Ungjilli sipas Lukës 22
1 Tani, po afronte Festa e të Ndormeve, ajo që quhet Pashkë.
2 Dhe kryepriftërinjtë e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin Jezusin, sepse i frikësoheshin popullit.
3 Dhe Satani hyri në Judën, atë që quhej Iskariot, që ishte prej numrit të të dymbëdhjetëve.
4 Dhe ai shkoi e bisedoi bashkë me kryepriftërinjtë dhe komandantët mënyrën se si t'ua dorëzonte Jezusin.
5 Dhe ata u gëzuan e u bënë një mendje për t'i dhënë atij pará.
6 Dhe ai pranoi dhe kërkonte një rast të volitshëm për t'ua dorëzuar atë pa qenë e pranishme turma.
7 Tani, erdhi dita e të Ndormeve, në të cilën duhej të flijohej Pashka.
8 Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin, duke thënë: "Shkoni dhe na përgatitni Pashkën, që të hamë".
9 Dhe ata i thanë: "Ku dëshiron ta përgatisim?".
10 Dhe ai u tha atyre: "Ja, ndërsa ju hyni në qytet, do t'ju takojë një njeri që mban një shtambë uji. Ndiqeni deri në shtëpinë në të cilën do të hyjë.
11 Dhe do t'i thoni të zotit të shtëpisë: 'Mësuesi të thotë: Ku është dhoma e miqve, në të cilën do të ha Pashkën me dishepujt e mi?'.
12 Dhe ai do t'ju tregojë një dhomë të sipërme të madhe, që është shtruar; atje përgatiteni".
13 Dhe ata shkuan, dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë atyre; dhe përgatitën Pashkën.
14 Dhe kur erdhi ora, Jezusi zuri vend për të ngrënë, dhe apostujt bashkë me të.
15 Dhe u tha: "Dëshirova shumë ta ha këtë Pashkë me ju përpara se unë të vuaj,
16 sepse po ju them se nuk do ta ha më, derisa të përmbushet në Mbretërinë e Perëndisë".
17 Dhe si mori një kupë, dhe si falënderoi, tha: "Merreni këtë dhe ndajeni ndër ju,
18 sepse po ju them se që tani e tutje nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë Mbretëria e Perëndisë".
19 Dhe si mori bukë, dhe si falënderoi, e theu dhe ua dha atyre, duke thënë: "Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë për përkujtimin tim".
20 Dhe po ashtu mori kupën mbas darkës, duke thënë: "Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju.
21 Por, ja, dora e atij që më tradhton, është me mua mbi tryezë.
22 Se vërtet Biri i Njeriut po shkon, sipas asaj që është caktuar, veçse mjerë ai njeri nëpërmjet të cilit ky tradhtohet".
23 Dhe ata filluan të pyesnin ndër vete se kush prej tyre mund të ishte vallë ai që do ta bënte këtë gjë.
24 Tani, lindi edhe një grindje ndër ta se kush prej tyre pandehej se ishte më i madh.
25 Dhe Jezusi u tha: "Mbretërit e kombeve zotërojnë mbi to dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to, quhen bamirës.
26 Por ju nuk duhet të jeni kështu; përkundrazi, më i madhi ndër ju të bëhet si më i riu dhe ai që udhëheq, si ai që shërben.
27 Sepse kush është më i madh, ai që shtrohet për të ngrënë, apo ai që shërben? A nuk është ai që shtrohet për të ngrënë? Por unë jam në mesin tuaj si ai që shërben.
28 Tani, ju jeni ata që keni ndenjur me mua në sprovat e mia
29 dhe unë po ju caktoj juve mbretërim, ashtu si ma caktoi mua Ati im,
30 që të hani e të pini në tryezën time në mbretërinë time; dhe do të uleni mbi frone, duke gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
31 Simon, Simon, ja, Satani kërkoi që t'ju shoshë si grurin,
32 por unë u përgjërova për ty, që të mos shterojë besimi yt; dhe ti, sapo të kthehesh, forco vëllezërit e tu".
33 Por ai i tha: "Zot, jam i gatshëm të shkoj me ty edhe në burg, edhe në vdekje".
34 Por Jezusi tha: "Po të them ty, Pjetër: nuk do të këndojë sot gjeli derisa të më mohosh tri herë se më njeh".
35 Dhe u tha atyre: "Kur ju dërgova pa kuletë dhe pa trastë, dhe pa sandale, mos patët mungesë të diçkaje?". Dhe ata thanë: "Të asgjëje".
36 Dhe u tha atyre: "Por tani, ai që ka kuletë, ta marrë; po ashtu edhe trastë; dhe ai që nuk ka shpatë, të shesë rrobën e vet dhe ta blejë.
