Ungjilli sipas Lukës 20
1 Dhe në një prej atyre ditëve ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte popullin në tempull dhe po shpallte lajmin e mirë, u afruan kryepriftërinjtë dhe skribët, bashkë me pleqtë,
2 dhe folën duke i thënë atij: "Na thuaj, me çfarë pushteti i bën këto gjëra? Apo kush është ai që ta dha këtë pushtet?".
3 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha: "Do t'ju pyes edhe unë një gjë dhe ma thoni:
4 Pagëzimi i Gjonit ishte prej qiellit apo prej njerëzve?".
5 Dhe ata diskutuan bashkë me njëri-tjetrin, duke thënë: "Po të themi 'prej qiellit', ai do të thotë 'Përse nuk i besuat?',
6 por po të themi 'prej njerëzve', i gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet".
7 Dhe u përgjigjën se nuk e dinin prej nga ishte.
8 Dhe Jezusi u tha: "As unë nuk ju them me çfarë pushteti i bëj këto gjëra".
9 Dhe filloi t'i thoshte popullit këtë shëmbëlltyrë: "Një njeri mbolli një vresht dhe ua dha me qira disa bujqve, dhe shtegtoi për një kohë të gjatë.
10 Dhe në kohën e vjeljes dërgoi te bujqit një skllav, që t'i jepnin atij nga fryti i vreshtit. Por bujqit, mbasi e rrahën, e nisën me duar bosh.
11 Dhe ai përsëri dërgoi një tjetër skllav. Por ata, si rrahën dhe çnderuan edhe atë, e nisën me duar bosh.
12 Dhe ai përsëri dërgoi një të tretë. Por ata si e plagosën edhe këtë, e dëbuan.
13 Dhe i zoti i vreshtit tha: "Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim, të dashurin. Ndoshta për këtë do të kenë respekt".
14 Dhe kur e panë atë, bujqit nisën të diskutonin me njëri-tjetrin, duke thënë: "Ky është trashëgimtari! Ta vrasim, me qëllim që trashëgimia të bëhet e jona".
15 Dhe si e nxorën jashtë vreshtit, e vranë. Çfarë, pra, do t'u bëjë atyre i zoti i vreshtit?!
16 Do të vijë dhe do t'i shkatërrojë këta bujq, dhe do t'ua japë vreshtin të tjerëve". Dhe kur ata e dëgjuan këtë, thanë: "Kurrë mos qoftë!".
17 Por Jezusi, duke ua ngulur sytë, tha: "Çfarë do të thotë, pra, kjo që është shkruar: 'Guri të cilin e hodhën poshtë ndërtuesit, ky u bë gur këndi'?
18 Kushdo që ra mbi atë gur, do të copëtohet; dhe mbi cilindo që ky gur të bjerë, do ta thërrmojë".
19 Dhe skribët e kryepriftërinjtë kërkuan të vënë dorë mbi të në atë orë, por patën frikë popullin, sepse e kuptuan që e tha për ta këtë shëmbëlltyrë.
20 Dhe duke e vëzhguar Jezusin, dërguan spiunë që shtireshin se ishin të drejtë, me qëllim që ta kapnin në fjalë, kështu që t'ia dorëzonin parisë dhe pushtetit të qeveritarit.
21 Dhe ata e pyetën, duke thënë: "Mësues, e dimë se flet dhe mëson saktë, dhe nuk mban anë, por mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë.
22 A është e lejueshme për ne që t'i japim haraç Cezarit apo jo?".
23 Por Jezusi, duke vërejtur dinakërinë e tyre, u tha:
24 "Më tregoni një denar. Figurën dhe mbishkrimin e kujt ka?". Dhe ata thanë: "Të Cezarit".
25 Dhe ai u tha atyre: "Si rrjedhim, jepini Cezarit ato që janë të Cezarit dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë".
26 Dhe nuk mundën ta kapnin në sy të popullit në thënien e tij; dhe duke u mrekulluar nga përgjigjja e tij, heshtën.
27 Dhe si erdhën pranë disa saducenj (ata që thonë se nuk ka ringjallje), e pyetën
28 duke thënë: "Mësues, Moisiu shkroi për ne se po të vdesë vëllai i dikujt, duke pasur grua dhe ai të jetë pa fëmijë, duhet që i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t'i lindë pasardhës të vëllait.
29 Atëherë, ishin shtatë vëllezër dhe i pari, si mori grua, vdiq pa fëmijë.
30 Edhe i dyti,
31 edhe i treti e morën atë për grua. Tani, po ashtu që të shtatët nuk lanë pas fëmijë dhe vdiqën.
32 Në fund, edhe gruaja vdiq.
33 Në ringjallje, pra, e cilit nga ata bëhet grua? Sepse të shtatët e patën grua".
34 Dhe Jezusi u tha atyre: "Bijtë e kësaj epoke martohen dhe jepen në martesë,
35 por ata që u çmuan të denjë për atë epokë dhe për të arritur ringjalljen prej të vdekurve, as martohen, as jepen në martesë.
36 Sepse as edhe nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëj dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes.
37 Por që ngjallen të vdekurit, edhe Moisiu e bëri të ditur te pjesa për ferrishtën, kur thotë për Zotin, Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit.
38 Tani, ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i atyre që jetojnë; sepse për të, të gjithë jetojnë".
39 Dhe disa skribë, duke u përgjigjur, thanë: "Mësues, e the mirë",
40 sepse nuk guxonin më ta pyesin për asgjë.
41 Tani, Jezusi u tha atyre: "Si thonë se Krishti është bir i Davidit?
42 Sepse vetë Davidi thotë në librin e Psalmeve: 'I tha Zoti Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
43 derisa t'i vë armiqtë e tu si nënkëmbëz të këmbëve të tua'.
44 Davidi, pra, e thërret atë Zot; e si është bir i tij?".
45 Dhe ndërsa gjithë populli po dëgjonte, Jezusi u tha dishepujve të tij:
46 "Bëni kujdes nga skribët që u pëlqen të ecin me petka të gjata dhe që duan përshëndetjet në sheshe, dhe ndenjëset e para në sinagoga, dhe kryevendet në darka;
47 të cilët përpijnë shtëpitë e vejushave dhe luten gjatë për shtirje. Këta do të marrin gjykim më të rëndë".
Të gjithë librat
