Ungjilli sipas Lukës 11
1 Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi ishte në njëfarë vendi duke u lutur, si mbaroi, dikush nga dishepujt e tij i tha: "Zot, na mëso të lutemi, ashtu si edhe Gjoni mësoi dishepujt e tij".
2 Dhe Jezusi u tha: "Kurdo që të luteni thoni: 'O Atë, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë Mbretëria jote.
3 Bukën tonë të përditshme na e jep çdo ditë.
4 Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne vetë ia falim kujtdo që na detyrohet. Dhe të mos na shtiesh në sprovë'".
5 Dhe u tha atyre: "Kush prej jush ka një mik dhe ky shkon tek ai në mesnatë e i thotë: 'Mik, më jep hua tri bukë,
6 ngaqë më erdhi një miku im nga rruga dhe nuk kam çfarë t'i vë para';
7 dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur thotë: 'Mos më mundo! Dera tashmë është mbyllur dhe fëmijët e mi janë me mua në shtrat; nuk mund të ngrihem për të t'i dhënë.'
8 Unë po ju them se edhe nëse nuk ngrihet t'ia japë për shkak se është miku i vet, do të çohet, gjithsesi, për shkak të paturpësisë së atij e do t'i japë gjithë sa ka nevojë.
9 Dhe unë po ju them: lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni, trokitni dhe do t'ju hapet.
10 Sepse kushdo që lyp, merr; dhe ai që kërkon, gjen; dhe atij që troket, do t'i hapet.
11 Tani, kujt ati prej jush do t'i lypë i biri peshk dhe ai, në vend të peshkut, do t'i japë një gjarpër?!
12 Ose edhe do t'i lypë vezë, dhe ai do t'i japë një akrep?!
13 Nëse ju, pra, duke qenë të ligj, dini t'u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më tepër Ati qiellor do t'u japë Frymën e Shenjtë atyre që ia lypin atij?".
14 Dhe Jezusi ishte duke dëbuar një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, ndërsa doli demoni, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.
15 Por disa prej tyre thanë: "Ai i dëbon demonët me anë të Beelzebulit, kreut të demonëve".
16 Ndërsa të tjerë, duke e sprovuar, kërkonin nga ai një shenjë prej qiellit.
17 Por Jezusi vetë, duke ditur mendimet e tyre, u tha: "Çdo mbretëri që është përçarë në vetvete, shkretohet, dhe një shtëpi bie mbi një shtëpi tjetër.
18 Dhe nëse Satani, gjithashtu, është përçarë në vetvete, si do të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët me anë të Beelzebulit.
19 Dhe nëse unë i dëboj demonët me anë të Beelzebulit, bijtë tuaj me anë të kujt i dëbojnë? Për këtë arsye ata vetë do të jenë gjykatësit tuaj.
20 Por nëse unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, atëherë arriti te ju Mbretëria e Perëndisë.
21 Kur i forti, i armatosur mirë, ruan pallatin e vet, ato që i përkasin atij janë në siguri;
22 po kur një më i fortë se ai vjen dhe e mund, i heq gjithë armatimin tek i cili kishte besim dhe e përndan plaçkën e tij.
23 Ai që nuk është me mua, është kundër meje; dhe ai që nuk mbledh me mua, shpërndan.
24 Kur fryma e ndyrë ka dalë nga njeriu, kalon nëpër vende të pauja duke kërkuar prehje; dhe duke mos e gjetur, thotë: 'Do të kthehem në shtëpinë time, prej nga dola'.
25 Dhe kur mbërrin, e gjen të fshirë dhe të stolisur.
26 Atëherë shkon dhe merr me vete shtatë frymëra të tjera, më të liga se vetja, dhe hyjnë e banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para".
27 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i thoshte këto gjëra, një grua prej turmës, duke ngritur zërin, i tha atij: "Lum barku që të mbarti dhe gjinjtë që thithe!".
28 Por ai tha: "Përkundrazi, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe që e mbajnë!".
29 Tani, ndërsa turmat po shtoheshin, Jezusi filloi të thoshte: "Ky brez është një brez i lig; kërkon një shenjë, mirëpo shenjë nuk do t'i jepet, në mos shenja e Jonait.