37 Sepse po ju them se kjo që është shkruar, duhet të përfundohet në mua; ajo që: 'Dhe u llogarit me të paligjshëm'. Sepse edhe ajo që është shkruar për mua, po përfundohet".
38 Dhe ata thanë: "Zot, ja këtu dy shpata". Por ai u tha: "Është mjaft!".
39 Dhe Jezusi doli dhe shkoi, sipas zakonit të tij, në Malin e Ullinjve; dhe atë e ndoqën edhe dishepujt.
40 Dhe kur mbërriti te vendi, u tha atyre: "Lutuni që të mos hyni në tundim".
41 Dhe vetë u largua nga ata sa një hedhje guri, dhe, duke rënë në gjunjë, nisi të lutej
42 duke thënë: "O Atë, nëse do, hiqe tutje këtë kupë nga unë! Megjithatë, mos të bëhet vullneti im, por yti".
43 [Dhe atij iu shfaq një engjëll nga qielli duke i dhënë forcë.
44 Dhe duke qenë në agoni, lutej më me forcë. Dhe djersa e tij u bë porsi pika gjaku që bien mbi tokë].
45 Dhe si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur nga trishtimi.
46 Dhe u tha: "Pse po flini? Ngrihuni dhe lutuni, që të mos hyni në tundim".
47 Ndërsa ai ende po fliste, ja, një turmë dhe ai që quhet Judë, një nga të dymbëdhjetët, u paraprinte atyre. Dhe ai iu afrua Jezusit për ta puthur.
48 Por Jezusi i tha: "Judë, me një puthje po e tradhton Birin e Njeriut?".
49 Dhe ata që ishin rreth Jezusit, duke parë atë që do të ndodhte, thanë: "Zot, a do t'u biem me shpatë?".
50 Dhe njëri prej tyre goditi skllavin e kryepriftit dhe i hoqi veshin e djathtë.
51 Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: "Lëreni me kaq!"; dhe duke ia prekur veshin, e shëroi.
52 Dhe Jezusi u tha atyre që erdhën kundër tij, kryepriftërinjve dhe komandantëve të tempullit, dhe pleqve: "Si kundër një kusari dolët me shpata dhe hunj?
53 Ndërsa unë isha çdo ditë me ju në tempull, nuk i shtritë duart mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës".
54 Tani, si e kapën, e çuan dhe e futën në shtëpinë e kryepriftit. Por Pjetri ndiqte nga larg.
55 Dhe ndërsa ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën bashkë, edhe Pjetri rrinte ulur në mes tyre.
56 Dhe kur një shërbëtore e pa atë duke ndenjur ulur pranë zjarrit, dhe e shikoi ngultas, tha: "Edhe ky ishte bashkë me të".
57 Por ai e mohoi, duke thënë: "Nuk e njoh, o grua".
58 Dhe mbas pak kohe, një tjetër e pa dhe thoshte: "Edhe ti je prej atyre". Por Pjetri thoshte: "O njeri, nuk jam!".
59 Dhe mbasi kaloi rreth një orë, dikush tjetër këmbëngulte, duke thënë: "Me të vërtetë edhe ky ishte me të, sepse është edhe galileas".
60 Por Pjetri tha: "O njeri, nuk e di çfarë po thua". Dhe përnjëherësh, ndërsa ai ende po fliste, këndoi një gjel.
61 Dhe Zoti, duke u kthyer, ia nguli sytë Pjetrit. Dhe Pjetri solli ndërmend thënien e Zotit, si i tha: "Para se gjeli të këndojë sot, do të më mohosh tri herë".
62 Dhe si doli jashtë, qau me hidhërim.
63 Dhe burrat që e mbanin Jezusin në ruajtje, talleshin me të duke e rrahur.
64 Dhe duke ia mbuluar sytë, e pyesnin duke thënë: "Profetizo, kush është ai që të ra?".
65 Thoshin ndaj tij edhe shumë gjëra të tjera, duke blasfemuar.
66 Dhe si u bë ditë, u mblodh pleqësia e popullit, qoftë kryepriftërinjtë e qoftë skribët, dhe e çuan në Sinedrin e tyre,
67 duke thënë: "Nëse ti je Krishti, na e thuaj". Por ai u tha atyre: "Po t'jua them, nuk do të besoni aspak;
68 dhe po t'ju pyes, nuk do të përgjigjeni aspak.
69 Por që tani e tutje Biri i Njeriut do të jetë i ulur në të djathtë të fuqisë së Perëndisë".
70 Dhe të gjithë thanë: "Ti, pra, je Biri i Perëndisë?". Dhe ai u thoshte atyre: "Ju po thoni se unë jam".
71 Dhe ata thanë: "Ç'nevojë kemi ende për dëshmi? Sepse ne vetë e dëgjuam nga goja e tij".
Të gjithë librat
