Jonai 3
1 Tani, fjala e Jahveh-ut i erdhi Jonait për herë të dytë, duke thënë:
2 “Çohu, shko në Ninive, qytetin e madh, dhe kumtoji atij kumtin që unë jam duke folur me ty!".
3 Kështu, Jonai u çua dhe shkoi në Ninive sipas fjalës së Jahveh-ut (tani, Niniveja qe një qytet i madh para Perëndisë; duheshin tri ditë ecje për ta përshkuar).
4 Atëherë Jonai filloi të hynte në qytet, një ditë ecjeje; dhe thirri e tha: "Ende edhe dyzet ditë dhe Niniveja do të përmbyset!".
5 Atëherë banorët e Ninivesë besuan në Perëndinë dhe shpallën agjërim e veshën grathore, nga më i madhi deri te më i vogli.
6 Dhe fjala arriti te mbreti i Ninivesë, dhe ai u çua nga froni i tij, dhe hoqi petkun e vet që kishte mbi të, dhe u mbështoll me grathore, e u ul mbi hi.
7 Atëherë bëri një shpallje dhe tha: “Në Ninive, me vendim të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij: Asnjë njeri dhe asnjë kafshë, tufë apo kope të mos shijojnë asgjë, të mos kullosin dhe të mos pijnë ujë.
8 Qoftë njerëzit e qoftë kafshët të mbështillen me grathore dhe t'i thërrasin fort Perëndisë; dhe të kthehet secili nga rruga e vet e keqe dhe nga dhuna që gjendet në duart e tij.
9 Kushedi Perëndia ndërron mendje e i vjen keq, dhe heq dorë nga tërbimi i zemërimit të tij, dhe nuk humbasim."
10 Dhe Perëndia pa veprat e tyre, se ishin kthyer nga rruga e tyre e keqe, dhe i erdhi keq Perëndisë për të keqen që kishte thënë se do t'u bënte, dhe nuk e bëri.
Të gjithë librat
