Ungjilli sipas Lukës 19
1 Dhe Jezusi hyri e po përshkonte Jerikon.
2 Dhe ja, një burrë që e kishte emrin Zake; dhe ai ishte kryetagrambledhës, dhe ky ishte i pasur.
3 Dhe po kërkonte të shihte se kush ishte Jezusi, por nuk mundej për shkak të turmës, se ishte i vogël nga shtati.
4 Dhe duke vrapuar përpara, u ngjit në një pemë sikomori që të shikonte Jezusin, sepse ai do të kalonte asaj rruge.
5 Dhe kur erdhi Jezusi në atë vend, duke parë lart, e pa atë dhe i tha: "Zake, nxito dhe zbrit, sepse sot unë duhet të rri në shtëpinë tënde".
6 Dhe duke nxituar, ai zbriti dhe e priti Jezusin me gëzim.
7 Dhe kur e panë këtë, të gjithë murmurisnin duke thënë: "Ky hyri për të bërë konak te një njeri mëkatar".
8 Por Zakeu, duke qëndruar në këmbë, i tha Zotit: "Ja, gjysmat e atyre që më përkasin, o Zot, ua jap të varfërve dhe nëse zhvata diçka të ndokujt, ia kthej katërfish".
9 Dhe Jezusi i tha atij: "Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
10 Sepse Biri i Njeriut erdhi për të kërkuar dhe për të shpëtuar atë që ka humbur".
11 Tani, ndërsa ata po i dëgjonin këto gjëra, Jezusi tha përsëri një shëmbëlltyrë, për shkak se ai ishte afër Jerusalemit dhe se ata pandehnin se Mbretëria e Perëndisë do të shfaqej përnjëherë.
12 Prandaj tha: "Një fisnik shkoi në një vend të largët që të merrte për veten një mbretërim dhe të kthehej.
13 Dhe si thirri dhjetë skllevër të vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: 'Vërini në punë ndërsa jam duke ardhur'.
14 Por qytetarët e tij e urrenin dhe dërguan një përfaqësi mbas tij, duke thënë: 'Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne!'.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa ai u kthye, mbasi kishte marrë mbretërimin, kërkoi t'ia thërrisnin ata skllevër të cilëve u dha paranë, me qëllim që të dinte se çfarë kishte fituar secili.
16 Dhe erdhi i pari duke thënë: 'Zotëri, mina jote solli dhjetë mina më shumë'.
17 Dhe zotëria i tha atij: 'Të lumtë, skllav i mirë! Ngaqë u tregove besnik në gjënë më të vogël, ki pushtet mbi dhjetë qytete!'.
18 Dhe erdhi i dyti duke thënë: 'Zotëri, mina jote bëri pesë mina'.
19 Dhe zotëria i tha edhe këtij: 'Edhe ti ji mbi pesë qytete!'.
20 Dhe një tjetër erdhi duke thënë: 'Zotëri, ja mina jote, të cilën e kisha vënë mënjanë në një rizë,
21 sepse kisha frikë nga ti, se je njeri i rreptë; ti merr çfarë nuk vure dhe korr çfarë nuk mbolle, dhe mbledh prej aty ku nuk shpërndave'.
22 Zotëria i tha atij: 'Prej gojës sate do të të gjykoj, o skllav i lig. E dije se unë jam njeri i rreptë, që marr çfarë nuk vura dhe që korr çfarë nuk mbolla, dhe që mbledh prej aty ku nuk shpërndava?!
23 Atëherë, përse nuk e vure paranë time në bankë dhe kur unë të vija, do ta vilja bashkë me interesin?'.
24 Dhe u tha atyre që qëndronin pranë: 'Merreni prej tij minën dhe jepjani atij që ka dhjetë minat'.
25 Dhe ata i thanë: 'Zotëri, ka dhjetë mina!'.
26 'Sepse po ju them se çdokujt që ka, do t'i jepet; po prej atij që nuk ka, edhe ajo çfarë ka do të merret prej tij.
27 Por sa për ata armiqtë e mi, që nuk deshën që unë të mbretëroja mbi ta, sillini këtu dhe therini përpara meje'".
28 Dhe mbasi i tha këto, Jezusi shkonte përpara duke u ngjitur në Jerusalem.
29 Dhe ndodhi që, si iu afrua Betsfagës dhe Betanisë, pranë malit që quhet "i Ullinjve", dërgoi dy nga dishepujt e tij,
30 duke thënë: "Shkoni në fshatin kundruall, në të cilin, kur të hyni, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk u ul ndonjëherë asnjë njeri. Zgjidheni dhe silleni.
31 Dhe po t'ju pyesë kush: 'Përse po e zgjidhni?', do t'i thoni kështu: 'Zotëria ka nevojë për të'".
32 Dhe ata që ishin dërguar, si shkuan, e gjetën kërriçin duke qëndruar, ashtu siç u tha Jezusi.
33 Dhe ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: "Pse po e zgjidhni kërriçin?".
34 Dhe ata thanë: "Zotëria ka nevojë për të".
35 Dhe e sollën te Jezusi; dhe si hodhën rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.
36 Dhe ndërsa ai shkonte, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.
37 Dhe ndërsa ai po afrohej tashmë pranë tatëpjetës së Malit të Ullinjve, e gjithë moria e dishepujve filloi me gëzim të lavdëronte Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqisë që kishin parë,
38 duke thënë: "I bekuar është ai që vjen mbret në emër të Zotit! Paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta!".
39 Dhe disa farisenj nga turma i thanë Jezusit: "Mësues, qortoji dishepujt e tu!".
40 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha: "Po ju them se po të heshtnin këta, gurët do të kishin bërtitur".
41 Dhe si u afrua, duke parë qytetin, qau për të,
42 duke thënë: "Sikur t'i njihje edhe ti, të paktën në këtë ditën tënde, ato që nevojiten për paqen tënde! Por tani janë fshehur nga sytë e tu.
43 Se do të vijnë mbi ty ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh dhe do të të rrethojnë, dhe do të të shtrëngojnë nga çdo anë,
44 dhe do të të rrafshojnë ty dhe fëmijët e tu që banojnë në ty, dhe nuk do të lënë në ty gur mbi gur, për shkak se nuk e njohe kohën e vizitës sate".
45 Dhe kur hyri në tempull, filloi të dëbonte ata që shisnin në të dhe që blinin,
46 duke u thënë: "Është shkruar: 'Shtëpia ime është shtëpi lutjeje; por ju e bëtë një shpellë kusarësh'".
47 Dhe ishte duke mësuar çdo ditë në tempull, por kryepriftërinjtë dhe skribët e kërkonin për ta zhdukur, si dhe të parët e popullit,
48 mirëpo nuk dinin se çfarë duhet të bënin sepse i gjithë populli, duke dëgjuar, varej nga fjala e tij.
Të gjithë librat
