Ungjilli sipas Lukës 6
1 Tani, ndodhi që, në shabat, Jezusi të kalonte përmes të mbjellave dhe dishepujt e tij po këpusnin kallinj dhe i hanin duke i shkoqur me duar.
2 Por disa nga farisenjtë u thanë: "Pse po bëni çfarë nuk është e lejueshme në shabat?".
3 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha: "A nuk e lexuat atë çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe ata që ishin me të?
4 Si hyri në Shtëpinë e Perëndisë dhe mori bukët e paraqitjes, dhe i hëngri e ua dha edhe atyre që ishin me të; bukë të cilat nuk është e lejueshme për t'i ngrënë askush, me përjashtim vetëm të priftërinjve?".
5 Dhe u tha atyre: "Zot i shabatit është Biri i Njeriut".
6 Tani, ndodhi që, në një shabat tjetër, Jezusi të hynte në sinagogë dhe të jepte mësim; dhe ishte aty një njeri, dhe dora e tij e djathtë ishte e tharë.
7 Dhe skribët e farisenjtë po e vëzhgonin nëse do të shëronte në shabat, me qëllim që të gjenin diçka për ta paditur.
8 Por ai i dinte arsyetimet e tyre dhe i tha burrit që e kishte dorën e tharë: "Çohu dhe qëndro në mes!". Dhe ai u ngrit dhe qëndroi.
9 Dhe Jezusi u tha atyre: "Po ju pyes: a është e lejueshme në shabat të bësh mirë apo të bësh keq, të shpëtosh jetë apo të shkatërrosh?".
10 Dhe si i pa rrotull të gjithë ata, i tha atij: "Shtrije dorën tënde!". Dhe ai bëri ashtu, dhe dora e tij u përtëri.
11 Por ata u mbushën me tërbim dhe flisnin me njëri-tjetrin se çfarë do t'i bënin Jezusit.
12 Tani, ndodhi që, në ato ditë, Jezusi të dilte në mal për t'u lutur; dhe e kaloi natën në lutje ndaj Perëndisë.
13 Dhe kur u bë ditë, thirri pranë dishepujt e tij dhe zgjodhi nga ata dymbëdhjetë, të cilët edhe i emërtoi apostuj:
14 Simonin, të cilit edhe ia vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllain e tij, dhe Jakobin, dhe Gjonin, dhe Filipin, dhe Bartolomeun,
15 dhe Mateun, dhe Thomain, dhe Jakobin e Alfeut, dhe Simonin, atë që thirrej Zelot,
16 dhe Judën e Jakobit, dhe Judë Iskariotin, i cili u bë tradhtar.
17 Dhe pasi zbriti me ta, Jezusi qëndroi në një vend të sheshtë; dhe aty gjendej një turmë e madhe e dishepujve të vet, dhe një morí e madhe e popullit nga gjithë Judeja dhe Jerusalemi, dhe nga bregdeti i Tirit dhe i Sidonit,
18 të cilët erdhën për ta dëgjuar dhe për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre; dhe ata që ishin të trazuar nga frymëra të ndyra, shëroheshin.
19 Dhe gjithë turma kërkonte për ta prekur, se një fuqi dilte nga ai dhe i shëronte të gjithë.
20 Dhe Jezusi, si ngriti sytë drejt dishepujve të vet, nisi të thoshte: "Lum ju të varfrit, sepse juaja është Mbretëria e Perëndisë!
21 Lum ju që tani keni uri, sepse do të ngopeni! Lum ju që tani qani, sepse do të qeshni!
22 Të lumë jeni ju, kur njerëzit t'ju urrejnë dhe kur t'ju mënjanojnë, dhe t'ju shajnë, dhe ta hedhin poshtë emrin tuaj si të lig, për shkak të Birit të Njeriut!
23 Gëzohuni në atë ditë dhe kërceni, sepse, ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; sepse po të njëjtat gjëra ua bënin etërit e tyre profetëve.
