Letra drejtuar Kolosianëve 1
1 Pali, apostull i Jezus Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Timote,
2 shenjtorëve dhe besnikëve vëllezër në Krishtin, që janë në Kolos: hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht!
3 E falënderojmë gjithmonë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, duke u lutur për ju,
4 sepse dëgjuam për besimin tuaj në Krishtin Jezus dhe për dashurinë që keni për të gjithë shenjtorët,
5 për shkak të shpresës që është vënë mënjanë për ju në qiej, për të cilën dëgjuat më parë në fjalën e së vërtetës, ungjillin
6 që mbërriti te ju, ashtu si edhe në të gjithë botën, dhe është duke dhënë fryt, ashtu si edhe ndër ju, që nga dita që dëgjuat dhe njohët qartë hirin e Perëndisë në të vërtetën;
7 ashtu siç edhe mësuat nga Epafrai, i dashuri ynë skllav bashkë me ne, i cili është një shërbenjës besnik i Krishtit për ju;
8 ai që edhe na bëri të ditur dashurinë tuaj në Frymë.
9 Për këtë arsye edhe ne, që nga dita që e dëgjuam këtë, nuk reshtim duke u lutur për ju dhe duke kërkuar që të mbusheni me njohjen e plotë të vullnetit të tij, në çdo urtësi dhe zgjuarsi frymërore,
10 që ju të ecni denjësisht për Zotin në çdo gjë që i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e plotë të Perëndisë,
11 duke u fuqizuar me çdo fuqi, sipas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo qëndresë dhe durim, me gëzim,
12 duke e falënderuar Atin që na bëri të përshtatshëm për pjesën e shortit të shenjtorëve në dritë,
13 i cili na çliroi prej pushtetit të errësirës dhe na zhvendosi në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij,
14 në të cilin kemi shpengimin, nëpërmjet gjakut të tij, faljen e mëkateve.
15 Ai është shëmbëllesa e Perëndisë të padukshëm, i parëlinduri mbi gjithë krijimin;
16 sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato në qiej dhe ato mbi tokë, të dukshmet dhe të padukshmet, qoftë frone, qoftë zotërime, qoftë parí, qoftë pushtete; të gjitha janë krijuar nëpërmjet tij dhe për të.
17 Dhe ai vetë është përpara të gjithave, dhe të gjitha qëndrojnë bashkë në të.
18 Dhe ai vetë është kreu i trupit, i kishës; ai është fillimi, i parëlinduri prej të vdekurve, që të bëhet ai vetë i parë në të gjitha.
19 Sepse i pëlqeu gjithë plotësisë së Perëndisë që të banojë në të
20 dhe që, nëpërmjet tij, t'i pajtojë të gjitha me veten – duke bërë paqe nëpërmjet gjakut të kryqit të tij, nëpërmjet tij – qoftë ato mbi tokë e qoftë ato në qiej.
21 Εdhe ju, megjithëse më parë ishit të tëhuajtur dhe armiq në mendjen tuaj dhe në veprat e liga, por tani ju pajtoi
22 në trupin e mishit të tij, nëpërmjet vdekjes, për t'ju paraqitur të shenjtë dhe të patëmetë, dhe të paqortueshëm përballë tij,
23 nëse vërtet vazhdoni në besim, duke qenë të themeltë dhe të patundur, dhe duke mos lëvizur nga shpresa e ungjillit, të cilin e dëgjuat dhe që u predikua në të gjithë krijimin nën qiell dhe shërbenjës i të cilit u bëra unë, Pali.
24 Unë i cili tani gëzohem në vuajtjet e mia për ju dhe po përplotësoj ato që u mungojnë mundimeve të Krishtit në mishin tim, për hir të trupit të tij, që është kisha,
25 së cilës unë iu bëra shërbenjës, sipas administrimit të Perëndisë, që m'u dha mua për ju, që të plotësoj predikimin e fjalës së Perëndisë,
26 misterin që ishte fshehur prej epokash dhe prej brezash, por që tani iu shfaq shenjtorëve të tij;
27 të cilëve Perëndia deshi që t'u bëjë të njohur cila është pasuria e lavdisë së këtij misteri ndër kombet, që është Krishti në ju, shpresa e lavdisë;
28 të cilin ne e shpallim, duke këshilluar çdo njeri dhe duke mësuar çdo njeri në çdo urtësi, me qëllim që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Krishtin Jezus.
29 Për këtë qëllim edhe mundohem, duke u përpjekur sipas veprueshmërisë së tij, që vepron në mua me fuqi.
Të gjithë librat
