Letra drejtuar Kolosianëve 2
1 Se dua që ju ta dini sa përpjekje të madhe po bëj në lidhje me ju dhe ata në Laodice, dhe gjithë sa nuk e kanë parë fytyrën time në mish,
2 me qëllim që të trimërohen zemrat e tyre, duke u bërë bashkë në dashuri, dhe për të pasur çdo pasuri të sigurisë së plotë të të kuptuarit, për një njohje të plotë të misterit të Perëndisë, edhe të Atit, edhe të Krishtit,
3 në të cilin janë të fshehura të gjitha thesaret e urtësisë dhe të njohjes.
4 Dhe këtë po e them me qëllim që të mos ju mashtrojë ndokush me fjalë mbushamendëse.
5 Se edhe nëse mungoj në mish, prapëseprapë në frymë jam bashkë me ju, duke u gëzuar dhe duke parë rregullsinë tuaj dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
6 Prandaj, siç e morët Krishtin Jezus, Zotin, kështu ecni në të,
7 duke pasë qenë të rrënjosur dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u përforcuar në besim, ashtu siç morët mësim, duke mbushulluar në besim me falënderim.
8 Kini kujdes se mos të jetë ndokush që ju bën rob nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimit bosh, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës, dhe jo sipas Krishtit,
9 sepse në të banon gjithë plotësia e Hyjnisë trupërisht,
10 dhe ju jeni bërë të plotë në të, i cili është kreu i çdo parie dhe pushteti.
11 Në të cilin edhe u rrethpretë me një rrethprerje të bërë pa dorë njeriu, në zhveshjen e trupit të mëkateve të mishit, në rrethprerjen e Krishtit,
12 duke u varrosur bashkë me të në pagëzim, në të cilin pagëzim edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit në veprueshmërinë e Perëndisë që e ngjalli atë prej të vdekurve.
13 Edhe ju, duke qenë të vdekur në shkeljet dhe në parrethprerjen e mishit tuaj, Perëndia ju bëri të gjallë bashkë me të, duke na falur hirësisht të gjitha shkeljet,
14 duke e fshirë dëftesën e borxhit me dekretet kundër nesh, e cila na ishte kundërshtare; dhe atë e hoqi prej mesit, duke e gozhduar në kryq.
15 Dhe si i çarmatosi paritë dhe pushtetet, i poshtëroi haptas, duke triumfuar mbi to në të.
16 Prandaj, të mos ju gjykojë kush në çështje të ngrëni apo në çështje të piri, apo në çështje feste, apo hëne të re, apo shabatesh,
17 të cilat janë hije e atyre gjërave që do të vijnë; ndërsa lënda është e Krishtit!
18 Askush të mos ju skualifikojë nga marrja e çmimit, duke gjetur kënaqësi në përulësi dhe në kult të engjëjve, duke u futur në gjëra që nuk ka parë, duke u krekosur kot nga mendja e mishit të tij
19 dhe duke mos u kapur te kryet, prej të cilit i gjithë trupi, i mbështetur dhe i bërë bashkë nëpërmjet nyjave dhe kyçeve, rritet me rritjen e Perëndisë.
20 Prandaj nëse vdiqët bashkë me Krishtin për sa u përket elementeve të botës, pse u nënshtroheni, si duke jetuar ende në botë, dekreteve, si:
21 "Të mos kapësh!" dhe "Të mos shijosh!", dhe "Të mos prekësh!"
22 (të cilat janë të gjitha për prishje prej përdorimit), sipas urdhëresave dhe mësimeve të njerëzve?
23 Këto gjëra kanë, vërtet, nam urtësie në një fetarí mirakandëse dhe në përulësi, dhe në moskursim të trupit, por nuk kanë ndonjë vlerë ndaj kënaqjes së mishit.
Të gjithë librat
