Ungjilli sipas Lukës 3
1 Tani, në vitin e pesëmbëdhjetë të qeverisjes së Cezar Tiberit, ndërsa qeveritar i Judesë ishte Ponc Pilati dhe tetrark i Galilesë ishte Herodi, kurse Filipi, vëllai i këtij, ishte tetrark i krahinës së Itureas dhe të Trakonitidës, dhe ndërsa Lisania ishte tetrark i Abilenës,
2 nën kryepriftërinjtë Anai dhe Kajafa, fjala e Perëndisë erdhi te Gjoni, biri i Zakarias, në shkreti.
3 Dhe Gjoni erdhi në gjithë rrethinën e Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për falje të mëkateve,
4 siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: "Zëri i njërit që klith në shkreti: Përgatitni udhën e Zotit, të drejta bëjini shtigjet e tij!
5 Çdo luginë do të mbushet dhe çdo mal e kodër do të ulet; dhe udhët e shtrembra do të bëhen të drejta, dhe të ashprat, udhë të sheshuara;
6 dhe çdo mish do ta shikojë shpëtimin e Perëndisë".
7 Atëherë u thoshte turmave që dilnin për t'u pagëzuar nga ai: "O pjella nepërkash! Kush ju tregoi të ikni nga zemërimi që vjen?!
8 Jepni, pra, fryte të denja pendimi! Dhe të mos filloni të thoni në veten tuaj: 'Kemi për atë Abrahamin', sepse po ju them se Perëndia mund t'i ngrejë fëmijë Abrahamit prej këtyre gurëve.
9 Dhe tashmë edhe sëpata është vënë te rrënja e pemëve; prandaj, çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr".
10 Dhe turmat e pyesnin duke thënë: "Çfarë do të bëjmë, pra?".
11 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha: "Ai që ka dy tunika, duhet t'i ndajë me atë që nuk ka dhe ai që ka ushqime, duhet të bëjë po kështu".
12 Tani, erdhën edhe disa tagrambledhës për t'u pagëzuar dhe i thanë atij: "Mësues, çfarë do të bëjmë?".
13 Dhe ai u tha atyre: "Mos vilni asgjë më shumë nga ajo që ju është urdhëruar".
14 Dhe po e pyesnin edhe disa ushtarë, duke thënë: "Po ne çfarë do të bëjmë?". Dhe ai u tha: "Mos paditni rrejshëm asnjë dhe as mos zhvatni asnjeri; dhe mjaftohuni me pagesat tuaja".
15 Tani, ndërsa populli ishte në pritje dhe të gjithë arsyetonin në zemrat e tyre në lidhje me Gjonin, se mos ai ishte Krishti,
16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: "Unë vërtet ju pagëzoj në ujë, por po vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë që t'i zgjidh lidhësen e sandaleve të tij; ai do t'ju pagëzojë në Frymë të Shenjtë dhe në zjarr.
17 Terplotja e vet është në dorën e tij dhe do ta pastrojë krejt lëmin e vet dhe do ta mbledhë grurin në hambarin e tij, por kashtën do ta djegë krejt në zjarr të pashueshëm".
18 Kështu, duke nxitur edhe me shumë mënyra të tjera, i shpallte lajmin e mirë popullit.
19 Por Herodi, tetrarku, ngaqë ishte qortuar nga Gjoni në lidhje me Herodiadën, gruan vëllait të vet, dhe në lidhje me gjithë të ligat që ai kishte bërë,
20 shtoi edhe këtë mbi të gjitha të ligat: gjithashtu mbylli Gjonin në burg.
21 Tani, ndodhi që, kur u pagëzua i gjithë populli dhe ndërsa u pagëzua Jezusi dhe po lutej, u hap qielli
22 dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të në dukje trupore porsi pëllumb; dhe një zë erdhi prej qiellit, duke thënë: "Ti je Biri im, i Dashuri; në ty gjeta pëlqim!".
23 Dhe vetë Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç kur filloi shërbesën; duke qenë (siç mendohej) bir i Jozefit, i Helit,
24 i Matanit, i Levit, i Melkit, i Joanait, i Jozefit,
25 i Matatias, i Amosit, i Naumit, i Eslimit, i Nagait,
26 i Mahatit, i Matatias, i Semeit, i Jozekit, i Jodës,
27 i Joananit, i Resas, i Zorobabelit, i Salatielit, i Nerit,
28 i Melkit, i Adit, i Kosamit, i Elmodamit, i Erit,
29 i Joseut, i Eliezerit, i Jorimit, i Matatit, i Levit,
30 i Simeonit, i Judës, i Jozefit, i Jonait, i Eliakimit,
31 i Meleait, i Mainait, i Matatait, i Natanit, i Davidit,
32 i Jeseut, i Obedit, i Boozit, i Salmonit, i Nahasonit,
33 i Aminadabit, i Aramit, i Joramit, i Esromit, i Faresit, i Judës,
34 i Jakobit, i Isakut, i Abrahamit, i Tarait, i Nahorit,
35 i Serukut, i Ragaut, i Falekut, i Eberit, i Salait,
36 i Kainanit, i Arfaksadit, i Semit, i Noeut, i Lamekut,
37 i Matusalait, i Enokut, i Jaredit, i Maleleelit, i Kainanit,
38 i Enosit, i Setit, i Adamit, i Perëndisë.
Të gjithë librat
