Ungjilli sipas Lukës 5
1 Tani, ndodhi që, ndërsa turma po shtynte rreth Jezusit dhe po dëgjonte fjalën e Perëndisë, dhe ai ishte duke qëndruar ndanë liqenit të Gjenesaretit,
2 pa dy varka duke qëndruar pranë liqenit, ndërsa peshkatarët kishin zbritur nga ato dhe po shpëlanin rrjetat.
3 Dhe Jezusi hipi në njërën nga varkat, atë që ishte e Simonit, dhe i kërkoi atij të largohej pak nga bregu. Dhe si u ul, nisi t'i mësonte turmat prej varkës.
4 Dhe si mbaroi së foluri, i tha Simonit: "Shko në thellësi dhe lëshoni rrjetat tuaja për të peshkuar".
5 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: "Mjeshtër, megjithëse u munduam gjatë tërë natës, nuk zumë asgjë; po për fjalën tënde, do ta lëshoj rrjetën".
6 Dhe si bënë kështu, zunë një morí të madhe peshqish dhe rrjeta e tyre nisi të shqyhej.
7 Dhe ata u bënë shenjë ortakëve që ishin në varkën tjetër që të vinin t'i ndihmonin. Dhe ata erdhën e i mbushën të dyja varkat, aq sa ato ishin gati për t'u fundosur.
8 Po kur Simon Pjetri e pa këtë, ra para gjunjëve të Jezusit, duke thënë: "Largohu nga unë, o Zot, se jam njeri mëkatar!".
9 Sepse ai dhe të gjithë ata që ishin bashkë me të, mbetën të mahnitur nga sasia e peshqve që kapën.
10 Dhe po kështu ndodhi edhe me Jakobin dhe Gjonin, bijtë e Zebedeut, të cilët ishin ortakë të Simonit. Dhe Jezusi i tha Simonit: "Mos u frikëso! Që tani e tutje do të peshkosh njerëz!".
11 Dhe pasi i nxorën varkat në breg, i lanë të gjitha dhe e ndoqën.
12 Dhe ndodhi që, ndërsa ai ishte në një nga qytetet, ja, ishte atje një burrë plot lebër; dhe kur e pa Jezusin, ra me fytyrë përdhe dhe iu përgjërua duke thënë: "O Zot, po të duash, mund të më pastrosh".
13 Dhe Jezusi zgjati dorën dhe e preku duke thënë: "Dua. Pastrohu!". Dhe menjëherë lebra u largua nga ai.
14 Dhe ai e porositi që të mos i thoshte askujt, "por shko e tregoja veten tënde priftit dhe ofro për pastrimin tënd ashtu siç urdhëroi Moisiu, si dëshmi për ta".
15 Por fjala për të përhapej më tepër dhe turma të mëdha mblidheshin për të dëgjuar dhe për t'u shëruar nga ai nga lëngatat e tyre.
16 Por Jezusi vetë tërhiqej në vende të shkreta dhe lutej.
17 Dhe ndodhi që, në një prej atyre ditëve, ai po jepte mësim dhe aty po rrinin ulur disa farisenj dhe mësues të ligjit, të cilët kishin ardhur prej çdo fshati të Galilesë dhe të Judesë, dhe prej Jerusalemit. Dhe fuqia e Zotit ishte e pranishme për t'i shëruar ata.
18 Dhe ja, ishin disa burra duke sjellë mbi vig një njeri që ishte i paralizuar dhe po përpiqeshin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara Jezusit.
19 Por, duke mos gjetur si ta fusnin brenda, për shkak të turmës, u ngjitën mbi tarracë dhe e ulën përmes tjegullave bashkë me vigun në mes të njerëzve, përpara Jezusit.
20 Dhe kur Jezusi pa besimin e tyre, i tha: "O njeri, mëkatet e tua të janë falur".
21 Dhe skribët e farisenjtë filluan të arsyetonin duke thënë: "Kush është ky që flet blasfemi?! Kush mund të falë mëkate, në mos vetëm Perëndia?!".
22 Por Jezusi, duke kuptuar arsyetimet e tyre, u përgjigj dhe u tha atyre: "Pse po arsyetoni në zemrat tuaja?
23 Çfarë është më e lehtë të thuash: 'të janë falur mëkatet e tua', apo të thuash: 'çohu dhe ec'?
24 Por me qëllim që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet mbi tokë për të falur mëkate (i tha të paralizuarit), po të them: çohu dhe ngri vigun tënd, dhe shko në shtëpinë tënde!".
25 Dhe përnjëherësh, duke u ngritur përpara tyre, ai e ngriti vigun mbi të cilin dergjej dhe shkoi në shtëpinë e vet duke lëvduar Perëndinë.
26 Dhe të gjithë mbetën të shastisur dhe lëvdonin Perëndinë; dhe u mbushën me frikë, duke thënë: "Pamë gjëra të çuditshme sot".
27 Dhe mbas këtyre gjërave, Jezusi doli dhe vuri re një tagrambledhës me emrin Levi duke ndenjur ulur te banka e tagrave, dhe i tha: "Më ndiq!".
28 Dhe ai, si i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi.
29 Dhe Levi i bëri Jezusit një pritje të madhe në shtëpinë e vet; dhe aty ishte një turmë e madhe tagrambledhësish dhe njerëzish të tjerë, të cilët ishin shtruar për të ngrënë me ta.
30 Por skribët e tyre dhe farisenjtë nisën të murmurisnin ndaj dishepujve të tij, duke thënë: "Përse hani dhe pini me tagrambledhësit dhe mëkatarët?".
31 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha: "Nuk kanë nevojë për mjek ata që janë shëndoshë, por ata që janë ligsht.
32 Unë nuk kam ardhur për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët".
33 Tani, ata i thanë: "Përse dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh dhe bëjnë përgjërime, e po kështu edhe ata të farisenjve, ndërsa ata të tutë hanë dhe pinë?".
34 Dhe ai u tha: "Mos vallë mund t'i bëni të agjërojnë miqtë e dhëndrit ndërsa dhëndri është me ta?
35 Por do të vijnë ato ditë; dhe kur dhëndri të hiqet nga ata, atëherë do të agjërojnë në ato ditë".
36 Dhe u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë: "Askush nuk vendos një arnë nga një rrobë e re mbi një rrobë të vjetër; përndryshe do ta grisë edhe të renë, dhe arna nga veshja e re nuk i përshtatet së vjetrës.
37 Dhe askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re do t'i çajë kacekët dhe ajo do të derdhet, dhe kacekët do të prishen.
38 Përkundrazi, vera e re duhet hedhur në kacekë të rinj dhe kështu të dyja ruhen.
39 Dhe askush mbasi pi verë të vjetër, nuk do menjëherë të re, sepse thotë: 'E vjetra është më e mirë'".
Të gjithë librat
