Ungjilli sipas Lukës 15
1 Tani, ishin duke iu afruar Jezusit të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët për ta dëgjuar.
2 Dhe qoftë farisenjtë e qoftë skribët, murmurisnin duke thënë: "Ky mirëpret mëkatarë dhe ha bashkë me ta".
3 Dhe Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, duke thënë:
4 "Cili njeri prej jush që ka njëqind dele dhe humb një prej tyre, nuk i lë pas të nëntëdhjetenëntat në shkreti dhe shkon pas asaj që ka humbur, derisa ta gjejë?!
5 Dhe kur e gjen, e vë mbi supet e tij me gëzim.
6 Dhe kur vjen në shtëpi, thërret bashkë miqtë dhe fqinjët, duke u thënë: 'Gëzohuni bashkë me mua, se e gjeta delen time që kishte humbur!'.
7 Po ju them se, po kështu do të ketë në qiell më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë të cilët nuk kanë nevojë për pendim.
8 Ose cila grua që ka dhjetë drahma, po të humbë një drahmë, nuk ndez kandilin dhe fshin shtëpinë, dhe kërkon me kujdes derisa ta gjejë?!
9 Dhe kur e gjen, thërret bashkë mikeshat dhe fqinjat, duke thënë: 'Gëzohuni bashkë me mua, se e gjeta drahmën që humba!'.
10 Po ju them se, po kështu bëhet gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet".
11 Dhe tha: "Një njeri kishte dy bij.
12 Dhe më i riu prej tyre i tha të atit: 'O atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon'. Dhe i ati ua shpërndau kamjen.
13 Dhe mbas jo shumë ditësh, si i mblodhi të gjitha, biri më i ri shtegtoi në një vend të largët dhe atje shkapërderdhi pasurinë e vet, duke jetuar shkujdesshëm.
14 Tani, ndërsa ai i shpenzoi të gjitha, një zi e madhe buke ra nëpër atë vend dhe ai filloi të ishte në skamje.
15 Dhe shkoi e iu ngjit njërit prej qytetarëve të atij vendi, dhe ai e dërgoi në arat e veta për të kullotur derra.
16 Dhe i riu dëshironte të ngopej me lendet që hanin derrat, mirëpo asnjë nuk ia jepte.
17 Por duke ardhur në vete, nisi të thoshte: 'Sa shumë rrogëtarëve të tim eti u teprojnë bukët, ndërsa unë po vdes këtu urie!
18 Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë, dhe do t'i them: O atë, mëkatova ndaj qiellit dhe përpara teje.
19 Nuk jam më i denjë që të quhem biri yt. Më bëj si një nga rrogëtarët e tu'.
20 Dhe u ngrit e shkoi tek ati i vet. Por ndërsa ai ishte ende larg, e pa i ati dhe pati dhembshuri; dhe, duke vrapuar, iu hodh në qafë dhe e puthi.
21 Dhe i biri i tha: 'O atë, mëkatova ndaj qiellit dhe përpara teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt'.
22 Por ati u tha skllevërve të vet: 'Shpejt, nxirrni petkun më të mirë dhe vishjani; dhe vërini një unazë në dorë dhe sandale në këmbë;
23 dhe sillni viçin e majmë, thereni dhe të hamë e të festojmë.
24 Se ky biri im ishte i vdekur dhe u kthye në jetë, ishte i humbur dhe u gjet'. Dhe filluan të festojnë.
25 Tani, biri i tij më i madh ishte në arë; dhe si erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë dhe valle.
26 Dhe duke thirrur pranë një nga shërbëtorët, e pyeste se çfarë donin të thoshin këto gjëra.
27 Dhe shërbëtori i tha: 'Ka ardhur vëllai yt dhe yt atë theri viçin e majmë, sepse e mori përsëri djalin shëndoshë e mirë'.
28 Dhe ai u zemërua, dhe nuk donte të hynte brenda. Por i ati doli dhe i përgjërohej.
29 Por ai, duke u përgjigjur, i tha të atit: 'Ja, kaq shumë vjet që të shërbej dhe kurrë nuk anashkalova asnjë urdhërim tëndin! Dhe ti mua kurrë nuk më dhe një kec që të festoja me miqtë e mi.
30 Ndërsa kur ky biri yt, që e përpiu kamjen tënde me prostituta, erdhi, ti there për të viçin e majmë!'.
31 Dhe i ati i tha: 'O bir, ti je gjithmonë me mua dhe të gjitha gjërat e mia janë të tuat.
32 Por duhej të festonim dhe të gëzoheshim, se ky vëllai yt ishte i vdekur dhe jeton, dhe ishte i humbur dhe u gjet'".
Të gjithë librat
