti nuk më dhe ujë për këmbët, ndërsa kjo m'i lagu këmbët me lot dhe i fshiu me flokët e kokës së saj.
45 Ti nuk më dhe një puthje, ndërsa kjo, që kur hyri, nuk ndaloi duke puthur këmbët e mia.
46 Ti nuk ma vajose kokën me vaj, ndërsa kjo i vajosi këmbët e mia me vaj erëmirë.
47 Për këtë arsye po të them: Mëkatet e saj të shumta janë falur, se deshi shumë; por atij që i falet pak, do pak".
48 Dhe i tha asaj: "Mëkatet e tua janë falur".
49 Dhe ata që ishin shtruar bashkë me të, filluan të thoshin ndër vete: "Kush është ky i cili edhe fal mëkate?".
50 Dhe Jezusi i tha gruas: "Besimi yt të ka shpëtuar; shko në paqe!".
Të gjithë librat
