Jonai 4
1 Por kjo qe një e keqe tepër e madhe për Jonain, dhe ai u nxeh.
2 Atëherë iu lut Jahveh-ut dhe tha: "Ah, ο Jahveh, a nuk ishte kjo ajo që thosha kur isha ende në vendin tim? Prandaj ika më përpara drejt Tarshishit, sepse e kam ditur se ti je një Perëndi i hirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim dhe plot besëmirësi, dhe që i vjen keq për fatkeqësinë.
3 Dhe tani, o Jahveh, merre, të lutem, jetën time nga unë, sepse për mua më e mirë është vdekja ime sesa jeta ime."
4 Dhe Jahveh-u tha: "A bën mirë që nxehesh kështu?".
5 Atëherë, Jonai doli nga qyteti dhe u ul në lindje të tij. Dhe atje bëri për vete një tendë/kaçorre, dhe u ul poshtë saj në hije, derisa të shihte se çfarë do të ndodhte në qytet.
6 Tani, Jahveh-u Perëndi caktoi një bimë ricini, që mbiu dhe u ngjit përmbi Jonain për të bërë hije mbi kokën e tij, që ta shpëtonte nga halli i vet. Dhe Jonai u gëzua shumë për bimën e ricinit.
7 Por të nesërmen, kur po agonte, Perëndia caktoi një krimb, i cili goditi bimën e ricinit, dhe ajo u tha.
8 Pastaj ndodhi që, kur lindi dielli, Perëndia caktoi një erë zhuritëse nga lindja; dhe dielli e goditi Jonain në kokë dhe ai u mek. Kështu, ai kërkoi për vete që të vdiste dhe tha: "Më e mirë është për mua vdekja ime sesa jeta ime."
9 Atëherë Perëndia i tha Jonait: "A bën mirë që nxehesh për bimën e ricinit?". Dhe Jonai tha: "Mirë bëj që nxehem për vdekje."
10 Atëherë Jahveh-u tha: "Ti u merakose për bimën e ricinit, për të cilën nuk punove dhe nuk e rrite, e cila mbiu për një natë dhe për një natë humbi;
11 kurse unë nuk duhet të merakosem për Ninivenë, qytetin e madh, që ka në të më shumë se njëqind e njëzet mijë njerëz, të cilët nuk dinë dallimin midis së djathtës së tyre nga e majta e tyre, si dhe shumë kafshë?".
Të gjithë librat