30 Se ashtu si Jonai u bë shenjë për niniveasit, kështu do të jetë edhe Biri i Njeriut për këtë brez.
31 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në gjyq bashkë me njerëzit e këtij brezi dhe do t'i dënojë, sepse ajo erdhi prej skajeve të tokës për të dëgjuar urtësinë e Solomonit; dhe ja, më shumë se Solomoni është këtu!
32 Njerëzit e Ninives do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan si përgjigje ndaj predikimit të Jonait; dhe ja, më shumë se Jonai është këtu!
33 Askush kur ndez një kandil, nuk e vë në një vend të fshehtë dhe as nën magje, por e vë mbi kandiler, me qëllim që ata që hyjnë, të shohin dritën.
34 Kandili i trupit është syri yt. Kur syri yt është i kthjellët, edhe tërë trupi yt është i ndriçuar. Po kur është i lig, edhe trupi yt është i errët.
35 Prandaj, këqyr se mos drita që është në ty, është errësirë.
36 Pra, nëse tërë trupi yt është i ndriçuar, duke mos pasur ndonjë pjesë të errët, do të jetë i tëri i ndriçuar, ashtu si kandili kur të ndriçon me rrezatimin e tij.
37 Tani, kur foli Jezusi, një farise i kërkoi që të hante një vakt me të. Dhe Jezusi hyri, dhe zuri vend.
38 Po kur fariseu e pa këtë, u habit që Jezusi nuk u la fillimisht para vaktit.
39 Dhe Zoti i tha atij: "Tani, ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa e brendshmja juaj është e mbushur me grabitje dhe ligësi.
40 Të pamend! Ai që bëri të jashtmen, a nuk bëri edhe të brendshmen?!
41 Por jepni lëmoshë ato që janë përbrenda dhe, ja, të gjitha do të jenë të pastra për ju.
42 Por mjerë ju, farisenj! Se jepni të dhjetën e mendrës dhe të ryzës, dhe të çdo perimeje, mirëpo anashkaloni drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë! Por këto duhej t'i bënit dhe ato të mos i linit mënjanë.
43 Mjerë ju, farisenj! Se doni ndenjësen e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe.
44 Mjerë ju! Se jeni si varret që janë të padallueshme dhe njerëzit që ecin sipër tyre, nuk e dinë".
45 Tani, një nga ekspertët e Ligjit, duke u përgjigjur, i tha: "Mësues, duke thënë këto, po na fyen edhe ne".
46 Por Jezusi tha: "Mjerë edhe ju, ekspertët e Ligjit! Se i ngarkoni njerëzit me ngarkesa të pambajtshme dhe vetë nuk i prekni ngarkesat as edhe me një nga gishtërinjtë tuaj.
47 Mjerë ju! Se ndërtoni përmendoret e profetëve, por etërit tuaj i vranë ata.
48 Kështu dëshmoni dhe miratoni veprat e etërve tuaj, se, nga njëra anë, ata i vranë profetët, ndërsa, nga ana tjetër, ju ndërtoni përmendoret e tyre.
49 Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: 'Do të dërgoj tek ata profetë dhe apostuj, dhe disa prej tyre do t'i vrasin dhe do t'i përndjekin',
50 me qëllim që nga ky brez të kërkohet gjaku i të gjithë profetëve, që derdhet që nga themelimi i botës,
51 nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, atij që u vra midis altarit dhe shtëpisë së Perëndisë. Po, po ju them, nga ky brez do të kërkohet.
52 Mjerë ju, ekspertët e Ligjit! Se hoqët çelësin e njohurisë. Vetë nuk hytë dhe ata që po hynin, i penguat".
53 Dhe kur Jezusi doli prej aty, skribët dhe farisenjtë filluan ta kishin tmerrësisht mëri dhe ta bënin të fliste për më shumë gjëra,
54 duke i ngritur kurth për të kapur ndonjë gjë që do të dilte prej gojës së tij.
Të gjithë librat
