Jonai 2
1 Atëherë Jonai iu lut Jahveh-ut, Perëndisë të tij, nga barku i peshkut
2 dhe tha: "Në ankthin tim i thirra Jahveh-ut, dhe ai m'u përgjigj; nga barku i Sheolit thirra për ndihmë, dhe ti e dëgjove zërin tim.
3 Më kishe hedhur në thellësi, në zemër të deteve, dhe rryma më rrethoi; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua mbi mua kaluan.
4 Atëherë unë thashë: ‘U dëbova nga sytë e tu; megjithatë do të vështroj përsëri drejt tempullit tënd të shenjtë.'
5 Ujërat më qarkuan deri në fyt, thellësia më rrethoi, algat u mbështollën rreth kokës sime.
6 Në rrëzë të maleve zbrita, toka mbylli përjetë shulat e saj mbas meje; por ti e ngjite jetën time prej grope, o Jahveh, Perëndia im.
7 Kur po mpakej brenda meje shpirti im, Jahveh-un kujtova; dhe lutja ime erdhi te ti, te tempulli yt i shenjtë.
8 Ata që u kushtohen idhujve bosh, braktisin vetë besëmirësinë e tyre.
9 Por unë, me zë përlëvdimi, do të bëj fli për ty, do ta përmbush atë çfarë u betova. Shpëtimi i përket Jahveh-ut."
10 Atëherë Jahveh-u i foli peshkut, dhe ai e volli Jonain në steresë.
Të gjithë librat
