Ungjilli sipas Lukës 8
1 Tani, ndodhi që, më pas, Jezusi po kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke predikuar dhe duke shpallur si lajm të mirë Mbretërinë e Perëndisë; edhe të dymbëdhjetët ishin bashkë me të,
2 dhe disa gra të cilat ishin shëruar nga frymëra të liga dhe lëngata: Maria, që quhej Magdalenë, nga e cila kishin dalë shtatë demonë,
3 dhe Joana, gruaja e Kuzait, kujdestarit të pasurisë së Herodit, dhe Suzana, edhe shumë të tjera, të cilat, prej kamjes së tyre, u shërbenin Jezusit dhe të dymbëdhjetëve.
4 Tani, ndërsa ishin bërë bashkë një turmë e madhe dhe ata që udhëtonin nga çdo qytet për te Jezusi, ai tha nëpërmjet një shëmbëlltyre:
5 "Doli mbjellësi për të mbjellë farën e tij. Dhe ndërsa ai mbillte, një pjesë ra përgjatë rrugës dhe u shkel, dhe zogjtë e qiellit e përpinë.
6 Dhe një pjesë tjetër ra poshtë në shkëmb dhe, kur mbiu, u tha, për shkak se nuk kishte vlagë.
7 Dhe një pjesë tjetër ra në mes të ferrave dhe ferrat u rritën bashkë me të dhe e mbytën.
8 Dhe një pjesë tjetër ra në tokën e mirë dhe, kur mbiu, bëri fryt njëqindfish". Duke thënë këto gjëra thërriste: "Ai që ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!".
9 Tani, dishepujt e tij nisën ta pyesnin çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë.
10 Dhe ai tha: "Juve ju është dhënë të njihni misteret e Mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve me shëmbëlltyra, që 'duke parë, të mos shohin dhe, duke dëgjuar, të mos kuptojnë'.
11 Tani, kjo është shëmbëlltyra: fara është fjala e Perëndisë.
12 Ndërsa ato përgjatë rrugës janë ata që dëgjuan, pastaj vjen djalli dhe e heq fjalën nga zemra e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen.
13 Ndërsa ato në shkëmb janë ata që, kur dëgjojnë, e pranojnë fjalën me gëzim; mirëpo këta nuk kanë rrënjë, janë ata që besojnë për një kohë dhe në kohën e sprovës largohen.
14 Ndërsa ajo që ra ndër ferrat, këta janë ata që dëgjuan, mirëpo, duke ecur, mbyten nga shqetësimet dhe pasuritë, dhe qejfet e jetesës, dhe nuk sjellin fryt të pjekur.
15 Ndërsa ajo që ra në tokën e mirë, këta janë ata që, si e dëgjuan fjalën, e mbajnë në zemër të ndershme dhe të mirë, dhe japin fryt me qëndrueshmëri.
16 Tani, askush kur ndez një kandil, nuk e mbulon me ndonjë enë apo e vë poshtë dyshekut, përkundrazi, e vë mbi kandiler, me qëllim që ata që hyjnë, të shohin dritën.
17 Sepse nuk ka të fshehtë e cila nuk do të dalë në pah, dhe nuk ka sekret i cili nuk do të njihet dhe nuk do të vijë në dritë.
18 Kini kujdes, pra, si dëgjoni; sepse cilitdo që të ketë, do t'i jepet, dhe cilitdo që të mos ketë, edhe ajo që pandeh se ka, do të merret prej tij".
19 Tani, erdhi tek ai nëna dhe vëllezërit e tij, por nuk arrinin për t'u takuar me të për shkak të turmës.
20 Dhe atij iu njoftua: "Nëna jote dhe vëllezërit e tu po qëndrojnë jashtë duke dashur të të shohin".
21 Por ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: "Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë".
22 Tani, ndodhi që, në një prej atyre ditëve, ai hipi në një varkë bashkë me dishepujt e tij dhe u tha atyre: "Të kalojmë në anën tjetër të liqenit"; dhe u nisën në lundrim.
23 Dhe ndërsa ata po lundronin, Jezusin e zuri gjumi; dhe një furtunë ere ra në liqen, dhe varka po mbushej me ujë, dhe ishin në rrezik.
24 Dhe ata erdhën pranë Jezusit dhe e zgjuan duke thënë: "Mjeshtër, mjeshtër, po humbasim!". Dhe ai, si u zgjua, qortoi erën dhe dallgët e ujit, dhe ato pushuan e u bë bunacë.
25 Dhe u tha atyre: "Ku është besimi juaj?". Dhe ata u frikësuan e u mrekulluan, duke thënë me njëri-tjetrin: "Kush, vallë, është ky që u jep urdhër edhe erërave, edhe ujit, dhe ato i binden?".
26 Dhe lundruan për në krahinën e gerasenëve, e cila ndodhet kundrejt Galilesë.
27 Dhe kur Jezusi doli në breg, i doli para prej atij qyteti një burrë që kishte demonë dhe prej mjaft kohësh nuk kishte veshur rrobë dhe nuk rrinte në shtëpi, por ndër varreza.