24 Porse mjerë ju të pasurit, sepse e keni marrë tashmë ngushëllimin tuaj!
25 Mjerë ju që tani jeni të ngopur, sepse do të keni uri! Mjerë ju që tani qeshni, sepse do të vajtoni dhe do të qani!
26 Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit të flasin mirë për ju, sepse po të njëjtat gjëra ua bënin etërit e tyre profetëve të rremë.
27 Por po ju them juve që po dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë,
28 bekojini ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.
29 Atij që të qëllon në faqe, paraqitja edhe tjetrën; dhe atë që të merr mantelin, të mos e pengosh të të marrë edhe tunikën.
30 Jepi kujtdo që të kërkon; dhe nga ai që merr gjërat e tua, mos kërko kthim.
31 Dhe ashtu siç dëshironi që t'ju bëjnë njerëzit, po kështu bëjuni atyre.
32 Dhe nëse doni ata që ju duan, çfarë hiri është për ju? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.
33 Se edhe po t'u bëni mirë atyre që ju bëjnë mirë, çfarë hiri është për ju? Edhe mëkatarët të njëjtën gjë bëjnë.
34 Dhe po t'u jepni hua atyre nga të cilët shpresoni për t'ua kthyer, çfarë hiri është për ju? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t'ua kthejnë po aq.
35 Porse, duajini armiqtë tuaj dhe bëni mirë, dhe jepni hua duke mos shpresuar asgjë për kthim; dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh, dhe do të jeni bij të Shumë të Lartit; sepse ai është i mirë ndaj mosmirënjohësve dhe të ligjve.
36 Jini të përdëllyeshëm, ashtu si Ati juaj është i përdëllyeshëm.
37 Dhe mos gjykoni e nuk do të gjykoheni aspak; dhe mos dënoni e nuk do të dënoheni aspak. Falni e do të faleni.
38 Jepni e do t'ju jepet: një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur, që derdhet, do t'ju japin në prehrin tuaj. Sepse me atë masë që matni, do t'ju matet në këmbim edhe juve".
39 Dhe u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë: "A mos mundet një i verbër që të udhëheqë një të verbër?! A nuk do të bien që të dy në gropë?!
40 Një dishepull nuk është përmbi mësuesin; por çdo dishepull që është i përgatitur, do të jetë si mësuesi i tij.
41 E pse sheh ciflën që është në syrin e vëllait tënd, ndërsa trarin që ke në syrin tënd, nuk e vëren?
42 Si mund t'i thuash vëllait tënd: 'O vëlla, më lër ta nxjerr ciflën që ke në syrin tënd', kur ti vetë nuk sheh trarin në syrin tënd? Hipokrit! Nxirr së pari trarin prej syrit tënd dhe atëherë do të shohësh qartë për të nxjerrë ciflën që është në syrin e vëllait tënd.
43 Se nuk ka pemë të mirë që bën frutë të kalbur dhe, gjithashtu, as pemë të kalbur që bën frutë të mirë.
44 Njëmend, secila pemë njihet prej frutës së vet, sepse nuk mbledhin fiq prej ferrave dhe nuk vjelin rrush prej ferrishtës.
45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën prej thesarit të mirë të zemrës dhe i ligu nxjerr të ligën prej thesarit të lig; sepse prej mbushullisë së zemrës flet goja e tij.
46 Tani, pse më thërrisni 'O Zot, o Zot' dhe nuk bëni ato që ju them?
47 Kushdo që vjen tek unë dhe i dëgjon fjalët e mia, dhe i bën, do t'ju tregoj se kujt i ngjan:
48 I ngjan një njeriu që ndërton një shtëpi, i cili gërmoi dhe shkoi thellë, dhe e vuri themelin mbi shkëmb; dhe kur erdhi një vërshim, lumi u përplas mbi atë shtëpi, dhe nuk mundi ta tundte, për shkak se ajo ishte ndërtuar mirë.
49 Ndërsa ai që i dëgjoi dhe nuk i bëri, i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi mbi dhé, pa themel; lumi u përplas mbi të dhe ajo menjëherë u shemb, dhe rrënimi i asaj shtëpie qe i madh".
Të gjithë librat
