Ungjilli sipas Lukës 20
1 Dhe në një prej atyre ditëve ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte popullin në tempull dhe po shpallte lajmin e mirë, u afruan priftërinjtë dhe skribët, bashkë me pleqtë,
2 dhe i folën atij duke thënë: "Na thuaj, me çfarë pushteti i bën këto gjëra? Apo kush është ai që ta dha këtë pushtet?".
3 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha: "Do t'ju pyes edhe unë një gjë dhe ma thoni:
4 Pagëzimi i Gjonit ishte prej qiellit apo prej njerëzve?".
5 Dhe ata diskutuan bashkë me njëri-tjetrin, duke thënë: "Po të themi 'prej qiellit', ai do të thotë 'Përse, atëherë, nuk i besuat?',
6 por po të themi 'prej njerëzve', gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet".
7 Dhe u përgjigjën se nuk e dinin prej nga ishte.
8 Dhe Jezusi u tha: "As unë nuk ju them me çfarë pushteti i bëj këto gjëra".
9 Dhe filloi t'i thoshte popullit këtë shëmbëlltyrë: "Një njeri mbolli një vresht dhe ua dha me qira disa bujqve, dhe shtegtoi për një kohë të gjatë.
10 Dhe në kohën e vjeljes dërgoi te bujqit një skllav, që t'i jepnin atij nga fryti i vreshtit. Por bujqit, mbasi e rrahën, e nisën me duar bosh.
11 Dhe ai përsëri u dërgoi atyre një tjetër skllav. Por ata, si rrahën dhe çnderuan edhe atë, e nisën me duar bosh.
12 Dhe ai përsëri dërgoi një të tretë. Por ata si e plagosën edhe këtë, e dëbuan.
13 Dhe i zoti i vreshtit tha: "Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim, të dashurin. Ndoshta, duke parë këtë, do të kenë respekt".
14 Dhe kur e panë atë, bujqit nisën të diskutonin me njëri-tjetrin, duke thënë: "Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim, me qëllim që trashëgimia të bëhet e jona".
15 Dhe si e nxorën jashtë vreshtit, e vranë. Çfarë, pra, do t'u bëjë atyre i zoti i vreshtit?!
16 Do të vijë dhe do t'i shkatërrojë këta bujq, dhe do t'ua japë vreshtin të tjerëve". Dhe kur ata e dëgjuan këtë, thanë: "Kurrë mos qoftë!".
17 Por Jezusi, duke ua ngulur sytë, tha: "Çfarë do të thotë, pra, kjo që është shkruar: 'Guri të cilin e hodhën poshtë ndërtuesit, ky u bë gur këndi'?
18 Kushdo që ra mbi atë gur, do të copëtohet; dhe mbi cilindo që ky gur të bjerë, do ta thërrmojë".
19 Dhe kryepriftërinjtë e skribët kërkuan të vënë dorë mbi të në atë orë, por patën frikë popullin, sepse e kuptuan që për ta i thoshte shëmbëlltyrat.
20 Dhe duke e vëzhguar Jezusin, dërguan spiunë që shtireshin se ishin të drejtë, me qëllim që ta kapnin në fjalë, për t'ia dorëzuar parisë dhe pushtetit të qeveritarit.
21 Dhe ata e pyetën, duke thënë: "Mësues, e dimë se flet dhe mëson saktë, dhe nuk mban anë, por mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë.
22 A është e lejueshme për ne që t'i japim haraç Cezarit apo jo?".
23 Por Jezusi, duke vërejtur dinakërinë e tyre, u tha: "Pse më vini në provë?
24 Më tregoni një denar. Figurën dhe mbishkrimin e kujt ka?". Dhe duke u përgjigjur, ata thanë: "Të Cezarit".
25 Dhe ai u tha atyre: "Jepini, si rrjedhim, Cezarit ato që janë të Cezarit dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë".
26 Dhe nuk mundën ta kapnin në sy të popullit në thënien e tij; dhe duke u mrekulluar nga përgjigjja e tij, heshtën.
27 Dhe si erdhën pranë disa saducenj (ata që thonë se nuk ka ringjallje), e pyetën
28 duke thënë: "Mësues, Moisiu shkroi për ne se po të vdesë vëllai i dikujt, duke pasur grua dhe ai të vdesë pa fëmijë, duhet që i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t'i lindë pasardhës të vëllait.
29 Atëherë, ishin shtatë vëllezër dhe i pari, si mori grua, vdiq pa fëmijë.
30 Edhe i dyti e mori për grua dhe edhe ky vdiq pa fëmijë.
31 Edhe i treti po ashtu e mori atë për grua. Tani, po ashtu që të shtatët nuk lanë pas fëmijë dhe vdiqën.
32 Dhe në fund fare vdiq edhe gruaja.
33 Në ringjallje, pra, e cilit nga ata bëhet grua? Sepse të shtatët e patën grua".
34 Dhe duke u përgjigjur, Jezusi u tha atyre: "Bijtë e kësaj epoke martohen dhe jepen në martesë,
35 por ata që u çmuan të denjë për të arritur atë epokë dhe ringjalljen prej të vdekurve, as martohen, as jepen në martesë.
36 Sepse as edhe nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëj dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes.
37 Por që ngjallen të vdekurit, edhe Moisiu e bëri të ditur te pjesa për ferrishtën, kur thotë për Zotin, Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit.
38 Tani, ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i atyre që jetojnë; sepse për të, të gjithë jetojnë".
39 Dhe disa skribë, duke u përgjigjur, thanë: "Mësues, e the mirë",
40 dhe nuk guxonin më ta pyesin për asgjë.
41 Tani, Jezusi u tha atyre: "Si thonë se Krishti është bir i Davidit?
42 Dhe vetë Davidi thotë në librin e Psalmeve: 'I tha Zoti Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
43 derisa t'i vë armiqtë e tu si nënkëmbëz të këmbëve të tua'.
44 Davidi, pra, e thërret atë Zot; e si është bir i tij?".
45 Dhe ndërsa gjithë populli po dëgjonte, Jezusi u tha dishepujve të tij:
46 "Bëni kujdes nga skribët që u pëlqen të ecin me petka të gjata dhe që duan përshëndetjet në sheshe, dhe ndenjëset e para në sinagoga, dhe kryevendet në darka;
47 të cilët përpijnë shtëpitë e vejushave dhe luten gjatë për shtirje. Këta do të marrin gjykim më të rëndë".
Të gjithë librat
