Ungjilli sipas Lukës 3
1 Tani, në vitin e pesëmbëdhjetë të qeverisjes së Cezar Tiberit, ndërsa qeveritar i Judesë ishte Ponc Pilati dhe tetrark i Galilesë ishte Herodi, kurse Filipi, vëllai i këtij, ishte tetrark i krahinës së Itureas dhe të Trakonitidës, dhe ndërsa Lisania ishte tetrark i Abilenës,
2 nën kryepriftërinjtë Hanai dhe Kajafa, fjala e Perëndisë erdhi te Gjoni, biri i Zakarias, në shkreti.
3 Dhe Gjoni erdhi në gjithë rrethinën e Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për falje të mëkateve,
4 siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia: "Zëri i njërit që klith në shkreti: Përgatitni udhën e Zotit, të drejta bëjini shtigjet e tij!
5 Çdo luginë do të mbushet dhe çdo mal e kodër do të ulet; dhe udhët e shtrembra do të bëhen të drejta, dhe të ashprat, udhë të sheshuara;
6 dhe çdo mish do ta shikojë shpëtimin e Perëndisë".
7 Atëherë u thoshte turmave që dilnin për t'u pagëzuar nga ai: "O pjella nepërkash! Kush ju tregoi të ikni nga zemërimi që vjen?!
8 Jepni, pra, fryte të denja pendimi! Dhe të mos filloni të thoni në veten tuaj: 'Kemi për atë Abrahamin', sepse po ju them se Perëndia mund t'i ngrejë fëmijë Abrahamit prej këtyre gurëve.
9 Dhe tashmë edhe sëpata është vënë te rrënja e pemëve; prandaj, çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr".
10 Dhe turmat e pyesnin duke thënë: "Çfarë të bëjmë, pra?".
11 Dhe ai, duke u përgjigjur, u thoshte: "Ai që ka dy tunika, duhet t'i ndajë me atë që nuk ka dhe ai që ka ushqime, duhet të bëjë po kështu".
12 Tani, erdhën edhe disa tagrambledhës për t'u pagëzuar dhe i thanë atij: "Mësues, çfarë të bëjmë?".
13 Dhe ai u tha atyre: "Mos vilni asgjë më shumë nga ajo që ju është urdhëruar".
14 Dhe po e pyesnin edhe disa ushtarë, duke thënë: "Po ne çfarë të bëjmë?". Dhe ai u tha: "Mos zhvatni asnjë dhe as mos paditni rrejshëm asnjeri; dhe mjaftohuni me pagesat tuaja".
15 Tani, ndërsa populli ishte në pritje dhe të gjithë arsyetonin në zemrat e tyre në lidhje me Gjonin, se mos ai ishte Krishti,
16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: "Unë vërtet ju pagëzoj në ujë, por po vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë që t'i zgjidh lidhësen e sandaleve të tij; ai do t'ju pagëzojë në Frymë të Shenjtë dhe në zjarr.
17 Terplotja e vet është në dorën e tij për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për ta mbledhur grurin në hambarin e tij, por kashtën do ta djegë krejt në zjarr të pashueshëm".
18 Kështu, duke nxitur edhe me shumë mënyra të tjera, i shpallte lajmin e mirë popullit.
19 Por Herodi, tetrarku, ngaqë ishte qortuar nga Gjoni në lidhje me Herodiadën, gruan e vëllait të vet, dhe në lidhje me gjithë të ligat që ai kishte bërë,
20 shtoi edhe këtë mbi të gjitha të ligat: mbylli Gjonin në burg.
21 Tani, ndodhi që, kur u pagëzua i gjithë populli dhe ndërsa u pagëzua Jezusi dhe po lutej, u hap qielli
22 dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të në dukje trupore si pëllumb; dhe një zë erdhi prej qiellit: "Ti je Biri im, i Dashuri; në ty gjeta pëlqim!".
23 Dhe vetë Jezusi, kur filloi shërbesën, ishte rreth tridhjetë vjeç; duke qenë (siç mendohej) bir i Jozefit, i Elit,
24 i Matatit, i Levit, i Melkit, i Janait, i Jozefit,
25 i Matatias, i Amosit, i Naumit, i Heslit, i Nagait,
26 i Mahatit, i Matatias, i Semeinit, i Jozekit, i Jodës,
27 i Joananit, i Resas, i Zorobabelit, i Salatielit, i Nerit,
28 i Melkit, i Adit, i Kosamit, i Elmadamit, i Erit,
29 i Jozueut, i Eliezerit, i Jorimit, i Matatit, i Levit,
30 i Simeonit, i Judës, i Jozefit, i Jonamit, i Eliakimit,
31 i Meleait, i Menait, i Matatait, i Natamit, i Davidit,
32 i Jeseut, i Jobelit, i Boozit, i Salait, i Nahasonit,
33 i Aminadabit, i Adminit, i Arnit, i Hesromit, i Faresit, i Judës,
34 i Jakobit, i Isakut, i Abrahamit, i Tarait, i Nahorit,
35 i Serukut, i Ragaut, i Falekut, i Eberit, i Salait,
36 i Kainamit, i Arfaksadit, i Semit, i Noeut, i Lamekut,
37 i Matusalait, i Enokut, i Jaretit, i Maleleelit, i Kainamit,
38 i Enosit, i Setit, i Adamit, i Perëndisë.
Të gjithë librat
