Ungjilli sipas Lukës 21
1 Dhe duke ngritur sytë, Jezusi pa të pasurit që hidhnin dhuratat e tyre në arkën e ofertës.
2 Dhe pa një vejushë nevojtare duke hedhur atje dy të holla bakri.
3 Dhe tha: "Vërtet po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se të gjithë.
4 Sepse të gjithë këta hodhën në vendin për dhuratat për Perëndinë prej tepricës së tyre, ndërsa kjo, prej skamjes së saj, hodhi gjithë atë që kishte për jetesën".
5 Dhe ndërsa disa po thoshin për tempullin se ishte stolisur me gurë të bukur dhe oferta kushtimi, Jezusi tha:
6 "Për këto që po vëreni, do të vijnë ditë në të cilat nuk do të lihet gur mbi gur që nuk do të rrëzohet".
7 Dhe ata e pyetën duke thënë: "Mësues, kur, pra, do të ngjasin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja kur kanë për të ndodhur këto?".
8 Dhe ai tha: "Kini kujdes të mos mashtroheni! Sepse shumë do të vijnë për llogari të emrit tim duke thënë: 'Unë jam', dhe: 'Koha është afruar'. Të mos shkoni, pra, mbas tyre!
9 Dhe kur të dëgjoni për luftëra dhe trazira, të mos lemeriseni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin së pari, por nuk do të vijë menjëherë fundi".
10 Atëherë nisi t'u thoshte atyre: "Do të çohet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.
11 Do të ketë qoftë tërmete të mëdha nëpër vende të ndryshme e qoftë zi buke dhe murtaja. Do të ketë qoftë dukuri të llahtarshme e qoftë shenja të mëdha nga qielli.
12 Por përpara të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t'ju përndjekin duke ju dorëzuar në sinagoga dhe burgje, duke ju çuar para mbretërve dhe qeveritarëve për shkak të emrit tim.
13 Por kjo do t'ju japë rast për dëshmi.
14 Vendoseni, pra, në zemrat tuaja që të mos parapërgatiteni për t'u mbrojtur,
15 sepse unë do t'ju jap gojë dhe urtësi të cilën nuk do të mund ta kundërshtojnë dhe as t'i bëjnë ballë asnjë nga ata që ju kundërvihen.
16 Por do të dorëzoheni edhe nga prindërit dhe farefisi, dhe miqtë, dhe vëllezërit; dhe do të çojnë në vdekje disa prej jush.
17 Dhe do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim.
18 Por asnjë fije floku prej kokës suaj nuk do të humbasë aspak.
19 Me ngulmimin tuaj do të fitoni jetët tuaja.
20 Por kur të shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtri, atëherë ta dini se shkretimi i tij është afruar.
21 Atëherë ata në Judé duhet të ikin në male; dhe ata që janë në mes të qytetit, duhet të largohen, dhe ata në fusha mos të hyjnë në të;
22 sepse këto janë ditë hakmarrjeje, që të përmbushen të gjitha ato që janë shkruar.
23 Por mjerë ato gra që kanë fëmijë në bark dhe ato që mëndin foshnja në ato ditë! Sepse atëherë do të ketë shtrëngim të madh mbi vend dhe zemërim këtij populli.
24 Dhe do të bien nga tehu i shpatës, dhe do të merren robër në të gjitha kombet, dhe Jerusalemi do të jetë shkelur nga kombet derisa të përmbushen kohët e kombeve.
25 Dhe do të ketë shenja në diell dhe në hënë, dhe në yje; dhe mbi tokë do të ketë ankth të kombeve në hutim, ndërsa gjëmon deti dhe tallazi,
26 ndërsa njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritshmëria e atyre gjërave që do të vijnë mbi njerëzimin, sepse fuqitë e qiejve do të tunden.
27 Dhe atëherë do ta shikojnë Birin e Njeriut duke ardhur në re me fuqi dhe lavdi të madhe.
28 Dhe kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtohuni dhe ngrijini kokat, sepse po afrohet shpengimi juaj".
29 Dhe u tha atyre një shëmbëlltyrë: "Shikoni fikun dhe të gjitha pemët e tjera.
30 Kur tashmë të kenë mugulluar, duke i parë, ju vetë e dini se vera, tashmë, është afër.
31 Kështu edhe ju, kur t'i shikoni këto gjëra duke ndodhur, ta dini se është afër Mbretëria e Perëndisë.
32 Me të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë aspak, derisa të ndodhin të gjitha.
33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë kurrë.
34 Por bëni kujdes për veten tuaj, se mos rëndohen zemrat tuaja në të pirë dhe në dehje, dhe në shqetësime jetësore, dhe papritur të pllakosë ajo ditë mbi ju,
35 sepse do të vijë si kurth mbi të gjithë ata që banojnë mbi sipërfaqen e gjithë tokës.
36 Prandaj vigjiloni në çdo kohë, duke u përgjëruar që të çmoheni të denjë t'u ikni të gjitha gjërave që kanë për të ndodhur dhe të qëndroni përpara Birit të Njeriut".
37 Dhe Jezusi ditëve ishte duke dhënë mësim në tempull, ndërsa netëve dilte dhe e kalonte natën në malin që quhet "i Ullinjve".
38 Dhe gjithë populli ngrihej herët dhe shkonte tek ai në mal për ta dëgjuar.
Të gjithë librat
