Ungjilli sipas Lukës 24
1 Tani, të parën ditë të javës, shumë herët në agim, ato gra dhe disa të tjera bashkë me to, erdhën te varri duke sjellë përbërës erëmirë që përgatitën.
2 Por gjetën gurin të rrokullisur nga varri,
3 dhe kur hynë brenda, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
4 Dhe ndodhi që, ndërsa ato ishin tepër të hutuara rreth kësaj gjëje, ja, qëndruan afër atyre dy burra me veshje që vetëtinin.
5 Dhe ndërsa ato ishin të tmerruara dhe ulën fytyrat përdhe, burrat u thanë atyre: "Pse e kërkoni të gjallin mes të vdekurve?
6 Nuk është këtu, por u ngjall! Kujtohuni si ju foli kur ishte ende në Galile,
7 duke thënë se Biri i Njeriut duhet të dorëzohet në duart e njerëzve mëkatarë dhe të kryqëzohet, dhe të tretën ditë të ringjallet".
8 Dhe ato u kujtuan për thëniet e tij.
9 Dhe kur u kthyen nga varri, ua njoftuan të gjitha këto të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.
10 Tani, ishin Maria Magdalena dhe Joana, dhe Maria, nëna e Jakobit, si dhe të tjerat bashkë me to, që po ua thoshin apostujve këto gjëra.
11 Mirëpo përpara tyre u dukën si gjepura thëniet e grave dhe ata nuk u besonin grave.
12 Por Pjetri u ngrit dhe vrapoi te varri, dhe si u përkul për të parë, pa vetëm mbështjellëset prej liri të shtrira. Dhe shkoi, duke u mrekulluar me vete për atë që kishte ndodhur.
13 Dhe ja, në po atë ditë, dy prej tyre ishin duke shkuar në një fshat që ishte gjashtëdhjetë stade larg nga Jerusalemi, emri i të cilit ishte Emaus.
14 Dhe ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha këtyre gjërave që kishin ngjarë.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin dhe po rragateshin, edhe vetë Jezusi u afrua dhe po ecte bashkë me ta
16 (por sytë e tyre pengoheshin për të mos e njohur atë).
17 Dhe Jezusi u tha atyre: "Çfarë janë këto fjalë që shkëmbeni me njëri-tjetrin duke ecur dhe pse jeni të vrenjtur?".
18 Dhe njëri nga ata, emri i të cilit ishte Kleopas, duke u përgjigjur, i tha: "A je ti i vetmi që je ardhës në Jerusalem dhe që nuk i paske marrë vesh ato që ndodhën aty gjatë këtyre ditëve?".
19 Dhe Jezusi u tha: "Cilat?". Dhe ata i thanë: "Ato rreth Jezusit, nazaretasit, i cili qe profet i fuqishëm në vepër dhe në fjalë në sytë e Perëndisë dhe të gjithë popullit.
20 Edhe si kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan për dënim me vdekje dhe e kryqëzuan.
21 Por ne shpresonim se ai vetë ishte ai që do ta shpengonte Izraelin. Porse, përveç të gjitha këtyre gjërave, kjo është sot dita e tretë që po kalon qëkurse ndodhën këto gjëra.
22 Por edhe disa gra prej nesh na shastisën kur shkuan herët te varri
23 dhe, duke mos e gjetur trupin e tij, erdhën duke thënë se kishin parë edhe një vegim engjëjsh, të cilët thanë se ai është gjallë.
24 Dhe disa nga ata që ishin bashkë me ne, shkuan te varri dhe e gjetën pikërisht ashtu siç thanë edhe gratë, por atë nuk e panë".
25 Dhe ai u tha atyre: "O të pamend dhe të ngadalshëm nga zemra për të besuar në të gjitha ato që folën profetët!
26 A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra dhe të hynte në lavdinë e tij?".
27 Dhe duke filluar nga Moisiu dhe nga të gjithë profetët, u interpretonte atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me veten e tij.
28 Dhe ata u afruan në fshatin ku po shkonin, dhe ai bënte sikur po shkonte më tej.
29 Dhe ata e detyruan, duke thënë: "Rri me ne, se po bëhet mbrëmje dhe dita është thyer". Dhe ai hyri për të ndenjur bashkë me ta.
30 Dhe ndodhi që, ndërsa ai u shtrua për të ngrënë me ta, duke marrë bukën, bekoi; dhe si e theu, ua jepte atyre.
31 Dhe sytë e tyre u hapën dhe e njohën atë plotësisht. Dhe ai u zhduk nga sytë e tyre.
32 Dhe ata thanë me njëri-tjetrin: "A nuk po digjej zemra jonë në ne, kur na fliste gjatë rrugës dhe kur na hapte Shkrimet?".
33 Dhe u ngritën në atë orë e u kthyen në Jerusalem, dhe gjetën të mbledhur bashkë të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin bashkë me ta,
34 duke thënë: "U ngjall Zoti vërtet dhe iu shfaq Simonit".
35 Dhe ata të dy nisën të tregonin gjërat që kishin ndodhur gjatë rrugës dhe si iu bë i njohur atyre në thyerjen e bukës.
36 Tani, ndërsa ata po flisnin këto gjëra, vetë Jezusi qëndroi në mes tyre dhe u tha: "Paqja me ju!".
37 Por ata, duke u lemerisur dhe duke qenë të tmerruar, pandehnin se po vërenin një frymë.
38 Dhe Jezusi u tha: "Pse jeni të tronditur dhe përse lindin dyshime në zemrat tuaja?
39 Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, se vetë unë jam. Më prekni dhe shikoni, se një frymë nuk ka mish dhe kocka, ashtu si po vëreni që unë kam".
40 Dhe si tha këtë, u tregoi atyre duart dhe këmbët.
41 Por ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe ndërsa po mrekulloheshin, Jezusi u tha: "Keni diçka për të ngrënë këtu?".
42 Dhe ata i dhanë një copë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.
43 Dhe ai i mori dhe hëngri përpara tyre.
44 Dhe u tha atyre: "Këto janë fjalët, të cilat jua fola juve kur isha ende bashkë me ju: se duhet të përmbushen të gjitha ato që janë shkruar në Ligjin e Moisiut dhe në Profetët, dhe në Psalmet, lidhur me mua".
45 Atëherë ua hapi mendjen që të kuptonin Shkrimet
46 dhe u tha: "Kështu është shkruar dhe kështu duhej që Krishti të vuante dhe të ringjallej prej të vdekurve të tretën ditë,
47 dhe që të predikohej në emrin e tij pendim dhe falje e mëkateve në të gjitha kombet, duke filluar nga Jerusalemi.
48 Dhe ju jeni dëshmitarë të këtyre gjërave.
49 Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju rrini në qytetin e Jerusalemit, derisa të visheni me fuqi prej së larti".
50 Dhe i priu ata jashtë deri në Betani, dhe duke ngritur duart e tij, i bekoi.
51 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda nga ata dhe çohej lart në qiell.
52 Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh,
53 dhe ishin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe duke bekuar Perëndinë. Amen.
Të gjithë librat