28 Tani, kur pa Jezusin, ra para tij duke këlthitur dhe me zë të lartë tha: "Çfarë ka mes meje dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë, i Shumë të Lartit? Të përgjërohem të mos më mundosh!",
29 sepse Jezusi e urdhëroi frymën e ndyrë që të dilte nga ai njeri. (Se shumë herë fryma e kishte mbërthyer dhe atë e lidhnin me zinxhirë dhe pranga, duke e mbajtur në ruajtje, mirëpo ai i këpuste lidhjet dhe shtyhej nga demoni në vende të shkreta.)
30 Dhe Jezusi e pyeti: "Cili është emri yt?". Dhe ai tha: "Legjion", sepse në të kishin hyrë shumë demonë.
31 Dhe ata i përgjëroheshin Jezusit që të mos u jepte urdhër të shkonin në Abis.
32 Tani, atje ishte një tufë mjaft e madhe derrash duke kullotur në mal dhe demonët iu përgjëruan që t'i lejonte të hynin në ta; dhe Jezusi i lejoi.
33 Dhe kur demonët dolën nga njeriu, hynë në derrat dhe tufa u turr poshtë greminës në liqen, dhe u mbyt.
34 Tani, kur ata që kullosnin derrat, panë atë që kishte ndodhur, ikën dhe njoftuan në qytet dhe ndër ara.
35 Dhe njerëzit dolën për të parë atë që kishte ndodhur, dhe erdhën te Jezusi dhe e gjetën njeriun nga i cili kishin dalë demonët duke ndenjur ulur pranë këmbëve të Jezusit, të veshur dhe shëndoshë nga mendja; dhe u frikësuan.
36 Dhe ata që e panë ngjarjen, u kallëzuan atyre se si u shpëtua ai që qe i demonizuar.
37 Dhe gjithë moria nga rrethina e gerasenëve i kërkoi Jezusit që të largohej nga ata, sepse i kishte mbërthyer një frikë e madhe. Dhe ai hipi në varkë, dhe u kthye.
38 Por burri nga i cili kishin dalë demonët, i përgjërohej që të rrinte bashkë me të. Por Jezusi e nisi duke thënë:
39 "Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego gjithë sa bëri Perëndia për ty". Dhe ai shkoi nëpër tërë qytetin duke shpallur gjithë sa bëri Jezusi për të.
40 Tani, ndërsa Jezusi u kthye, turma e mirëpriti, sepse të gjithë ishin duke e pritur.
41 Dhe ja, erdhi një burrë, emri i të cilit ishte Jair, dhe ky ishte kryetar i sinagogës, dhe duke rënë pranë këmbëve të Jezusit, i përgjërohej që të hynte në shtëpinë e tij,
42 sepse ai kishte një bijë të vetme, rreth dymbëdhjetë vjeçe, dhe ajo po vdiste. Dhe ndërsa Jezusi po shkonte, turmat po e shtypnin.
43 Dhe një grua që ishte me rrjedhje gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh, e cila, megjithëse kishte shpenzuar nëpër mjekë tërë çfarë kishte për jetesën, nuk arriti të shërohej nga asnjë,
44 duke u afruar përmbrapa Jezusit, preku thekun e rrobës së tij dhe përnjëherësh i ndaloi rrjedhja e gjakut.
45 Dhe Jezusi tha: "Kush është ai që më preku?". Dhe meqenëse e mohuan të gjithë, Pjetri tha: "Mjeshtër, turmat po të shtrëngojnë dhe të ngjeshin".
46 Por Jezusi tha: "Dikush më preku, sepse unë kuptova që një fuqi ka dalë nga unë".
47 Tani, kur gruaja pa se nuk mbeti e padiktuar, erdhi duke u dridhur dhe, duke rënë përmbys para tij, kallëzoi përpara gjithë popullit për çfarë arsyeje e preku dhe si u shërua përnjëherësh.
48 Dhe ai i tha: "O bijë, besimi yt të ka shpëtuar. Shko në paqe".
49 Ndërsa ai ishte ende duke folur, erdhi dikush nga shtëpia e kreut të sinagogës, duke thënë: "Bija jote ka vdekur! Mos e bezdis më mësuesin".
50 Por Jezusi, kur e dëgjoi këtë, iu drejtua atij: "Mos u frikëso! Vetëm beso dhe ajo do të shpëtohet".
51 Dhe kur erdhi në shtëpi, nuk lejoi që të hynte ndokush bashkë me të, përveçse Pjetrin dhe Gjonin, dhe Jakobin, si dhe atin e fëmijës dhe nënën.
52 Tani, të gjithë qanin dhe rrihnin gjoksin për vajzën, por ai tha: "Mos qani, sepse ajo nuk ka vdekur, por po fle".
53 Dhe ata nisën ta përqeshnin, duke e ditur se ajo kishte vdekur.
54 Por ai, duke kapur dorën e saj, thirri duke thënë: "O fëmijë, çohu!".
55 Dhe fryma e saj u kthye, dhe ajo u ngrit përnjëherësh; dhe Jezusi urdhëroi që t'i jepnin asaj për të ngrënë.
56 Dhe prindërit e saj u shastisën, por ai i porositi që të mos ia thoshin askujt atë që kishte ndodhur.
Të gjithë librat
