Ungjilli sipas Lukës 18
1 Dhe u tha atyre një shëmbëlltyrë, për të treguar se ata duhet të luten gjithmonë dhe të mos ligështohen,
2 duke thënë: "Në njëfarë qyteti ishte një gjykatës që nuk e kishte frikë Perëndinë dhe që nuk kishte respekt për njeri.
3 Tani, në atë qytet ishte një e ve, dhe kjo vinte tek ai duke thënë: 'Më jep hakun ndaj kundërshtarit tim!'.
4 Dhe për njëfarë kohe ai nuk donte; por më vonë tha me vete: 'Edhe pse nuk e kam frikë Perëndinë dhe as nuk kam respekt për njeri,
5 gjithsesi, për shkak se kjo e ve po më mundon, do t'i jap hakun, që, në fund, duke ardhur tek unë, të mos më çajë kokën'".
6 Dhe Zoti tha: "Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë!
7 Po Perëndia, mos nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij, që i klithin atij ditë e natë? Dhe vallë vonon të veprojë për ta?
8 Po ju them se do të marrë hak për ta me shpejtësi. Veçse, kur të vijë Biri i Njeriut, a do ta gjejë besimin mbi tokë?".
9 Tani, edhe disave që ishin të bindur në vetvete se janë të drejtë dhe që i përbuznin të tjerët, Jezusi u tha këtë shëmbëlltyrë:
10 "Dy njerëz u ngjitën në tempull për t'u lutur, njëri farise dhe tjetri tagrambledhës.
11 Fariseu, duke qëndruar në këmbë, lutej kështu me vete: 'O Perëndi, të falënderoj se nuk jam sikurse njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës; apo edhe si ky tagrambledhësi.
12 Agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e të gjithave sa fitoj'.
13 Ndërsa tagrambledhësi, duke qëndruar larg, as edhe sytë nuk donte që t'i ngrinte drejt qiellit; përkundrazi, rrihte kraharorin e vet duke thënë: 'O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj meje mëkatarit!'".
14 Po ju them se, përkundër atij, ky zbriti i drejtësuar në shtëpinë e vet. Se kushdo që e lartëson vetveten, do të përulet; por ai që e përul vetveten, do të lartësohet".
15 Tani, njerëzit po sillnin pranë Jezusit edhe foshnjat, me qëllim që t'i prekte; por kur e panë këtë, dishepujt nisën t'i qortonin ata që i sollën.
16 Por Jezusi i thirri pranë ato, duke thënë: "I lini fëmijët që të vijnë tek unë dhe mos i pengoni ata, sepse e të tillëve është Mbretëria e Perëndisë.
17 Me të vërtetë po ju them: cilido që të mos e pranojë Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë fare në të".
18 Dhe një nga krerët e pyeti, duke thënë: "O mësues i mirë, duke bërë çfarë do të trashëgoj jetë të përjetshme?".
19 Dhe Jezusi i tha: "Pse më thua i mirë? Asnjë nuk është i mirë në mos një: Perëndia!
20 Urdhërimet ti i di: 'të mos bësh kurorëshkelje, të mos vrasësh, të mos vjedhësh, të mos bësh dëshmi të rreme, ndero atin tënd dhe nënën'".
21 Por ai tha: "Këto të gjitha i zbatova qysh prej rinisë sime".
22 Dhe kur Jezusi e dëgjoi këtë, i tha: "Të mungon ende një gjë: shit të gjitha sa ke dhe shpërndajua të varfërve, dhe do të kesh një thesar në qiej; dhe eja e më ndiq".
23 Por ai, kur i dëgjoi këto, u trishtua thellësisht, sepse ishte jashtëzakonisht i pasur.
24 Dhe Jezusi, duke e parë atë, tha: "Sa me vështirësi hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë ata që kanë pasuri!
25 Sepse më e lehtë është që një deve të hyjë nëpër një vrimë gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë".
26 Dhe ata që e dëgjuan këtë thanë: "E kush mundet për t'u shpëtuar?".
27 Dhe ai tha: "Ato që janë të pamundshme për njerëzit, janë të mundshme për Perëndinë".
28 Dhe Pjetri tha: "Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm".
29 Dhe Jezusi u tha atyre: "Me të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që la shtëpi apo grua, apo vëllezër, apo prindër, apo fëmijë për shkak të Mbretërisë së Perëndisë,
30 i cili të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në epokën që vjen jetë të përjetshme".
31 Dhe duke marrë pranë të dymbëdhjetët, u tha: "Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe do të përfundohen të gjitha ato që janë shkruar nëpërmjet profetëve për Birin e Njeriut.
32 Sepse ai do t'u dorëzohet paganëve dhe do të tallet, dhe do të poshtërohet, dhe do të pështyhet.
33 Dhe kur ta kenë fshikulluar, do ta vrasin; dhe ditën e tretë do të ringjallet".
34 Mirëpo ata nuk kuptuan asgjë nga këto dhe kjo thënie ishte e fshehur për ta, dhe nuk i merrnin vesh ato që thuheshin.
35 Tani, ndodhi që, ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër rrinte ulur ndanë rrugës duke lypur.
36 Dhe kur dëgjoi një turmë që po kalonte, pyeste se çfarë ishte kjo që po ndodhte.
37 Dhe e njoftuan se po kalonte Jezus nazaretasi.
38 Dhe ai klithi duke thënë: "O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!".
39 Dhe ata që paraprinin e qortonin që të heshtte, por ai bërtiste edhe më tepër: "O Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!".
40 Dhe duke qëndruar, Jezusi urdhëroi që ta sillnin tek ai. Dhe ndërsa ai u afrua, Jezusi e pyeti:
41 "Çfarë dëshiron të bëj për ty?". Dhe ai tha: "Zot, që të shoh sërish!".
42 Dhe Jezusi i tha: "Shiko sërish! Besimi yt të ka shpëtuar!".
43 Dhe përnjëherësh ai pa sërish dhe e ndiqte Jezusin duke lëvduar Perëndinë. Edhe i gjithë populli, kur e pa këtë, i dha lavdërim Perëndisë.
Të gjithë librat
