Letra drejtuar Kolosianëve 4
1 Ju, zotërinj, sigurojuni skllevërve të drejtën dhe barazinë, duke e ditur se edhe ju keni një Zotëri në qiell.
2 Përkushtojuni lutjes, duke ndenjur zgjuar në të me falënderim,
3 duke u lutur njëkohësisht edhe për ne, që Perëndia të na hapë një derë të fjalës, për të folur misterin e Krishtit, për shkak të të cilit mister edhe jam i prangosur,
4 me qëllim që ta shfaq siç më duhet për të folur.
5 Ecni me urtësi ndaj të jashtmëve, duke shpenguar kohën.
6 Fjala juaj të jetë gjithmonë me hir, ndrequr me kripë, që ju të dini si duhet t'i përgjigjeni çdonjërit.
7 Rrethanat e mia do t'jua bëjë të njohura të gjitha Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik, dhe skllav bashkë me mua në Zotin,
8 të cilin e dërgova te ju pikërisht për këtë: që të njihni gjërat që kanë të bëjnë me ne dhe të trimërojë zemrat tuaja;
9 dhe e dërgova bashkë me Onesimin, vëllain besnik dhe të dashur, i cili është një prej jush. Ata do t'ju bëjnë të njohura të gjitha gjërat këtu.
10 Ju përshëndet Aristarku, i bashkëburgosuri me mua, si dhe Marku, kushëriri i Barnabës (për të cilin morët porosi që, po të vijë te ju, ta mirëprisni),
11 dhe Jezusi, ai që quhet Just. Këta që janë prej rrethprerjes, janë të vetmit bashkëpunëtorë për Mbretërinë e Perëndisë, të cilët m'u bënë ngushëllim.
12 Ju përshëndet Epafrai, i cili është një prej jush, skllav i Krishtit Jezus, dhe është gjithmonë duke u përpjekur për ju në lutjet e tij, që të qëndroni të përsosur dhe të jeni plotësisht të sigurt në gjithë vullnetin e Perëndisë.
13 Njëmend, unë dëshmoj për të se mundohet shumë për ju dhe për ata në Laodice, dhe për ata në Hierapol.
14 Ju përshëndet Luka, mjeku i dashur, dhe Dema.
15 Përshëndetni vëllezërit në Laodice dhe Nimfën, dhe kishën që mblidhet në shtëpinë e saj.
16 Dhe kur të lexohet letra ndër ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e atyre në Laodice; dhe që edhe ju të lexoni letrën prej Laodicesë.
17 Dhe i thoni Arkipit: "Ki kujdes shërbimin të cilin e more në Zotin, që ta përmbushësh".
18 Përshëndetja është me dorën time, të Palit. Kujtoni prangat e mia! Hiri qoftë me ju!
Të gjithë librat
