Ungjilli sipas Lukës 4
1 Tani, Jezusi, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe çohej gjithandej nga Fryma në shkreti,
2 duke u tunduar dyzet ditë nga djalli. Dhe në ato ditë nuk hëngri asgjë, dhe kur ato përfunduan, në fund e mori uria.
3 Dhe djalli i tha: "Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri që të bëhet bukë".
4 Dhe Jezusi iu përgjigj duke thënë: "Është shkruar: 'Njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë, por me çdo thënie që del nga goja e Perëndisë'".
5 Dhe djalli e çoi në një mal të lartë dhe i tregoi në një çast kohe të gjitha mbretëritë e botës së banuar.
6 Dhe djalli i tha: "Ty do të ta jap gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse mua më është dorëzuar dhe unë ia jap atë cilitdo që të dua.
7 Po të biesh, pra, ti në adhurim përpara meje, gjithçka do të jetë e jotja".
8 Dhe duke u përgjigjur, Jezusi i tha: "M'u hiq sysh, Satan! Se është shkruar: 'Zotin, Perëndinë tënd, do të adhurosh dhe vetëm atij do t'i ofrosh shërbesë'".
9 Dhe djalli e çoi në Jerusalem dhe e vuri mbi pikën kulmore të tempullit, dhe i tha: "Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtu,
10 sepse është shkruar: 'Engjëjt e tij do të urdhërojë për ty që të të ruajnë';
11 dhe: 'mbi duar do të të mbartin, që të mos ndeshësh në gur këmbën tënde'".
12 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "Është thënë: 'Nuk do ta sprovosh Zotin, Perëndinë tënd'".
13 Dhe kur përfundoi çdo tundim, djalli u largua nga ai deri në një kohë tjetër.
14 Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe buja për të doli nëpër tërë rrethinat.
15 Dhe ai nisi të jepte mësim në sinagogat e tyre, duke u lëvduar nga të gjithë.
16 Dhe erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe në ditën e shabatit, sipas zakonit të tij, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.
17 Dhe i dhanë atij librin e Isaias, profetit, dhe pasi e çmbështolli librin, gjeti vendin ku ishte shkruar:
18 "Fryma e Zotit është mbi mua, sepse më vajosi për t'u shpallur lajmin e mirë të varfërve. Më ka dërguar për të shëruar ata që janë të thyer në zemër, për t'u predikuar robërve lirimin dhe të verbërve kthimin e shikimit, për t'i dërguar të shtypurit në liri,
19 për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit".
20 Dhe si e mbështolli librin, ia dha shërbyesit dhe u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë ishin duke e shikuar ngultas.
21 Dhe filloi t'u thoshte atyre: "Sot është përmbushur ky Shkrim në veshët tuaj".
22 Dhe të gjithë dëshmonin për të dhe mrekulloheshin nga fjalët e hirit që dilnin prej gojës së tij, dhe thoshin: "A nuk është ky biri i Jozefit?".
23 Dhe ai u tha atyre: "Patjetër do të më thoni këtë fjalë të urtë: 'O mjek, shëro veten tënde!'; gjithë sa dëgjuam që ndodhën në Kapernaum, bëji edhe këtu në vendin tënd".
24 Dhe shtoi: "Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk është i pranueshëm në vendin e tij.
25 Por me të vërtetë po ju them: Kishte shumë vejusha në Izrael në ditët e Elias, kur u mbyll qielli për tre vjet e gjashtë muaj dhe ra një zi e madhe buke mbi gjithë tokën,
26 megjithatë Elia nuk u dërgua tek asnjëra prej tyre, përveçse në Saraptë të Sidonit, te një grua e ve.
27 Dhe kishte shumë të lebrosur në Izrael në kohën e profetit Elise, megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveçse Namani, siriani".
28 Dhe të gjithë në sinagogë u mbushën me mllef kur i dëgjuan këto gjëra,
29 dhe si u ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan deri në buzën e malit mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në greminë.
30 Por ai, duke kaluar përmes tyre, vazhdoi rrugën.
31 Dhe ai zbriti në Kapernaum, një qytet i Galilesë, dhe ishte duke i mësuar ata në shabat.
32 Dhe ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fjala e tij ishte me pushtet.
33 Dhe në sinagogë ishte një njeri që kishte një frymë demoni të ndyrë, dhe këlthiti me zë të lartë
34 duke thënë: "Ah! Çfarë ka mes nesh dhe teje, o Jezus nazaretas? Erdhe për të na shkatërruar? E di kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!".
35 Dhe Jezusi e qortoi, duke thënë: "Mbylle gojën dhe dil prej tij!". Dhe demoni, duke e flakur në mes të të pranishmëve, doli nga ai pa e lënduar aspak.
36 Dhe të gjithë u mahnitën dhe bisedonin me njëri-tjetrin duke thënë: "Çfarë është kjo fjalë? Se ai u jep urdhër me pushtet dhe me fuqi frymërave të ndyra dhe ato dalin".
37 Dhe zëri për të përhapej në çdo vend të asaj rrethine.
38 Dhe si u ngrit e doli prej sinagogës, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Tani, vjehrra e Simonit ishte mbërthyer nga ethe të forta dhe iu lutën për të.
39 Dhe Jezusi, duke qëndruar mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë; dhe përnjëherësh ajo u ngrit dhe nisi t'u shërbente atyre.
40 Tani, ndërsa po perëndonte dielli, të gjithë sa kishin të lënguar me sëmundje të çfarëdollojshme, i sollën te Jezusi dhe ai i shëroi duke vënë duart sipër çdonjërit prej tyre.
41 Dhe dilnin edhe demonë nga shumë veta, duke bërtitur dhe duke thënë: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë!". Dhe duke i qortuar, nuk i lejonte që të flisnin, sepse e dinin që ai ishte Krishti.
42 Tani, ndërsa u bë ditë, Jezusi doli dhe shkoi në një vend të shkretë. Dhe turmat po e kërkonin dhe erdhën tek ai, dhe përpiqeshin ta mbanin që të mos largohej nga ata.
43 Por ai u tha atyre: "Më duhet të shpall lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë jam dërguar".
44 Dhe vazhdonte të predikonte në sinagogat e Galilesë.
Të gjithë librat
