Ungjilli sipas Lukës 16
1 Dhe Jezusi u tha, gjithashtu, dishepujve të tij: "Ishte një njeri i pasur, i cili kishte një administrator dhe ky u padit tek ai se po i shkapërderdhte kamjen e tij.
2 Dhe si e thirri, i tha: 'Çfarë është kjo që dëgjoj për ty? Më jep llogari për administrimin tënd, sepse nuk mund të jesh më administrator'.
3 Dhe administratori tha me vete: 'Çfarë të bëj, sepse zotëria im po e heq administrimin nga unë? Nuk kam forcë për të gërmuar, dhe për të lypur, kam turp.
4 E kuptova çfarë të bëj që, kur të largohem prej administrimit, njerëzit të më presin në shtëpitë e tyre'.
5 Dhe duke thirrur pranë çdonjërin nga borxhlinjtë e zotërisë së vet, nisi t'i thoshte të parit: 'Sa i detyrohesh ti zotërisë tim?'.
6 Dhe ai tha: 'Njëqind batë vaj'. Dhe ai i tha: 'Merr dëftesën tënde dhe ulu shpejt e shkruaj pesëdhjetë'.
7 Mandej i tha një tjetri: 'Po ti sa i detyrohesh?'. Dhe ai tha: 'Njëqind kora grurë'. Dhe administratori i tha: 'Merr dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë'.
8 Dhe zotëria e lavdëroi administratorin e padrejtë, se veproi me mençuri. Se bijtë e kësaj epoke, në lidhje me brezin e vet, janë më të mençur sesa bijtë e dritës.
9 Dhe unë po ju them: bëni miq për veten tuaj prej mamonit të padrejtë, që kur të mbaroni, t'ju presin në tendat e përjetshme.
10 Ai që është besnik në gjënë më të vogël, është besnik edhe në atë të madhe; dhe ai që është i padrejtë në gjënë më të vogël, është i padrejtë edhe në atë të madhe.
11 Prandaj, nëse në mamonin e padrejtë nuk qetë besnikë, kush do t'jua besojë juve pasurinë e vërtetë?
12 Dhe nëse në gjënë e huaj nuk qetë besnikë, kush do t'jua japë juve gjënë tuaj?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe tjetrin do ta dojë, ose do të kapet mbas njërit dhe tjetrin do ta përçmojë. Ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit".
14 Tani, edhe farisenjtë, që ishin dashurues të parasë, i dëgjonin të gjitha këto dhe e përqeshnin.
15 Dhe Jezusi u tha atyre: "Ju jeni ata që e përligjni veten tuaj përpara njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja, se ajo që është e lartë ndër njerëzit, neveri përpara Perëndisë.
16 Ligji dhe Profetët ishin deri te Gjoni; që atëherë po shpallet si lajm i mirë Mbretëria e Perëndisë dhe kushdo hyn forcërisht në të.
17 Por është më e lehtë që të kalojnë qielli dhe toka, sesa të bjerë një pikë e vetme e Ligjit.
18 Kushdo që e lëshon gruan e vet dhe martohet me një tjetër, bën kurorëshkelje; dhe kushdo që martohet me një që është lëshuar nga burri, bën kurorëshkelje.
19 Tani, ishte një njeri i pasur dhe ai vishej me purpur dhe li të hollë, duke festuar çdo ditë shkëlqyeshëm.
20 Por ishte edhe një i varfër me emrin Llazar, i cili dergjej pranë portës së tij, mbuluar me plagë
21 dhe duke dëshiruar të ngopej nga thërrimet që binin nga tryeza e të pasurit; porse edhe qentë vinin dhe lëpinin ulcerat e tij.
22 Tani, ndodhi që i varfri vdiq dhe ai u çua nga engjëjt në gjirin e Abrahamit. Por vdiq edhe i pasuri, dhe u varros.
23 Dhe në Hades, duke qenë në mundime, ngriti sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gjirin e tij.
24 Dhe ai, duke thirrur, tha: 'O atë Abraham, ki mëshirë për mua dhe dërgo Llazarin që të ngjyejë majën e gishtit të tij në ujë dhe të freskojë gjuhën time, se po vuaj në këtë flakë'.
25 Por Abrahami tha: 'O bir, kujtohu se ti i more të mirat e tua në jetën tënde dhe ngjashëm Llazari të këqijat. Por tani, këtu ai ngushëllohet, ndërsa ti vuan.
26 Dhe përveç të gjitha këtyre, midis nesh dhe jush është vendosur një humnerë e madhe, me qëllim që ata që dëshirojnë të kalojnë nga këtu te ju, të mos munden, dhe as ata prej aty të kalojnë te ne'.
27 Dhe ai tha: 'Atëherë, të lutem, o atë, që ta dërgosh atë në shtëpinë e atit tim,
28 sepse kam pesë vëllezër, me qëllim që t'i paralajmërojë ata që të mos vijnë edhe ata në këtë vend të mundimit'.
29 Abrahami i tha: 'Kanë Moisiun dhe Profetët. T'i dëgjojnë ata'.
30 Por ai tha: 'Jo, jo, o atë Abraham, por po të shkojë dikush nga të vdekurit tek ata, do të pendohen'.
31 Por Abrahami i tha: 'Nëse nuk dëgjojnë Moisiun dhe Profetët, as edhe po të ringjallet dikush prej të vdekurve, nuk do të binden'".
Të gjithë librat
