Ungjilli sipas Lukës 13
1 Tani, në atë kohë, ishin të pranishëm disa që e njoftuan Jezusin për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e përzjeu me flijimet e tyre.
2 Dhe ai, duke iu drejtuar, u tha atyre: "A mendoni se këta galileas qenë më mëkatarë se të gjithë galileasit e tjerë, sepse kanë vuajtur këto gjëra?
3 Jo, jo, po ju them, por po të mos pendoheni, të gjithë do të humbisni në mënyrë të ngjashme.
4 Apo për ata të tetëmbëdhjetët mbi të cilët ra kulla në Siloam dhe i vrau, a mendoni se ata qenë më fajtorë se të gjithë njerëzit e tjerë që banojnë në Jerusalem?
5 Jo, jo, po ju them, por po të mos pendoheni, të gjithë do të humbisni po ashtu".
6 Dhe tha këtë shëmbëlltyrë: "Dikush kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet dhe erdhi për të kërkuar fryt në të, dhe nuk gjeti.
7 Dhe i tha vreshtarit: 'Ja, që tre vjet qëkurse vij për të kërkuar fryt në këtë fik dhe nuk gjej gjë. Prije! Përse ta zërë kot edhe tokën?'.
8 Por vreshtari, duke u përgjigjur, i tha: 'Zotëri, lëre edhe këtë vit, derisa të gërmoj përreth tij dhe të hedh pleh,
9 dhe po të japë fryt në vitin që vjen, mirë; përndryshe, atëherë do ta presësh'".
10 Tani, Jezusi ishte duke mësuar në një nga sinagogat në shabat.
11 Dhe ja, ishte një grua që kishte një frymë lëngate prej tetëmbëdhjetë vjetësh dhe ishte e kërrusur, dhe nuk mundte për t'u drejtuar fare.
12 Dhe Jezusi, kur e pa, e thirri pranë dhe i tha: "O grua, je e liruar prej lëngatës sate!".
13 Dhe ai vuri duart mbi të, dhe përnjëherësh ajo u drejtua dhe lëvdonte Perëndinë.
14 Por kreu i sinagogës, duke u pezmatuar se Jezusi shëroi në shabat, mori fjalën dhe i tha turmës: "Janë gjashtë ditë në të cilat duhet të punohet; prandaj ejani në ato ditë e shërohuni, dhe jo ditën e shabatit".
15 Por Zoti iu përgjigj atij dhe tha: "Hipokritë! A nuk e zgjidh secili prej jush në shabat kaun e vet apo gomarin e vet nga grazhdi dhe e çon e i jep të pijë?
16 Ndërsa kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën e lidhi Satani tash tetëmbëdhjetë vjet, nuk duhej të zgjidhej nga kjo lidhje në ditën e shabatit?!".
17 Dhe ndërsa ai thoshte këto, po turpëroheshin të gjithë ata që i kundërviheshin, dhe gjithë turma gëzohej për të gjitha gjërat e lavdishme që bëheshin nga ai.
18 Atëherë tha: "Me çfarë është e ngjashme Mbretëria e Perëndisë dhe me çfarë ta krahasoj?
19 Është e ngjashme me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e mbolli në kopshtin e vet; dhe ajo u rrit e u bë pemë, dhe zogjtë e qiellit gjetën strehë në degët e saj".
20 Dhe përsëri tha: "Me çfarë ta krahasoj Mbretërinë e Perëndisë?
21 Është e ngjashme me tharmin të cilin e mori një grua dhe e përzjeu në tri masa mielli, derisa u mbrujt i tërë brumi".
22 Dhe Jezusi kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar dhe duke udhëtuar për në Jerusalem.
23 Dhe dikush i tha: "Zotëri, a janë pak ata që shpëtohen?". Dhe ai u tha atyre:
24 "Përpiquni që të hyni përmes derës së ngushtë, se shumë, po ju them, do të kërkojnë që të hyjnë, por nuk do të mundin.
25 Sapo i zoti i shtëpisë të ngrihet dhe të mbyllë derën, dhe ju të filloni të qëndroni jashtë dhe të trokisni në derë duke thënë 'Zotëri, na e hap derën!', dhe ai, duke u përgjigjur, do t'ju thotë: 'Nuk e di prej nga jeni ju!',
26 atëherë do të filloni të thoni: 'Hëngrëm dhe pimë përpara teje dhe ti mësove ndër rrugët e gjera tonat'.
27 Dhe ai, duke folur, do t'ju thotë: 'Nuk e di prej nga jeni; largohuni nga unë, të gjithë ju punëtorë padrejtësie'.
28 Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shikoni Abrahamin dhe Isakun, dhe Jakobin, dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju të hedhur jashtë.
29 Dhe do të vijnë nga lindja e perëndimi, dhe nga veriu e jugu, dhe do të shtrohen në banket në Mbretërinë e Perëndisë.
30 Dhe ja, janë të fundit ata që do të jenë të parë dhe janë të parë ata që do të jenë të fundit".
31 Në atë orë erdhën pranë disa farisenj duke i thënë: "Dil dhe largohu që këtu, sepse Herodi dëshiron të të vrasë".
32 Dhe Jezusi u tha: "Shkoni dhe i thoni kësaj dhelpre: 'Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe po kryej shërime, dhe të tretën ditë e përmbyll'.
33 Megjithatë, unë duhet që sot dhe nesër, dhe ditën më pas, të shkoj rrugës sime, se nuk është e mundur që një profet të humbasë jetën jashtë Jerusalemit.
34 O Jerusalem, Jerusalem! O ti që vret profetët dhe që qëllon me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha që të mbledh bashkë fëmijët e tu, në atë mënyrë si klloçka mbledh zogun e vet nën krahët e saj, por nuk deshët!
35 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë! Dhe po ju them se nuk do të më shikoni më, derisa të vijë koha kur të thoni: 'I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit!'".
Të gjithë librat
