Letra e Judës 1
1 Juda, skllav i Jezu Krishtit dhe vëlla i Jakobit, të thirrurve që janë të shenjtëruar në Perëndinë Atë dhe të ruajtur për Jezu Krishtin:
2 mëshirë dhe paqe e dashuri u shumofshin mbi ju.
3 Të dashur, duke qenë gjithë ngut t'ju shkruaj rreth shpëtimit të përbashkët, pata nevojë t'ju shkruaj që t'ju nxis për të luftuar për besimin që iu përcoll një herë e përgjithmonë shenjtorëve.
4 Se hynë tinëzisht disa njerëz, që, së lashti, janë shkruar përpara për këtë gjykim, të papërshpirtshëm, që e ndërrojnë hirin e Perëndisë tonë në shthurje dhe që mohojnë të vetmin Sundimtar dhe Zot tonin, Jezu Krishtin.
5 Tani, dëshiroj t'ju sjell ndërmend, ndonëse ju e dini këtë një herë e mirë, se Zoti, pasi shpëtoi një popull prej tokës së Egjiptit, shkatërroi më pas ata që nuk besuan.
6 Edhe engjëjt që nuk e mbajtën parësinë e vet, por e braktisën banimin vetjak, ai i ka mbajtur me pranga të përhershme në skëterrë për gjykimin e ditës së madhe,
7 ashtu si Sodoma e Gomorra dhe qytetet rreth tyre, që në të njëjtën mënyrë me këta kurvëruan rëndë dhe shkuan pas mishi të ndryshëm, paraqiten si shembull, duke pësuar ndëshkim zjarri të përjetshëm.
8 Megjithatë, në mënyrë të ngjashme edhe këta njerëz, duke ëndërruar, nga njëra anë ndyjnë mishin, nga ana tjetër hedhin poshtë zotërim dhe fyejnë qeniet e lavdishme.
9 Ndërsa Mikaeli, kryeengjëlli, kur duke u ngrënë me djallin fjalosej për trupin e Moisiut, nuk guxoi që të sillte gjykim fyes, por tha: "Të qortoftë Zoti!".
10 Por këta, nga njëra anë fyejnë çka nuk dinë, nga ana tjetër prishen në këto çka njohin në mënyrë natyrore, si gjallesa pa arsye.
11 Mjerë ata, sepse shkuan udhës së Kainit dhe u lëshuan për shpërblim në gabimin e Balaamit, dhe humbën në kundërshtimin e Koreut.
12 Këta janë guma në agapet tuaja, kur festojnë bashkë me ju pa frikë, duke barituar veten e tyre; re të pauja që hiqen tutje nga erërat; pemë vjeshtake të pafruta, dy herë të vdekura, të shkulura me rrënjë;
13 dallgë deti të egra, që shkumëzojnë turpet e veta; yje endacakë, për të cilët është ruajtur përjetë skëterra e errësirës.
14 Tani, edhe për këta profetizoi Enoku, i shtati nga Adami, duke thënë: "Ja, do të vijë Zoti me dhjetëra mijëra të shenjtë të tij,
15 për të bërë gjyq kundër të gjithëve dhe për të fajësuar të gjithë të papërshpirtshmit e tyre për të gjitha veprat e tyre të papërshpirtshme, të cilat i bënë papërshpirtërisht, dhe për të gjitha fjalët e ashpra, të cilat i folën kundër tij mëkatarë të papërshpirtshëm".
16 Këta janë murmuritës ankues, që shkojnë sipas dëshirimeve të tyre dhe goja e tyre flet fjalë të stërmëdha, dhe që lurtojnë pamjen e njerëzve për arsye përfitimi.
17 Por ju, të dashur, kujtoni thëniet që janë parathënë nga apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht,
18 që ju thoshin se në kohën e fundit do të ketë tallës që shkojnë sipas dëshirimeve të veta të papërshpirtërisë.
19 Këta janë ata që bëjnë ndarje, shpirtësorë, që nuk kanë Frymën.
20 Por ju, të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj tejet të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë,
21 mbajeni veten tuaj në dashuri të Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetë të përjetshme.
22 Dhe për disa, duhet të keni mëshirë, duke bërë dallim;
23 ndërsa të tjerë shpëtojini me frikë, duke i rrëmbyer prej zjarrit, duke urryer edhe tunikën që është njollosur nga mishi.
24 Tani, atij që mund t'i ruajë ata të papengueshëm dhe t'i bëjë të qëndrojnë përballë lavdisë së tij të patëmetë me ngazëllim,
25 të vetmit Perëndi të urtë, Shpëtimtar tonit, i qoftë lavdi dhe madhështi, forcë dhe pushtet, edhe tani, edhe në të gjithë shekujt! Amen!
Të gjithë librat
