Letra drejtuar Kolosianëve 3
1 Prandaj, nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, aty ku është Krishti, i ulur në të djathtë të Perëndisë.
2 Kushtojuni vëmendje atyre gjërave që janë lart, jo atyre që janë mbi tokë,
3 sepse ju vdiqët dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.
4 Kur të shfaqet Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju do të shfaqeni bashkë me të në lavdi.
5 Prandaj, bëjini të vdesin gjymtyrët që janë mbi tokë: kurvërinë, papastërtinë, pasionin, dëshirimin e keq dhe lakminë (e cila është idhujtari),
6 për shkak të të cilave vjen zemërimi i Perëndisë
7 dhe në të cilat ecët edhe ju më parë, kur jetonit në to.
8 Por tani flakini edhe ju të gjitha: zemërimin, mllefin, ligësinë, fyerjen dhe fjalët e ndyra prej gojës suaj.
9 Mos e gënjeni njëri-tjetrin, sepse e zhveshët njeriun e vjetër bashkë me veprimtaritë e tij
10 dhe veshët të riun, që ripërtërihet në një njohje të plotë sipas shëmbëllesës së atij që e krijoi,
11 ku nuk ka aty helen e judé, rrethprerje e parrethprerje, barbar, skithas, skllav dhe të lirë, por gjithçka dhe në të gjitha është Krishti.
12 Vishni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë dhe të dashur, një zemër përdëllimi, mirësi, përulësi, butësi dhe durim;
13 duke e duruar njëri-tjetrin dhe duke e hirësuar njëri-tjetrin, po të ketë ndokush ankesë kundër dikujt; dhe ashtu si Zoti ju hirësoi ju, kështu bëni edhe ju.
14 Dhe mbi të gjitha këto, vishni dashurinë, e cila është lidhja e përsosmërisë.
15 Dhe paqja e Krishtit, për të cilën edhe u thirrët në një trup të vetëm, të vendosë në zemrat tuaja; dhe jini falënderues!
16 Fjala e Krishtit të banojë në ju pasurisht, në çdo urtësi, duke e mësuar dhe duke këshilluar njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Perëndisë me hir në zemrat tuaja.
17 Dhe gjithçka, çfarëdo gjëje që të bëni në fjalë apo në vepër, t'i bëni të gjitha në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.
18 Ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, siç është e përshtatshme në Zotin!
19 Ju, burra, duajini gratë tuaja dhe mos jini të hidhur ndaj tyre!
20 Ju, fëmijë, bindjuni prindërve në të gjitha, sepse kjo është e pëlqyeshme në Zotin!
21 Ju, etër, mos i ngacmoni fëmijët tuaj, që të mos shkurajohen!
22 Ju, skllevër, bindjuni në të gjitha zotërinjve tuaj sipas mishit, jo me një shërbim për të rënë në sy, si për t'u pëlqyer njerëzve, por me thjeshtësi zemre, duke pasur frikë Zotin.
23 Çfarëdo që të bëni, punoni prej shpirtit, si për Zotin e jo për njerëzit,
24 duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë. Shërbejini Zotit Krisht!
25 Sepse ai që bën padrejtësi, do të marrë shpagim për çfarë padrejtësie bëri, dhe nuk ka anësi.
Të gjithë librat
