Ungjilli sipas Lukës 10
1 Tani, mbas këtyre gjërave, Zoti caktoi edhe shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi dy nga dy para fytyrës së tij në çdo qytet dhe vend ku ai do të shkonte.
2 Dhe u thoshte atyre: "Vërtet të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë të paktë. Prandaj, përgjërojuni Zotit të të korrave që të nxjerrë punëtorë në të korrat e tij.
3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengja në mes të ujqve.
4 Mos mbani kuletë, as trastë, as sandale; dhe mos përshëndetni askënd gjatë rrugës.
5 Dhe në cilëndo shtëpi që të hyni, së pari thoni: 'Paqe kësaj shtëpie!'.
6 Dhe po të jetë atje një bir i paqes, paqja juaj do të prehet mbi të; përndryshe, ajo do të kthehet mbi ju.
7 Dhe rrini në atë shtëpi duke ngrënë e duke pirë ato që do t'ju jepen nga ata, sepse punëtori është i denjë për pagën e vet. Mos u zhvendosni nga shtëpia në shtëpi.
8 Dhe në cilindo qytet që të hyni e t'ju presin, hani ato që vihen para jush
9 dhe shëroni të lënguarit që ndodhen në të, dhe u thoni atyre: 'Mbretëria e Perëndisë është afruar te ju'.
10 Por në cilindo qytet që të hyni e të mos ju presin, duke dalë në rrugët e gjera të tij, thoni:
11 'Edhe pluhurin që na u ngjit në këmbë prej qytetit tuaj, po e fshijmë kundër jush; veçse ta dini se Mbretëria e Perëndisë është afruar'.
12 Po ju them se në atë ditë për Sodomën do të jetë më e durueshme sesa për atë qytet.
13 Mjerë ti, o Korazin! Mjerë ti, o Betsaida! Sepse sikur në Tir dhe Sidon të ishin bërë veprat e fuqisë që u bënë në ju, qëmoti do të ishin penduar, të veshur me thes e të ulur në hi.
14 Megjithatë, për Tirin dhe Sidonin do të jetë më e durueshme në gjykim sesa për ju.
15 Dhe ti, o Kafarnaum, mos do të lartësohesh deri në qiell? Deri në Hades do të zbritesh.
16 Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua; dhe ai që ju hedh poshtë ju, më hedh poshtë mua; por ai që më hedh poshtë mua, hedh poshtë atë që më dërgoi mua".
17 Tani, të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim, duke thënë: "O Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd!".
18 Dhe Jezusi u tha: "E vëreja Satanin duke rënë si vetëtimë prej qiellit.
19 Ja, ju kam dhënë pushtetin për të shkelur përmbi gjarpërinj e akrepa dhe mbi gjithë fuqinë e armikut, dhe asgjë nuk do t'ju dëmtojë aspak.
20 Megjithatë, mos u gëzoni në këtë: që ju nënshtrohen frymërat; por gëzohuni se emrat tuaj janë mbishkruar në qiej".
21 Në atë orë Jezusi u ngazëllua në Frymën e Shenjtë dhe tha: "Të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, se i fshehe këto gjëra nga të urtët dhe të zgjuarit, dhe ua zbulove foshnjave. Po, o Atë, sepse kështu qe e pëlqyeshme përpara teje.
22 Të gjitha m'u dorëzuan mua nga Ati im; dhe asnjë nuk e di kush është Biri, përveç Atit; dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe cilitdo që Biri të dojë për t'ia zbuluar".
23 Dhe duke u kthyer drejt dishepujve, u tha veçmas: "Lum sytë që shohin ato që shihni ju!
24 Se po ju them që shumë profetë dhe mbretër dëshiruan për të parë ato që ju shihni, e nuk i panë; dhe për të dëgjuar ato që dëgjoni, e nuk i dëgjuan".
25 Dhe ja, u ngrit një ekspert i Ligjit për ta sprovuar Jezusin, duke thënë: "Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme?".
26 Dhe Jezusi i tha atij: "Çfarë është shkruar në Ligj? Si e lexon?".
27 Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: "Do ta duash Zotin, Perëndinë tënd, prej tërë zemrës sate dhe me tërë shpirtin tënd, dhe me tërë forcën tënde, dhe me tërë mendjen tënde; edhe të afërmin tënd si veten tënde".
28 Dhe Jezusi i tha: "Saktë u përgjigje. Bëje këtë dhe do të jetosh".
29 Por ai, duke dashur të përligjë vetveten, i tha Jezusit: "E kush është i afërmi im?".
30 Dhe Jezusi, duke marrë fjalën, tha: "Një njeri po zbriste nga Jerusalemi në Jeriko dhe ndeshi në kusarë, të cilët, si e zhveshën dhe i shkaktuan plagë, u larguan duke e lënë gjysmë të vdekur.
31 Tani, rastësisht, një prift po zbriste në atë rrugë dhe kur e pa atë, kaloi në anën tjetër.
32 Dhe po kështu edhe një levit, kur erdhi në atë vend dhe e pa atë, kaloi në anën tjetër.
33 Por një samaritan, duke udhëtuar, erdhi tek ai dhe, kur e pa atë, pati dhembshuri.
34 Dhe si i erdhi pranë, lidhi vrajat e tij, duke derdhur vaj dhe verë mbi to; dhe si e hipi mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdes për të.
35 Dhe të nesërmen, nxori dhe i dha hanxhiut dy denarë, dhe i tha: 'Kujdesu për të dhe çfarëdo gjëje që të shpenzosh më tepër, unë do të ta shlyej kur të kthehem'.
36 Cili nga këta të tre të duket se ka qenë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?".
37 Dhe ai tha: "Ai që tregoi mëshirë për të". Dhe Jezusi i tha: "Shko edhe ti dhe bëj njësoj".
38 Tani, ndërsa ata po shkonin rrugës, Jezusi hyri në një fshat dhe një grua me emrin Marta e priti atë.
39 Dhe ajo kishte një motër që quhej Maria dhe e cila, duke u ulur pranë te këmbët e Jezusit, dëgjonte fjalën e tij.
40 Por Marta ishte rrëmbyer nga shërbimi i shumtë dhe duke iu afruar Jezusit, tha: "Zot, a nuk do t'ia dish që motra ime më la vetëm të shërbej? Thuaji, pra, që të më ndihmojë!".
41 Por Zoti, duke u përgjigjur, i tha: "Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe trazohesh për shumë gjëra,
42 por një gjë është e nevojshme; njëmend Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të hiqet prej saj".
Të gjithë librat
